Anija shqiptare e marrë peng, arrestohet egjiptiani

66
Autoritetet egjiptiane njoftojnë se kanë arrestuar shtetasin Adel Salam, i akuzuar nga policia shqiptare si autori i rrëmbimit të anijes “Çelepia 2” me në bord dy marinarë shqiptarë. Salam është prangosur në Aleksandri, ndërsa në lidhje me fatin e dy marinarëve shqiptarë nuk dihet ende asgjë. Anija e peshkimit “Çelepia 2” është zhdukur që prej 21 qershorit dhe egjiptiani Adel Salam mori përsipër pengmarrjen. Ai kërkoi 70 mijë euro në këmbim për të liruar anijen dhe dy marinarët e saj shqiptarë. 30-vjeçari egjiptian, marinar në anijen e peshkimit “Çelepia 2” i ka telefonuar një bashkëkombasi të tij, i cili punon në Portin e Durrësit duke i thënë se motopeshkatorja ndodhet në afërsi të portit të Aleksandrisë në Egjipt. Ai kërkoi 70 mijë euro, në të kundërt ai kërcënoi se do të fundosë anijen së bashku me 2 marinarët shqiptarë. Në bordin e “Çelepia 2” në momentin e marrjes peng ndodheshin motorist Luan Mema dhe kapiteni Dhimitër Malja. Ka qenë vetë pronari i peshkarexhës Murat Çelepia ai i cili ka njoftuar kapitenerinë dhe policinë se kishte humbur çdo kontakt me ekuipazhin.