Anadollizmi i Albtelekom, degradon estetikën e kryeqytetit

501
Sigal

Kioskëzimi i centraleve, rrjetat “merimangë” të kabllove telefonike, shqetësim për qytetarët

Monopolizimi, papërgjegjshmëria e enteve rregullatore, mungesa e shtetit, “i japin të drejtë” Albtelekomit të marrë nëpër këmbë konsumatorin shqiptar. Edhe pse kjo kompani i ka të gjitha kapacitetet për të dhënë një shërbim në standardet e duhura, konsumatori nuk gjen dot zgjidhje për problematikat që has gjatë rrugës së bashkëpunimit me Albtelekom. Indiferenca e shtetit në mbrojtje të qytetarit të tij, për shkak të lidhjeve që Albtelekom ka me qarqe të larta të politikës shqiptare, bën që kjo kompani të mbushë e qetë “thasët” me para dhe t’i eksportojë te kompania mëmë. Paratë e vjedhura konsumatorit shqiptar pa  nga Albtelekom Shërbimi, cilësia e rrjetit, kontratat e njëanshme, por edhe degradimi estetik i qyteteve tona nga fenomeni “kioskëzim” i centraleve të vegjël të Telekom apo rrjetat merimangë të kabllove telefonike janë disa nga problematikat që shqetësojnë konsumatorin shqiptar.

Kioskëzimi i centraleve të Albtelekom

Fenomeni “kioskëzim” ende vazhdon me centralet e vegjël të Albtelekom, të cilat gjenden kudo, në rrugë, në trotuar, në qendra shëndetësore, në qendra banimi, kudo. Kioskëzat e Albtelekomit përveçse pengojnë kalimin, por shëmtojnë edhe pamjen e qyteteve tona, sidomos në kryeqytetin tonë Tiranë. Nuk dihet nëse janë me leje, por, edhe në janë, është njësoj sikur një pallat shumëkatësh ndërtohet me leje në mes të rrugës. Jemi vendi që kemi vuajtur më shumë nga kioskat, ndaj fenomeni i rishfaqur prej Albtelekom, meriton të shihet me sy kritik nga institucionet përkatëse.

Rrjeti “merimangë”

Albtelekom nuk ka kryer asnjë investim për kabllot telefonike si qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit telefonik apo shërbimit të pajisjes së qytetarëve me sinjal interneti. Në vend që të kalojnë nën tokë, telat e shërbimit telefonik fiks, janë lënë në ambient të hapur, të varur nëpër shtylla apo në forma të tjera. Kushtet teknike të përcjelljes së sinjalit telefonik, nuk përputhen aspak me tarifat e vendosura nga kompania për qytetarët.  Por, gjendja e infrastrukturës teknike, nëpërmjet të cilës përçohen dy shërbimet që ofron Albtelekom bie në kundërshtim me Ligjin Nr. 9918, dt. 19.5.2008 për Komunikimet elektronike. I cili përcakton, se ofruesi i shërbimit të komunikimeve publike, duhet të sigurojë infrastrukturën eficente në komunikimet elektronike për të garantuar shërbimet e duhura dhe të përshtatshme në një territor të caktuar. Ndërkaq, nga ana tjetër, rrjeti i komunikimeve elektronike, jo vetëm që është lënë në mëshirë të fatit, por deri më tani  nuk është marrë asnjë masë ndërhyrje në përmirësimin e rrjetit ekzistues. Sipas qytetarëve, sistemi i transmetimit të rrjetit të telekomunikacionit është teje i amortizuar, dhe kjo shpesh herë është bërë shkak në uljen e cilësisë së shërbimit.

Kontrata e njëanshme

Kryesisht, në ditët e sotme telefonia fikse përdoret gjerësisht nga biznesi, për shkak edhe të natyrës së punës që ata kanë. Gjithmonë janë në pritje të ndonjë faksi, të ndonjë telefonate apo e-maili të bashkëpunëtorëve të tyre në biznes. Ndodh shpeshherë që shërbimi që Albtelekom ofron, nuk është në nivelin e duhur dhe ka ankesa nga përdoruesit për ndërprerje të sinjalit për më shumë se 24 orë, apo shërbimi është me të meta, në rastin e ndërprerjes së vazhdueshme të sinjalit. Por këto probleme i sjellin humbje prej milionash biznesit, për shkak të mosardhjes në momentin e duhur të një faksi, telefonate apo të një e-maili. Gjithashtu një pjesë e mirë e konsumatorit shqiptar, mosha e tretë kryesisht mbajnë veshin te telefoni për të folur me fëmijët të cilët ndodhen jashtë shteti dhe mosardhja e kësaj telefonate i shkakton stres duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Konsumatorit shqiptar sipas Ligjit të Konsumatorit, neni 41 i lind e drejta e dëmshpërblimit  “a) në rastet e ndërprerjeve teknike, pa shkaqe madhore, si dhe kur janë lajmëruar më parë dhe kanë penguar konsumatorin nga përdorimi i këtyre shërbimeve për një periudhë më të gjatë se 24 orë, b) kur shërbimi i ofruar është me të meta dhe i ka sjellë dëme konsumatorit”. Por asnjëherë ky ligj nuk është zbatuar, me gjithë dëmet që një konsumator mund të ketë pësuar. Ndërsa nga ana e saj, Albtelekom e vjel taksën e shërbimit prej 6300 lekësh me gjithë TVSH, me apo pa sinjal telefonik. Me zhvillimin e sotëm, ka ardhur momenti që konsumatori të mbrohet nëpërmjet kontratës të dyanshme.

Probleme e vazhdueshme të rrjetit

– cilësi e dobët

– mos zbatim të kontratës

– kontrata të njëanshme

– mungese të pritjes dhe të zgjidhjes së problemeve

– mungese korrektësie në zbatim të parametrave

– mungesë të transparencës