Ankorimi i jahteve në Durrës, më i shtrenjtë se në Spanjë e Itali

1178
Sigal

FATURA ‘BOMBË’/ Turistët largohen sapo njihen me tarifat tregtare të Portit të Durrësit që është 100 euro në ditë

Mungesa e një porti jahtesh, por edhe tarifat e shtrenjta që aplikohen nga Autoriteti Portual i Durrësit ndaj jahteve, velierave dhe anijeve të vogla luksoze kanë sjellë braktisjen e këtij porti nga klasa elitë e turistëve të huaj. Durrësi si qyteti, port më i madh në vend nuk ka asnjë port për ankorimin e jahteve, e për pasojë turizmi në këtë stinë është “i vdekur”. Rastet e largimit të velierave nga Porti i Durrësit janë të shumta, vetëm 24 orë pas mbërritjes së tyre. Turistët e kësaj klase ankorimin në Portin e Durrësit për 24 orë e konsiderojnë më të shtrenjtë se në Spanjë, Portugali apo Milano. Tarifat mund t’i përballojnë kroçerat e mëdha që vijnë në Durrës, por velierat që sjellin edhe biznesmenë dhe një klasë shumë të rëndësishme turizmi, largohen sapo njihen me faturat dhe me mungesën e kushteve në një port thellësisht tregtar siç është i Durrësit.

Largimet

Me dhjetëra turistë që kanë mbërritur herë pas here me jahtet e tyre luksozë në Portin e Durrësit janë larguar menjëherë ose pas 24 orësh nga mbërritja e tyre, me njohjen e tarifave të ankorimit dhe kushteve që ju ofrohen. Rastet janë të shumta, midis tyre ekuipazhi i jahteve “El Dorado” dhe “Nautilius Gibraltar” me rreth 15 turistë nga Gjermania dhe Polonia, të cilët janë çuditur me faturën “bombë” që u ka dorëzuar Kapiteneria e Durrësit për ankorim 24 orësh. Plot 100 euro në ditë është qëndrimi në këtë port për në velierë.

Turistët

Turistët e rrallë që kalojnë transit nëpër Mesdhe dhe qëndrojnë për pak orë apo maksimumi një ditë në Portin e Durrësit pohojnë se të ankorosh një jaht kushton më shtrenjtë se portet   Itali, Spanjë apo Francë. Ata deklarojnë  se kanë shkuar në të gjitha portet e mëdha europiane. “Në vendet më të shtrenjta të Mesdheut si Itali dhe Spanjë kemi paguar maksimumi 90 euro për një ditë, ndërsa këtu në Durrës nuk ka asnjë kusht minimal për të qëndruar. Nuk ka as ujë, as elektricitet dhe as supermarket”, shprehen turistët. Një anije e gjatë vetëm 12 metra paguan minimalisht  100 euro në ditë vetëm për qëndrimin 24 orësh në port dhe ky fakt është i paimagjinueshëm për turistët perëndimorë.