Amnistia e fundvitit për 4 mijë persona, zbardhet procedura dhe afati. 1-2 vite ulje dënimi për burrat e gratë

487
Sigal

Rreth 4 mijë persona pritet të përfitojnë nga amnistia në burgje që do të miratohet në qeveri dhe Kuvend brenda dhjetorit. 1 mijë të dënuarit pritet të lënë qelitë dhe 3 mijë të tjerë do të kenë ulje dënimi deri në 2 vite në varësi të kategorive që parashikon projektligji. Amnistia pritet të miratohet gjatë kësaj jave në mbledhje qeverie dhe më pas do t’i kalojë parlamentit për t’u shqyrtuar fillimisht në komisionin e Ligjeve ku mund të pësojë edhe ndryshime në kategorizimin e atyre të dënuarve që përfitojnë nga amnistia.

Pasi komisioni i Ligjeve të japë “ok”, ahere pr/ligji shtrohet për votim në seancë plenare dhe miratohet me shumicë të thjeshtë. Më pas, amnistia i kalon presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe publikohet në Fletoren Zyrtare. Projektligji hyn në fuqi 15 ditë pas këtij akti të fundit dhe parashikohet që në mes të janarit institucionet e vuajtjes së dënimit të nisin përllogaritjet personale për çdo të dënuar. Gjithsesi, zbatimi i ligjit të amnistisë pritet të përmbyllet brenda muajit janar 2017.

LIGJI I QEVERISE 
Në projektin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, janë përcaktuar një sërë kriteresh ligjore për personat që përfitojnë nga amnistia si dhe për ata persona që nuk do të jenë përfitues. Kështu, në nenin 3 të këtij projektligji është përcaktuar kategoria e të dënuarve që përfitojnë nga amnistia. Ndërsa, personat që do të kenë zbritje dy vjet nga dënimi i dhënë janë gratë dhe të miturit, dhe një vit të dënuarit meshkuj. Personat që përfitojnë nga amnistia janë të dënuarit me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 31 dhjetor 2016, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

Janë ata persona të cilëve deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet. Përfituese do të jenë edhe femrat që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, ndërsa meshkujt e dënuar që do të përfitojnë nga amnistia janë ata të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

Gjithashtu, personat që do të amnistohen do të jenë edhe ata persona të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale të rënda si, “Vrasja me dashje”, “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, ku futen pikat: a) ndaj të miturit; b) ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura; c) ndaj deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, policit, ushtarakut, funksionarëve të tjerë publikë, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura. Gjithashtu, “Vrasja e foshnjës”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë, me kërcënim ose me përdorimin e armës”, “Vjedhjet”, “Organizata terroriste”, “Organizata kriminale” etj. Ndërkaq, amnisti do të ketë edhe për të dënuarit me dëmtime të përhershme fizike apo të diagnostikuar me sëmundje të rënda të pashërueshme.