Analiza e punës së policisë së shtetit, replika mes Kryeprokurorit dhe Ministrit të Brendshëm

611
Policia e Shtetit bëri këtë të mërkurë bilancin e punës së saj përgjatë vitit që kaloi.
Por më shumë se pasqyrimi i shifrave dhe arritjeve ky aktivitet shërbeu edhe si një arenë replikash mes dy krerëve të rëndësishme të drejtësisë dhe rendit, Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri.
Duke vënë në dukje disa ngjarje të rënda të ndodhura kohët e fundit Kryeprokurori ngriti si shqetësim vonesat në veprimet e policisë.
Llalla: Kemi ende raste të rënda që kërkojnë impenjimin tonë të përbashkët për t’i zbardhur. Kanë ndodhur disa ngjarje të rënda kriminale, të cilat shtojnë pasigurinë në opinionin publik dhe është shumë e rëndësishme që të hetohen nëmënyrë të shpejtë. Kjo është e nevojshme për të dëshmuar se institucionet janë të vendosur për zbatimin e ligjit. Grupet kriminale kanë aftësinë që të penetrojnë edhe në zyrat e shtetit.Nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Por ne kemi detyrën të zbulojmë rastet kur elementët kriminale gjejnë mbështetjen e personave me pushtet.
Kreu i akuzës u ndal edhe te lëvizjet e shpeshta të oficerëve të policisë gjyqësore dhe si dhe problematikat me ekspertimet e Policisë Shkencore, të cilat kanë ulur ritmet e hetimeve.
Por i menjehereshem ka qene edhe reagimi i ministrit të Brendshëm, i cili i quajti të paargumetuara vonesat e Prokurorisë në hetimin e ngjarjeve të rënda si vrasja e deputetit Fatmir Xhindi apo 21 janari.
Tahiri: I nderuar Prokuror i Përgjithshëm ka shumë gjëra që mund të bëjmë më mirë nga trajnimi më i mire. Nga delegimi i çështjeve për të mos pasur delegim preferencial nga prokurorët kur disa çështje delegohen edhe disa të tjera jo edhe deri te hetimi, siç e thatë dhe ju i çështjeve të rëndësishme, ngjarje kriminale të cilat kanë ngecur. Ka ngjarje që kanë ndodhur tani afër, ka ngjarje që kanë ndodhur pak më larg por duke filluar nga 21 janari dhe vrasja e katër protestuesve në bulevard, te vrasja e deputetit dhe të shumë ngjarjeve të tjera deri te korrupsioni
Me tej Tahiri ka përsëritur akuzat ndaj sistemit të drejtësisë përfshirë edhe gjykatën kushtetuese vendimet e të cilave kanë ndikuar edhe në sigurinë në vend.
Në analizë foli edhe kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, i cili tha se policia shpeshherë është vënë në fokus të sulmeve nga ana e opozitës por ato kanë si qëllim destabilitetin.
Sigal