Andrea Petromilo/ Zëri i medias në humbëtirën e kohës

550
Në vijimin e pafund të periudhës së tranzicionit, kur ende s’po shijohet “aroma”, që duhej të sillte demokracia e shumë ëndërruar sipas protagonistëve dhe projektuesve të saj në kushtet aktuale të vendit (teoria famëkeqe e nisjes nga Zero!), problemet dhe shqetësimet në jetën e përditshme të popullit, jo vetëm që shtohen, por ato bëhen aq stresante sa që mos gjetja e rrugëve për zgjidhje, në jo pak raste, ka çuar tek ata që nuk kanë mundur ta përballojnë trysninë deri në akte të pabesueshme(!) Gjithashtu është fakt që një masë dërrmuese e popullit e për më tepër, e atyre që dhanë votën qeverisë që po na drejton, e kanë humbur besimin e plotë për të ardhmen. Sigurisht, që të dalësh nga një gjendje kaotike, që përjetonte vendi ynë, pas një drejtimi shumëvjeçar të së djathtës, nuk ishte e as nuk është e lehtë. Në këto raste, domosdoshmërisht duhen ndërmarrë një sërë reformash. Por, a mund të pretendosh të kryesh reforma pa një plan strategjik?! E ky plan strategjik sigurisht që është hartuar nga kupola drejtuese, dhe patjetër që janë hartuar dhe plane masash për realizimin e tyre. (Profanizëm mund të mendoj dikush!) Atëherë…? Gjetkë rreh çekani. Problemi qëndron, nëse kjo strategji, këto plane masash janë “shkreptimë rrufeje”? A kanë parashikuar se ku do kalojë “tranxha” që do “pres” ato pjesë të tepërta për të krijuar “formën” e duhur? A do qëllohet në shenjë për të plotësuar nevojat e popullit e për të ngritur mirëqenien e tij? A do mundet të ndërpritet rrjedha e “lumit” të popullit, e në veçanti të të rinjve, drejt emigracionit? A do mundet gradualisht të ndihmojë për të ecur me ritme të shpejta ato degë të ekonomisë, që nuk kërkojnë investime marramendëse, vetëm e vetëm që të punësojë sa të mundet rininë e familjarët, që kanë kërkesa imediate? Apo duhet të shkatërrojë sa më shumë, pa një kriter të studiuar mirë, e të godas e ta nxjerr “n’okaut” individin, që me punë të ndershme përpiqet të mbijetojë? E për të gjitha këto, e shumë e shumë të tjera, duhet ndjekur udha në të cilën është piketuar më parë traseja, e duke iu shmangur sa të mundet anë gjolit, ku mund të të mashtrojë valtua, që në çdo hap të mëtejshëm që hedh zhytesh e nuk kthehesh dot ose vështirësohet mundësia e kthimit. I vetmi udhërrëfyes i pagabueshëm në momentin që nis zbatimi i tyre (i masave!) konkret. Nëse ecën dhe a do ecin sipas asaj që ishte hedhur në letër? Është zëri i masës, zëri i atyre që hedhin votën me besimin për të siguruar një të ardhme më të mirë. Dhe zëri i saj, veç të tjerash, bëhet përmes medias, qoftë asaj të shkruar, ashtu dhe asaj televizive, radiofonike apo elektronike. Por sa është ndjerë ky zë? Në të njëzetë e pesë vitet zëri i medias ka rënë në humbëtirën e shtjellave ciklopike, që kjo kohë i krijoi e që nuk kanë reshtur pa u ngritur. Shtypi nuk është vetëm për sensacion (diçka anakronike kjo!). Por ka një rol tjetër, të informimit të popullit me problemet dhe shqetësimet që ndeshen dhe njëkohësisht vënies në dijeni të organeve drejtuese të tij (qeverisë dhe pushtetit lokal!) për tu bërë analizën dhe për të marrë masat