Andrea Petromilo: Paradokset shqiptare me “derra të kënaqur dhe sokratë të vuajtur”

177
Shprehja “Paradokset shqiptare”, prej shumë kohësh është kthyer në një metaforë përçmuese, që endet në hapësirën e këtij vendi, si një lavire e pështirë. Po ta ndjenin vikamën e saj eshtrat e atyre bijve e bijave, që flijuan jetën për këtë tokë, për lirinë e saj, ashtu, baltë kthyer, do ngjisheshin fort, për të mundësuar rikrijimin e vetes si Feniksi, për hir të një dinjiteti. Liria prej shekujsh e shekujsh u end vetëm maleve, edhe pse armiqtë kërkonin të ngjiteshin dhe atje, që t’i rrafshonin majat (dinjitetin dhe lirinë!), por nuk ia arritën. Populli mbijetoi, kombi nuk e humbi identitetin. Edhe pse mes vuajtjesh, mjerimit, varfërisë e skamjes, shqiptari nginjur me shpirtin patriotik, shtrëngoi nofullat, rripin e çoi tek thileja e fundit, por kurrsesi dinjitetin, krenarinë nuk e la të nëpërkëmbej, nuk e shiti, nuk e përdhosi… Historinë e tij legjendë, e përcolli nëpër breza derisa…

Ja, erdhi dhe “demokracia” e “shumëpritura”!
Dhe paradokset tashmë etiketuar “shqiptare”, përlyejnë emrin e këtij kombi, brenda këtij kufiri, e jashtë nëpër botë, mbartur e “prodhuar” prej disa fronmbajtës, që për 25 vjet, gjirizojnë vetëm vese që shtohen përditë, si protozoarët në një pellg më ujë të qelbur…E çuditshme kjo! Ata, që gjoja do përmbysnin të keqen, u bënë prodhuesit industrialë të së keqes më të madhe. Duke iu referuar të dhënave mediatike, përditë dëgjojmë, jo një rast, por me dhjetëra të tilla që droga shëtit nëpër Shqipëri si një hienë e pakapshme, jo vetëm brenda kufijve, por thuajse ka “pushtuar” çdo skaj të globit. (“Hiena” shqiptare helmon botën- prodhuese dhe urë kalimi!). Dikur e panjohur, (qoftë dhe termi drogë nuk konceptohej!) tashmë, siç zbërthehet uraniumi, pafundësisht, ajo përhapet… Ky është një paradoks i pashpjegueshëm, apo që nuk duam ta shpjegojmë? Zëri i mediave informon (çdo ditë!) se kapen e vihen nën pranga kaq e aq persona, aq e kaq kilogram kanabis, heroinë etj… Këta “morrakë”, që lëvrijnë tutje – t’hu, rrallë e tek kapen e “shtypen”, thjesht për të hedhur hi syve këtij populli apo botës…, lojëra e skenarë të përgatitur. Përse e themi këtë? Sepse, nëse do ndjekësh me kujdes ecurinë statistikore, gjithmonë sipas mediave informative, ata, morrakët, janë shtuar, ndërsa duhej, logjikisht, të ndodhte e kundërta, të pakësoheshin, madje, pse jo, të shuheshin dikur…Atëherë? Diku sigurisht është çerdhja! (thuhet- e saktë shkencërisht-nëse humb udhën në një pyll të dendur- po të ndjekësh vargun e milingonave drejt çerdhes së tyre, përcakton menjëherë pikat e horizontit, pasi ke gjetur veriun!) Megjithatë një shprehje e dikurshme thoshte: Qeveria e kap lepurin me qerre.

