Analiza vjetore e Kontrollit të Lartë të Shtetit, janë shpërdoruar 80 milion euro.

503
Sigal

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zhvilluar analizën vjetore për vitin 2014 në qytetin bregdetar të Vlorës. Kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, ditën e djeshme ka deklaruar se gjatë vitit 2014 janë konstatuar 80 milion Euro dëm ndaj shtetit shqiptar. Në fjalën e tij përshëndetëse në analizë, kryetari i KLSH-së Leskaj, ka vlerësuar punën e institucionit për vitin 2014, si në arritjet ashtu dhe në performancën e krijuar në raport me institucionet e tjera, publikun dhe mediat. Viti 2014 mund te konsiderohet viti i vazhdimësisë, i  konsolidimit të reformës institucionale në funksion të përmbushjes së objektivit kushtetues dhe ligjor të sigurimit të një llogaridhënie publike. E gjithë veprimtaria audituese e Kontrollit të Lartë të Shtetit, reflekton me së miri dhe është produkt i ndryshimeve të thella rrënjësore në drejtim të implementimit të kërkesave dhe standardeve ndërkombëtare gjatë ushtrimit të veprimtarisë audituese. Për vitin 2014 nga 159 kontrolle auditimi të planifikuara në fakt ka përgatitur material dhe ka ushtruar auditime për 192 të tilla. Nga këto, 19 auditime janë të mbajtura nga viti 2013, nga të cila 160 auditime kanë përfunduar. Në auditimet e ushtruara gjatë vitit 2014 janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare të të ardhurave dhe shpenzimeve të kryera në shumën totale prej 11.2 miliard lekë. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancen e subjekteve te audituara ne shumën e përgjithshme 13.3 miliard lekë. Në totalin e 160 auditimeve, shumica prej tyre janë kryer në institucionet e qeverisjes vendore, 63 të tilla në ministri, 41 në drejtoritë e tatim taksave, 23 në institucione të tjera. Dëmi i zbuluar sipas fushave: në tatim taksa 279 milion lekë, në shitjet e pasurive shtetërore 2.2 miliard lekë, në dogana 940 milion lekë, në fushën e pagave 75 milion, shpenzime operative 185 milion, në urbanistikë 39 milion, në Albpetrol 5.2 miliard lekë, të shpërblimeve 12 milion. Duke krahasuar dëmin e zbuluar në periudhën tre vjeçare 2012-2014 me periudhën 4 vjeçare të mëparshme, ai është gati dy herë më shumë, ndërkohë që po kaq janë rritur dhe kallëzimet për personat dhe institucionet përgjegjëse. Në analizë ka folur edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, Prof. Dr. Jorgji Bollano, i cili ka prezantuar “kontrolli i cilësisë në të ftohtë”. Po ashtu i pranishëm në aktivitet ishte edhe Sazan Guri, nga institute Gand G Group. Analiza ditën e djeshme ka zhvilluar punimet në dy seanca, ku seanca e dytë ka filluar me analizat në çdo departament të KLSH. Zhvillimi i analizës  u bë në mjediset e universitetit te Vlorës, ku ka ngjallur dhe interesimin e pedagogeve dhe studenteve te këtij universiteti, të cilët kanë ndjekur me interes analizat e kryera ekonomike. Analiza vjetore e KLSH do të zhvillohet në Vlorë edhe ditën e sotme, për të konkluduar me objektivat e këtij institucioni të rëndësishëm për vitin 2015. Risia e analizës së vitit 2014 ka qenë fakti se ajo ka qenë e projektuar si një instrument vetëvlerësimi dhe vet diagnostifikimi për Institucionet Supreme të Auditimit. Analiza është zhvilluar në sallën “Rilindja”të Universitetit Publik të Vlorës “Ismail Qemali”, ku përveç stafit të KLSH, kanë qenë edhe shumë të ftuar të tjerë për të ndjekur punimet e analizës. Në vigjilje të zhvillimit të analizës, kryetari i KLSH, i shoqëruar nga një grup historianësh e profesorësh të qytetit, ka shkuar në muzeun historik të Pavarësisë në Vlorë, ku i ka dhuruar këtij muzeu një bocetë të shtatores së Ismail Qemalit, punuar nga skulptori i popullit, Muntaz Dhrami.

Ergys Alushi