përkatëse për të përmirësuar gjendjen. Dikur…dikur…në ato vite të hershme, kur informacioni tejçohej, nga një kullë në tjetrën, nga një fshat në tjetrin, nga një krahinë në tjetrën, përmes jehonës së zërit, majë më majë, çuditërisht mesazhet mbërrinin deri në vatrat më të largëta, madje dhe për bëmat më të mëdha që i përkisnin kombit, qeverisja vendore e ngrinte popullin në këmbë! Po t’i referohemi gjithashtu periudhës së “diktaturës,” zëri i medies përcillej me kaq efektivitet. Në çdo institucion drejtues, që nga ministritë e deri në komitetet ekzekutive, kishte zëdhënësit e medias, që analizonin informacionin dhe informonin zyrat përkatëse për problemet e shqetësimet që ngriheshin, duke i vënë në lëvizje ato për tu dhënë zgjidhje kur, siç i thonë fjalës, hekuri ishte ende i nxehtë, madje nuk mjaftoheshin me kaq, por ngriheshin dhe ekipe për të verifikuar gjendjen faktike në terren. Po sot? Zyrtarët e shtypit nëpër institucione që nga kryeministria, ministritë, presidiumi i kuvendit popullor, e deri tek bashkitë e prefekturat, ose nuk dinë ta kryejnë mirë detyrën, pra, janë të paaftë ose “hiqen zvarrë” për të mos ia prishur shefit, ose kanë gjetur qoshen ku “bie rrezja e ngrohtë e diellit” e shullëhen gjithë ditën. Kemi dëgjuar e dëgjojmë nëpër ekranet televizive arritje, shifra e “fakte”, që po të mjaftohesh me kaq, (t’i besosh!) pa hedhur sytë se ç’bëhet atje ku jetojnë e punojnë njerëzit, të gëzon zemra. Po kështu, për arritje të kënaqshme në sferën ekonomike lexohet dhe në median e shkruar. Por nëse operojmë me kujdes, a duhet të ndjehemi të qetë? Si mundesh të jetosh i qetë në Vlorë, e cila noton mbi ujë, dhe ende buljerat mbretërojnë mbi tarracat e pallateve, e kur nëpër tubacione rrjedh bashkë me lëngun jetëdhënës dhe ndryshku? (uji ndërpritet pasi vjen me orar!) A i është bërë ndonjëherë i ditur popullit problemi i mosfurnizimit të vazhdueshëm (24 orë – ëndërr!) A do të kushtojë ky investim më tepër se sa një apo dy vila të një qeveritari, deputeti, apo bashkiaku, që i ka vënë lekët në mënyrë jo të ndershme! Ndoshta janë ngritur dhe herë të tjera këto probleme, por a janë dëgjuar dhe a është reflektuar? Nëse bëhet një sondazh nëpër administratat e institucioneve shtetërore në Vlorë, nuk është rastësi nëse themi se shtypi i përditshëm është “i huaj” për ato, pra, as nuk lexohet e as nuk njihet, madje edhe nëse në ndonjë prej gazetave të jenë kritikuar apo të jetë ngritur problem që u takon atyre. E si mund ta dëgjosh atëherë zërin e popullit? Si mundet të tërhiqet veshi prej shefit, (apo vet shefit!) atij që nuk e kryen mirë detyrën? Ditë me radhë shkojmë në qendrën shëndetësore të qytetit për tu pajisur me kartën shëndetësore. Njerëz që presin nuk i përkasin vetëm qytetit por dhe rrethinave. Vetëm një sportel me një nëpunëse kryen shërbimin. Konfuzioni është evident. Vijnë e ikin nevojtarët pa mbaruar punë e askush prej nëpunësve nuk e prish terezinë. I njëjti avaz. Drejtoreshës, nëse e pikas ta gjesh për t’ia qarë hallin, kjo gjendje nuk i bën përshtypje. Mundësi ka për ta përmirësuar situatën, por a i “del koha” për ta vrarë mendjen për të gjetur rrugë për një shërbim