AP takim me pronarët: Vërejtje për projektligjin për pronat

560
Avokati i Popullit, Igli Totozani priti sot në mesditë në një takim, përfaqësues të pronarëve në Shqipëri. Ata shprehën shqetësimet e tyre për projektligjin e ri të pronës, që do të diskutohet së shpejti në Parlament, dhe kërkuan ndihmën e Avokatit të Popullit për t’i mbështetur në kërkesat e tyre. Avokati Popullit tha se ka rezervat dhe vërejtjet e veta ndaj këtij projektligji, të cilat do t’ia bëjë prezente edhe Kuvendit të Shqipërisë. Në takim përfaqësuesit e pronarëve shprehën dëshirën që të dëgjohet edhe zëri i tyre në Parlament mbi këtë çështje. Për këtë qëllim  Totozani u angazhua që t’i kërkojë Kuvendit dhe Komisioneve përkatëse parlamentare një seancë dëgjimore, për të diskutuar bashkë me Avokatin e Popullit dhe grupet e interesit të pronarëve, problematikat e këtij ligji. “Ne e konsiderojmë të drejtën e pronës, si një nga të drejtat themelore të njeriut dhe se do të punojë vazhdimisht që kjo e drejtë t’u garantohet të gjithë qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Totozani. Sipas tij, parimi i mbrojtjes së të drejtës së pronës është jo vetëm një e drejtë individiuale, por gjithashtu ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për rritjen e investimeve në Shqipëri. Totozani theksoi se e drejta e pronës është një nga faktorët e rëndësishëm të shpejtimit të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Sigal