 Kjo do të thoshte se qeveria bënte punën, e kishte nën kontroll situatën e zhvillimit të vendit dhe s’mund të lëvrije si të donte qejfi në dëm të qetësisë së popullit. E nëse kjo s’na pëlqen, s’na vjen pas oreksit e na i përzien zorrët, duhet ta pranojmë se shprehja nuk ka ndonjë kontekst të gabuar. Le ta quajmë qeverinë e sotme të aftën për të zotëruar situatën në vend. Atëherë pyesim: Si ka mundësi që rastet e kapjes së drogës, të personave “morrakë” apo, siç cilësohen disa prej tyre dhe “kokat drejtuese” në vend që të pakësohen numerikisht, shtohen? Sa e sa raste të tjera nuk njihen e nuk dihen si e ku veprojnë? Veç, sipas logjikës që cituam më lart, një gjë ka shpjegim, se diku këta morrakë nisin shtegtimin. Po ku? Çerdhja e tyre ku është? Atje duhet të nis udha e “qerres qeveri”…për të shkatërruar të keqen. Por, siç dëgjohen fjalë, çerdhet nuk gjurmohen, përkundrazi, ato trajtohen, miklohen, madje mbrohen, për të shtuar morrakët, që helmojnë. çudi, si humben gjurmët…! Të mos fshihemi pas gishtit, por ky arsyetim nuk ka si hidhet poshtë. Nëse struci që të fshihet fut kokën në rërë, trupin e ka përjashta. U “shkatërrua” Lazarati. Mos vallë Shqipëria ka dhjetëra Lazaratë? Një vend i vogël, si ky i yni, kur e do dhe e respekton, popullin tënd, mbrohet lehtë…nuk ndodhesh në një pyll të dendur dhe kë humbur pikat e horizontit. Mund të mësosh, siç thuhej, dhe çfarë ha njeri e tjetri në shtëpinë e vet! (Dikush mund të thotë-hej, na u ktheve tek 1600 –qindëshit!) Aspak. Dhe as e ushqej këtë mendim, përkundrazi e dënoj ashpërsisht, por gjetkë e kisha gjykimin: tek mundësia për të gjetur gjurmët e çerdheve që të goditen një herë e mirë? Edhe nëse duam të forcojmë rrugët e daljes e të hyrjes, kur ka një përkushtim, a nuk mund të realizohet një asfiksi e këtyre morrakëve? Shikoni në çdo qytet, në çdo lagje apo shesh, do shikosh qindra e qindra të rinj, që helmohen me drogë. Ku është e mira e kësaj? Ç’të mirë ka vendi, Shqipëria? Si mundet qeveria të jetë e qetë, kur gjaku i ri ka dalë në ankandin e vdekjes? Si mundet të jetë e qetë, kur një masë e madhe e të rinjve vret shpirtin e nënave, të prindërve? Një rini që mbjell sherrin dhe qetësia nëpër familje ka marrë arratinë?! 
Grabitjet e mëdha në kupolat e larta

Gjithashtu nëpër media dëgjojmë vjedhjen dhe shpërdorimin e pasurisë së popullit, zhvatje, zhgërryerje, spekulime, mashtrime… E çuditshme… Dhe të gjitha këto përditë. Dhe të gjitha këto nga kupolat e “mëdha” qeveritare, në qendër, deri tek kupolat e “vogla” nëpër rrethe… Të gjithë karrikasit, kolltukombajtësit! E si mund të ndjejë ky vend zhvillim? Borxhe, borxhe… për të ndërtuar një rrugë, për të ndërtuar një spital… ç’paradoks (!), që nuk duan ta shpjegojnë, por që ka një shpjegim. Kur kupola mbron veten duke përbuzur bazën, popullin, s’ka si të mos lulëzojnë paradokset. Thjesht: Qeveritarë, boll vjedhjen! Ju, që akuzuat “diktatorin” se kishte vjedhur një pako kafe dhe ju e dënuat, (shpëtuam nga thonjtë e komunizmit!) tashmë, prej më se 25 vitesh, mbetët duke zhvatur gjithë kurmin e Shqipërisë, nën tokën, mbi tokën dhe shpirtin e njerëzve të thjeshtë. Përditë, me mënyra të sofistikuara e jo të sofistikuara (abrashë!) vidhet një pasuri e tërë. Ç’po bëhet? Ligjëron ende e djathta e djeshme (turp!), që korri e shiu. Ligjëron dhe sot e majta, që po shinë e korr…( Reforma të dhimbshme!) Referencë e