më efikas? Po kështu i pazgjidhur mbetet problem i vërtetimit të vjetërsisë së punës për punonjësit e atyre ndërmarrjeve që janë dëmtuar dokumentet. Jo një herë është bërë problem në shtyp, por a është dëgjuar ky zë? A kanë denjuar për të bërë një sqarim të përgjithshëm apo dhe i veçantë sipas specifikës që mund të ketë njëri apo tjetri rast? Aspak! Dyert e gjykatave janë bërë si dyqane të peshkut. Individi, (padrejtësisht!) endet nëpër zyra muaj e muaj të tërë, seancë pas seance, shpenzimet rrjedhin, e shteti, ky fajtor i padiskutueshëm, del “i pa lagur”, i themi ne në Vlorë. Eee, ç’mrekulli bëka “demokracia”! Kush u godit e goditet prej tyre? Ferrën nëpër këmbë e ka populli! Varfëria e skamja e tej skajshme, si erozioni që ha tokën deri në palcë, po jua brenë shpirtin njerëzve, ndërsa në sallën e kuvendit popullor, prej njëzetepesë vjetësh, dëgjon sharje, britma, kërcënime, dëgjon për hajdutë, mashtrues, për korrupsion e vrasës, trafikime (sa neveri!) e të gjitha këto, sikur të jenë një operetë lirike, që të kënaq veshët e të miklon ndjenjat, përsëriten e përsëriten, e çuditërisht askurrkush nuk del se është hajdut, vrasës, i korruptuar, mashtrues. Të gjithë me kollare e të gjithë atje. Si nuk doli dikush që t’i vë me shpatulla pas muri e t’ua nxjerri nga hundët ato pasuri që ia kanë grabitur popullit për kaq e kaq vite. Pale, si një lojë kalamajsh, burgosin dikë, nisin seancat gjyqësore të njëpasnjëshme dhe na dalka një avokat dhe rrëzon “kalanë” e fakteve me një “grusht” dhe, nuk zgjat shumë gjithçka tretet e humbet. Dëgjohet vetëm një slogan “I pafajshëm!”dhe “mallet” e fajeve nuk kthehen, të paktën, në “duna”, por rrafshohen. (Në emër të demokracisë-anarshisë!). Me ardhjen e kryebashkiakut të ri, Vlora duket se gdhihet e ngryset e pastër. I lutemi Zotit të shpëtojmë nga pisllëku dhe përmbytjet këtej e tutje! Kjo do të thotë se administrata ishte, punonjësit po kështu, por me sa duket (duket!), se e kishin vënë jastëkun ( nënkresën!) mirë nën krye! Por, tregojnë, se hajduti kur nuk gjeti për të vjedhur, hoqi kapelën nga koka dhe e futi nën xhaketë. Ende pa u shtruar mirë me asfalt segmenti i rrugës ‘Bashki-Spitali Rajonal’, nuk kishin kaluar as dy javë, asfalti i ri u shqye në disa pika. Përsëri mballoma! Pyesim: Zyra përkatëse e kontrollit të cilësisë, a nuk kishte bërë sondazhe? Apo korrupsionit nuk i priten tentakulat menjëherë?! Sipas një logjike, kur drejtohet mirë, rastet negative duhet të vijnë duke u pakësuar, por, siç thotë proverbi, zogjtë e korbit sa shkojnë e nxihen! Përse ndodh kështu? Një është përgjigja: Kur zëri i medias, i popullit bie e humbet në humbëtirën e kohës, kur drejtësia dhe institucionet përkatëse qeveritare mbrojnë hajdutin, mashtruesin, trafikantin, juristin e korruptuar dhe nuk pyet që populli goditet nga të katër anët, atëherë me të drejtë fjala filozofike se: “nuk bëhet stan me lepuj” është kaq me vend! Që të bësh reforma, duhet të dëgjosh zërin e masës, të popullit, pasi ai provon dhimbjen e majës së thikës. Ai mbetet i varfër dhe skamja në derën e tij troket, kur TI shpërdoron e vjedh pasurinë e tij, sikur ta kesh çifligun tënd!
Sigal