Anijet e peshkimit rregullohen me mjete rrethanore në kantierin e shkatërruar

679
Sigal

Durrës/ Peshkimi si në periudhën mesjetare. KURUM-i shkriu për skrap, dokun dhe slipin, pajisjet e ngritjes së anijeve nga uji

Prej dy vjetësh anijet e peshkimit nuk dalin më nga deti e tu nënshtrohen minimalisht remonteve dhe kolaudimit një herë në vit, e për pasojë, po mbyten njëra pas tjetrës. Një fat i trishtuar, jo vetëm për pronarët e tyre, por për të gjithë industrinë e Peshkimit në Durrës, pasuri, e cila për qytetin, është shumë e rëndësishme, jo vetëm për faktin që prej anijeve të peshkimit merr peshkun e freskët, por për faktin se zhvillimi i kësaj industrie siguron vende pune dhe mirëqenie, të domosdoshme në kohë krizash të tjera, si kjo që ka prekur ekonominë shqiptare.

Remonti me mjete primitive

Lënia e hapësirës së kantierit detar, në pronësi të Portit të Durrësit, ka ofruar një front pune të ri për rikonstruktuesit e anijeve, të cilët me mjete rrethanore, po vijojnë riparim të anijeve të peshkimit në Durrës. Është një situatë sa tragjike dhe dramatike, kur shikon se me hunj dhe fuçi anijet ngrihen e qëndrojnë mbi tokë, për tu kryer riparimin e domosdoshme dhe shpëtimin e tyre nga mbytja e sigurt. Aty ku dikur gjendej kantieri i Durrësit, gjendej edhe “slipi” pajisja që bënte ngritjen e peshkarexhave, remontin e tyre, kolaudimin për të dalë në det për gjueti, një pajisje që u ndërtua në vitet ’70 dhe shërbeu jo vetëm për remont, por edhe për ndërtimin e peshkarexhave, nën markën “Made in Albania”. Punëtorët e dikurshëm të ish-kantierit, po rikonstrutojnë 2 barka. “Nuk është i sigurt qëndrimi këtu, ne e kemi ngritur këtë anije që peshon 66 ton në tokë me mjetet tona rrethanore për ta rregulluar se po mbytej, sipas kërkesës së pronarit”, thotë bojaxhiu Xhevahir Dule dhe kallafatori Skënder Koni, i cili ka punuar për 40 vjet, së bashku me familjen, në këtë sektor.

Kërkesat

Bojaxhiu Xhevahiri thotë se “Kërkesat janë të shumta dhe të vazhdueshme, mendojnë që ku do t’i çojnë për riparim, anijet dhe kjo ka shkaktuar krizë. Këtu ju e shikoni, nuk ka asnjë mundësi, sepse kantieri, që ishte pasuri kombëtare, u shkatërrua, pajisjet na i prenë e na i shitën për skrap. Ne na hoqën nga puna, sepse nuk kishim çtë bënim më. Ajo që ndodhi këtu ishte një masakër. Veç ta kishit parë, kur prenë dhe bënë copa-copa slipin, i cili ngrinte anijet e peshkimit. Këtu vinin edhe anije peshkimi nga Italia e Greqia, sepse punohej mirë dhe lirë. Këtu i krijojmë vetë kushtet ja siç po e shikoni. Me tako druri, fasha, punë me mjete rrethanore. Unë bëj lyerjen e të gjithë anijes. Do të zgjasë nja dy muaj. Jam vetë i nëntë tek shtëpia dhe me këtë zanat kam mbijetuar”.

Turqit

Turqit e KURUM-it para largimit nga kantieri detar prenë dokun për skrap, aty ku u ndërtuan e u riparuan dhjetëra anije të tonazheve të ndryshme, prenë slipin, duke lënë në mëshirën e fatit flotën e peshkimit, plaçkitën dhe shkrinë në uzinën e Elbasanit, pothuajse çdo pasuri që ishte trashëguar nga Kantieri i Durrësit dhe në këmbim, morën me koncesion terminalin e Kontejnerëve nga Qeveria, kontratë të cilën ka më shumë se një vit që nuk po e firmosin me Portin e Durrësit, duke shkaktuar edhe aty një tjetër skandal.