Anijet e mbytura në Kalatat e Portit Detar, rrezik për mjedisin e banorët

766
Sigal

DURRËS/Prej vitesh, 10 anije janë nën ujë. Nuk ka fonde për nxjerrjen e tyre

Autoriteti Portual Durrës, ka  nisur aksionin në shkallë të gjerë në gjithë territorin e tij lidhur me verifikimin e kushteve higjienike në kalata e tragete.  Mbytja e disa anijeve të vogla peshkarexha dhe mjeteve te tjera detare në periferinë e portit,  nga amortizimi i tyre i plotë. APD ka nisur aksionin e lirimit të krejt hapësirave të saj detare.

HISTORIA E MBYTJEVE

E fundit që është mbytur ka qenë një anije me moshë 59 vjeçare, e cila vitin e kaluar ishte e ankoruar në kalatën lindore në Portin e Durrësit, për tu riparuar ndërsa është mbytur  për shkak të stuhisë që ka përfshirë gjirin e Durrësit. Anija  mbi gjysmë shekullore, ka qenë në gjendje të amortizuar teknike për shkak të kohës së gjatë të përdorimit, ajo ishte prodhim gjerman e destinuar për vendosjen e minave në det në kohën e luftës së dytë botërore dhe pas saj mbeti në Portin e Durrësit. Informacione nga Prokuroria e Durrësit deklaruan se  “anijet janë përmbytur gjatë stuhisë dhe motit të keq; ajo anije  ishte  e dyta që  u mbyt vitin e kaluar për shkak të motit të keq, pas anijes ‘Flob’, e cila doli nga uji në një operacion që  kushtoi mijëra euro”.  Ajo ishte  anija e  dhjetë që përfundoi në basenin ujor, por çuditërisht APD nuk kishte ndërmend për ta nxjerrë jashtë, e për ta rikthyer sërish në gjendje pune. Nxjerrja e këtyre anijeve të mbytura rrit koston për APD njëkohësisht ndikon ekonomikisht në vendosjen në punë të kalatave të Portit të Durrësit për përpunimin e mallrave. Specialistët e APD deklaruan se “kemi dyshime se  mbytja e anijeve të reja bëhet për shkak të konkurrencës dhe pronarët janë të detyruar të nxjerrin prej basenit anijet kundrejt disa mijëra eurove, anijet e mbytura nuk nxirren, po lihen të fundosura në fund të basenit, nga pronarët e tyre, duke bërë që kostoja të rëndojë mbi Autoritetin Portual Durrës, të cilit kjo pjesë e portit i është kthyer në një varrezë masive anijesh të mbytura”.

PORTI DETAR

 APD ka  kontaktuar  me kompani të specializuara duke u kërkuar nxjerrjen e këtyre anijeve të mbytura në basenin ujor. Janë 10 anije  të tilla, të tonazheve dhe përmasave të ndryshme. APD ka kërkuar që heqja të ishte me parametra zero nga ana e portit, por ky projekt nuk u realizua, pasi anijet e mbytura në kalatën lindore kanë një kosto prej 900 mijë euro të dalin nga baseni ujor dhe mbytja e çdo anije tjetër e rrit vazhdimisht shifrën e parave. Një pjesë e tyre janë të sekuestruara nga Antikondrabanda, apo edhe struktura të tjera, por  pavarësisht  ato kanë një pronar legjitim, i cili në një ditë mund të kërkojë edhe pronësinë. Pikërisht këtu ka mbetur çështja sepse duhen rregulluar marrëdhëniet me pronarët e tyre. Nxjerrja  e anijeve nga baseni i portit  kërkon veç të tjerash edhe bashkëpunimin e  Prokurorisë e Gjykatave, Autoritetit Portual, Forcave Detare dhe të Kapitanerisë së Përgjithshme të Porteve.

KONTROLLI NË TRAGETE

APD dhe  DMD, nisur nga ankesat e qytetarëve që udhëtojnë si pasagjerë me linjat detare, kanë nisur një kontroll të gjithanshëm në të gjithë tragetet me flamur të huaj, për sa i përket kushteve të akomodimit për të gjithë pasagjerët. Për një kontroll të detajuar do të kërkohet edhe një ekip specialistësh nga Porti i Barit, të cilët janë të specializuar në këtë fushë, dhe objektivi është kontrolli i kushteve të pasagjerëve. APD ka marrë të gjitha masat, duke lajmëruar agjencitë, por duke mos penguar edhe lëvizjet e tyre, duke shtuar masat për sa i përket fluksit të shtuar të pasagjerëve që priten të lëvizin nga pika doganore më e madhe në vend. Drejtuesit e APD,  DMD,  si dhe të Higjienës në Durrës deklaruan se, “masat janë për të gjitha portet e vendit, Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin”. Një vëmendje e madhe do t’u kushtohet kushteve në tragete pas hyrjes në linja detare të kompanive të reja me objektiv të veçantë akomodimi i pasagjerëve në këto mjete lundrimi. Një traget i ri me kapacitet 1800 pasagjerë dhe 600 kamionë kanë hyrë në linjën e Durrësit, ndërsa disa sipërmarrës vendas janë duke bërë tratativa për të sjellë 2 tragete të rinj, për të përballuar fluksin në të dy krahët e Adriatikut. Nga Porti i Durrësit lëvizin rreth 1 milion pasagjerë në vit, dhe një prej problemeve të ngritura nga pasagjerët janë kushtet e higjienës në tragetet me flamur të huaj.