Anulimi i 7 majit në Kavajë dhe shtyrja me 7 ditë e 18 qershorit, hodhën në “kosh” 7 miliardë lekë

94
Përparim HALILI
Kjo faturë financiare nuk do të paguhet nga xhepat e atyre që u takuan “për hallet e popullit”, por nga taksat e popullit 
Ka edhe fatura të tjera financiare të harxhuara nga KQZ me tenderët e Bibës së KQZ-së, që llogariten në miliarda lekë të tjerë, të harxhuar për procedura, shërbime e prodhime fletësh votimi që nuk do përdoren, shpenzime që do të përsëriten për votimet e 25 qershorit 2017
Buzëqeshjet e sfiluara ditën dhe puthjet e bëra natën të dy krerëve të PD e PS, nuk kishin si kosto vetëm dy kafet e pira prej tyre, në 5 orët e bisedimeve që ata zhvilluan deri pas mesnatës së 18 majit 2017. Ai takim-pazar me dyer të mbyllura, rezultoi edhe me një faturë tepër të lartë financiare, që nuk do të paguhet nga xhepat e tyre që u takuan “për hallet e popullit:, por nga taksat e popullit dhe të bizneseve korrekte, të cilët i shlyejnë rregullisht detyrimet ndaj shtetit dhe jo nga bizneset klienteliste të qeverisë, të cilëve 1 muaj më parë iu falën 91 milionë euro detyrime me amnistinë e paramenduar “Ahmetaj”. Është fjala për shpenzimet e bëra deri në datën 18 maj 2017 nga KQZ, për shërbime e blerje të infrastrukturës së zgjedhjeve parlamentare të dekretuara për në datën 18 qershor 2017 e po kështu për zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Kavajas, të dekretuara për në datën 7 maj 2017, por që siç thuhet nga agallarët e politikës, do të zhvillohen në një datë me zgjedhjet parlamentare. Siç dihet tash, zgjedhjet parlamentare u shtyn me 1 javë, duke u fiksuar në datën 25 qershor 2017. Mirëpo, këto 7 ditë shtyrje të zgjedhjeve parlamentare dhe shtyrja 48 ditësh e zgjedhjeve në Kavajë, ka shkaktuar një kosto tepër të lartë për buxhetin e financave kombëtare shqiptare, të cilat siç dihet mbijetojnë me borxhe të huaja përherë në rritje. Nëpërmjet tenderëve të zhvilluar prej “akrobatit” Denar Biba që tashmë nuk do të jetë më kryetar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpenzuar miliarda lekë për shërbime, blerje kancelari, trajnime, eksperimentime për vrojtimin e fletëve të votimit dhe për shtyrje fletësh votimi. janë miliarda lekë që tashmë kanë përfunduar në “hi”, mbasi i dogji pazari i bërë mes dy “sekretarëve të parë të Byrove Politike” të PS e PD, për të shtyrë votimet dhe datat e zgjedhjeve në Kavajë dhe të zgjedhjeve parlamentare, duke i bashkuar të dy këto procese zgjedhore, në datën 25 qershor! Vetëm fletët e votimit për zgjedhjet e 18 qershorit, kushtuan 600 milionë lekë. Eksperimentim-trajnimi i numëruesve dhe vrojtuesve të fletëve të votimit, kushtoi 124 milionë, 611 mijë e 816 lekë. Për zgjedhjet e 7 majit 2017, për kryebashkiakun e Kavajës, u shpenzuan 7 milionë, 290 mijë lekë, por që zgjedhja e kryetarit u shty për batutat, kërcënimet dhe kapardisjet e kryetarëve të PD e PS, që po “përleshen” me njeri-tjetrin e nuk po “pushojnë së qari për hallet e popullit:. Ka edhe fatura të tjera financiare të harxhuara nga KQZ me tenderët e Bibës së KQZ-së, që llogariten në miliarda lekë të tjerë, të harxhuar për procedura, shërbime e prodhime fletësh votimi që nuk do përdoren, shpenzime që do të përsëriten për votimet e 25 qershorit 2017. Sot, po publikojmë tre fakte nga këto shpenzime me vlerë totale 7 miliardë lekë, që nuk i paguajnë krerët e partive, por buxheti i shtetit… 
Përfundojnë në “kosh:, 940 mijë euro të harxhuara për “instruktazhin” e komisionerëve
KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE 
1. Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 
2. Adresa Rruga “Ibrahim Rugova”, nr.4, Tiranë, Tel/Fax 00355 4 72325258, E-mail: [email protected], Faqja e Internetit www.cec.org.al 
3. Lloji i procedurës: Procedurë me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës 
4. Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër: ”Shërbim për implementimin dhe menaxhimin e sistemit të vlerësimit të fletëve të votimit në VNV, transmetimin dhe publikimin e rezultateve”. 
5. Fondi limit 103.843.440 lekë (njëqind e tre milionë e tetëqind e dyzetë e tremijë e katërqind e dyzet) lekë pa TVSH 
6. Vlera totale përfundimtare e kontratës (duke përfshirë lotet opsionet dhe n/kontraktimin):
7. Vlera: 103.843.180 lekë (pa TVSH) 
8. Vlera: 124.611.816 lekë (me TVSH) 
9. Në rastin e përdorimit të procedurës se prokurimit “negocim pa shpallje paraprake te njoftimit të kontratës”, ne rastin e shtesës së kontratës, autoriteti kontraktor të plotësojë edhe të dhënat e mëposhtme: 
10. Informacion mbi kontratën fillestare (në rastin e shtesës së kontratës)
Hidhen në koshin e plehrave, 600 milionë lekë fletë votimi të datës 18 qershor

