AP, apel Ministrisë së Arsimit për parandalimin e shfrytëzimit të fëmijëve në fushatë

462
Në kuadër të zgjedhjeve vendore 2015, dje në ambientet e Avokatit të Popullit, Komisioneri Ermir Kapedani informoi përfaqësuesit e medias mbi angazhimin e këtij institucioni kushtetues për garantimin e zbatimit të parimit universal të së drejtës së individit për të votuar. Ndonëse nuk është një institucion i parashikuar nga Kodi Zgjedhor për administrimin apo monitorimin e zgjedhjeve, në kuadrin e objektivave të përgjithshme të punës së tij, Avokati i Popullit (AP) ka ndërmarrë me iniciativë çështje lidhur me ushtrimin e së drejtës së votës të personave të moshuar në Shtëpitë e të Moshuarve në disa qarqe/rrethe të vendit; aksesit të personave me aftësi të kufizuar për të votuar, zbatimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor që garantojnë barazinë gjinore, si dhe të respektimit të dispozitave ligjore që garantojnë afishimin dhe shpërndarjen e materialeve propagandistike gjatë fushatës zgjedhore. Komisioneri Kapedani publikoi rekomandimin e AP-së, drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ku përmes tij bëri thirrje për marrjen e masave nga të gjitha Drejtoritë Arsimore në vend, në mënyrë që të mos lejojnë pjesëmarrjen e nxënësve të arsimit 9 vjeçar, atij të mesëm si dhe të personelit pedagogjik të tyre, në mitingjet apo aktivitetet elektorale të forcave të ndryshme politike gjatë orarit zyrtar. I njëjti Rekomandim i është dërguar për dijeni edhe Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. 
AP risjell në vëmendje dispozitat e Kodit Zgjedhor (Neni 108), që përcaktojnë procedurat e votimit për zgjedhësit që nuk mund të votojnë, duke filluar që nga regjistrimi në listat e zgjedhësve, infrastruktura e përshtatshme për personat paraplegjikë e tetraplegjikë si dhe për personat që nuk shikojnë. Në këtë kuadër, në datat 4 dhe 5 Qershor 2015, grupe të AP-së kanë inspektuar edhe qendrat e votimit në qytetet Kukës dhe Tropojë. Për këtë qëllim, AP i është drejtuar në mënyrë të vazhdueshme edhe KQZ-së, pranë të cilit ai ka shprehur interesimin e tij edhe për zbatimin e dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor që garantojnë barazinë gjinore. Gjithashtu AP i ka nisur një kërkesë edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim garantimin e të drejtës për të votuar, të atyre që ju është kufizuar liria fizike. Angazhimi i institucionit të Avokatit të Popullit për garantimin e ushtrimit efektiv të së drejtës së votës dhe aksesit të lirë në procesin e votimit do të vazhdojë, duke kryer inspektime të tjera pranë qendrave të votimeve në zona të ndryshme të vendit dhe duke iu drejtuar me rekomandime organeve përkatëse administruese të zgjedhjeve vendore. AP ka ftuar gjithashtu të gjithë shtetasit, të ushtrojnë lirisht dhe me përgjegjshmëri të drejtën e votës, si mjetin më funksional demokratik, si vlerësim të punës, apo edhe si ndëshkim të personalitetit të secilit kandidat.
Sigal