bukur. Populli vuan, mijëra njerëz janë në kufirin e skamjes që është ulur këmbëkryq… O, zot, (një pension qesharak, po rroga jote o qeveritar, o deputet sa është? E njihni metodën e krahasimit?!) Çudi, s’paska rrugë për t’ua prerë duart vjedhësve. Drejtësia në duart dhe vulën e mashtruesve – avokatë! ç’paradoks! Një mashtrues avokat shuan e rrokullis një ortek të tërë me gënjeshtra e stisje, e merr para gjithçka. Kthehen dosja, procedura… O rokopulë! Dhe themi drejtësi… Mjaft mashtrimit…! Mjaft, përmes shifrave statistikore të gënjeshtra, mashtrimit…! Hi syve nuk i hidhet popullit, paçka se ende nuk ka gjetur çelësin e daljes nga gjendja latente… Vrasje, përdhunime… Ja dhe një paradoks që tremb e irriton ndjenjat. Si është e mundur? A nuk ka drejtësi? Nëse nuk falen kriminelët, nëse nuk dalin nga burgu me sajime avokatësh, nëse burgu është ashtu, siç edhe ka emërtesën, atëherë e keqja nuk do endet rrugëve ashtu lirshëm… Por paradokset nuk kanë fund… 
Ecja mbrapsht
Nëse ekonomia shkon përfund, çmimet rriten, nëse qeveritarët mbushin xhepat e nuk kanë ngopje, populli varfërohet dita ditës…si mund të themi ecje përpara? A nuk i shikon këto ministri i Ekonomisë? Apo përmes shifrave fiktive ligjëron për rritje ekonomike? Mbyllen bizneset se nuk përballojnë taksat e shpenzimet e tjera… hapen të tjera mini-biznese me shpresë sa për të nxjerrë kafshatën e mosmjerimit, por dhe këto jo me jetëgjatësi… Urdhëresa mund të nxjerrë, por ku i bazon këto urdhëresa? Kravatën që e pispillos përditë në mëngjes, le ta zgjidhi paksa gjatë ditës pasi të jetë djersitur; këpucët le t’i grisi se dikur nuk ka lindur me limuzinën pas dere e me badigardë, që kujdesen se mos” humbet” truri i shkencës shqiptare. Dikur ndoshta një ekonomist fshati ka qenë, që hante bukën e misrit në mensën e fshatit ose në një ndërmarrje… Por si mund të harrohen tashmë, për t’u sjellë si aristokrat?… Ku e çojnë vendin këto paradokse? Në ato vite, kur një shqiptar merrte udhën me detyrë jashtë kufijve të vendit as që kontrollohej nëpër pikat kufitare apo në aeroportet e botës… Nderohej e respektohej. Se dinjiteti i tij, i kombit, ishte lart… Kurse sot përdhoset përditë e më shumë dhe flitet sikur ndodh e kundërta… Jo… Predikohet se prodhimi i produkteve bujqësore është në kontroll të plotë. Po si e qysh ndodh kjo? A bëhet kontrolli fitosanitar? A bëhen analiza lidhur me përdorimin e hormoneve? A bëhet kontrolli i vaksinimit të bagëtive? Si është e mundur? Paradoksi gjendet tek moskontrolli dhe raportimi fiktiv. Dhe paradokset vazhdojnë me mjekësinë, sikur çdo gjë në atë sektor mbytet prej humanizmit të tepërt. Por si mundet që tenderat derdhin miliona e miliona dhe gjendja nëpër spitale e ambulance lagjesh është për të dëshiruar? Mjeku të shikon nga duart… Dhe këto sikur nuk njihen prej drejtuesve… Por si të kufizohen këto kur vet ministri zhytet, sipas mediave, në korrupsion? Në vendet e qytetëruara, ku ne ëndërrojmë të shkojmë, kur një skandal del në shesh të mejdanit, paçka sa është vërtetësia e tij, ata japin dorëheqjen. Kurse, për çudi, tek ne kapen, si i thonë fjalës , jo një herë, por shumë herë me presh në duar dhe vetëm buzëqeshin… Në kuvendin e “burrave” shahen e grihen si gratë e liga, sikur të mos ketë halle Shqipëria (ata s’kanë!),sikur papunësia arrin shifra rekord, sikur rinia merr rrugët e mërgimit për qejf… Eh, paradokset shqiptare!