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE 
1. Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 
2. Adresa Rruga “Ibrahim Rugova”, nr.4, Tiranë, Tel/Fax 00355 4 72325258, E-mail: [email protected], Faqja e Internetit www.cec.org.al 
3. Lloji I procedurës: Procedurë me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës 
4.Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër: ”Prodhim fletëvotimi për zgjedhjet datë 18.06.2017 
5. Fondi limit 46.351.291,3 lekë (dyzet e gjashtë milionë e treqind e pesëdhjetë e njëmijë e dyqind e nëntëdhjetë e një presje tre) lekë pa TVSH 
6. Vlera totale përfundimtare e kontratës (duke përfshirë “Lotet”, opsionet dhe n/kontraktimin):
– Vlera: 12.3 lekë për fletë-votimi (pa TVSH) 
– Vlera: 14.76 lekë për fletë-votimi (me TVSH) 
– Vlera: 270 lekë për fletë-votimi tip maskë për të verbër (pa TVSH)
– Vlera: 324 lekë për fletë votimi tip maskë për të verbër (me TVSH) 

VKM për shpenzimet e zgjedhjeve të Bashkisë Kavajë dhe të 18 qershorit 2017
Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 388, datë 3.5.2017 Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2017, miratuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për financimin e shpenzimeve të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të 18 qershorit 2017, dhe financimin e fushatës zgjedhore të subjekteve përkatëse pjesëmarrëse në këto zgjedhje, si edhe për financimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar të Bashkisë Kavajë, të 7 majit 2017

1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, t’i shtohet fondi prej 133 000 000 (njëqind e tridhjetë e tre milionë) lekësh, për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 18 qershor 2017. 

2. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për financimin e fushatës zgjedhore për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 18 qershor 2017, t’i jepet fondi prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh, i cili t’u shpërndahet subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në këto zgjedhje, në programin “Mbështetje për partitë politike”. 

3. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, t’i shtohet fondi prej 7 290 000 (shtatë milionë e dyqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh, për organizimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar të Bashkisë Kavajë, të datës 7 maj 2017. 

4. Efekti financiar prej 205 290 000 (dyqind e pesë milionë e dyqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh, i parashikuar në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2017. 

5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.