Amnistia, 900 të burgosur lanë qelitë, Manjani inspektim në burgun e Fierit

511
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, e ka ndjekur nga burgu i Fierit fuqizimin e amnistisë për lirimin e të burgosurve. Manjani ka shpjeguar se reformat ku përfshihet dhe ajo në drejtësi kanë të bëjnë me konceptin e edukimit të qytetarëve të denjë. Ndërkohë numri një i drejtësisë vlerësoi se është e rëndësishme që reforma në drejtësi të jetë konsensuale.
Manjani: Liri të mbarë dhe mirë u takofshim si qytetarë të lirë.
Ministri i Drejtësisë,Ylli Manjani, ka uruar të 220 të dënuarit në burgun e sigurisë së lartë në Fier, për lirinë e përfituar nga amnistia.
Pasi ka shtrënguar duart me të sapoliruarit, Ministri Manjani shpjegoi se reforma në drejtësi ka të bëjë me konceptin e edukimit të qytetarëve të denjë të shtetit shqiptarë.
Manjani:Çështja është se si do ta bëjmë shtetin efektiv që ti përgjigjet nevojës edhe për të izoluar krimin nga shoqëria, shqiptare por edhe për ta bërë ndëshkimin penal efektiv.Nuk është qëllimi të mbushim burgjet, qëllimi është që të edukojmë qytetarë të denjë të republikës. Me Komisionin e Venecias do të takohemi jashtë burgut.
I shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Manjani ka vizituar edhe bibliotekën e burgut ku i ka tërhequr vëmendjen libri “Qyteti i Ministrave”, ndër më të lexuarit nga të burgosurit.
Manjani: “Qyteti i Ministrave”, kjo qenka e bukur shumë. Luftë kundër korrupsionit, ju kam thënë.
Pas daljes nga salla me të burgosurit, Ministri i Drejtësisë ka pohuar sërish se konsensusi është kryefjala e reformës në drejtësi.
Manjani: Duhet të jemi efiçentë në çdo gjë që bëjmë, edhe në administrimin e burgjeve por dhe në administrimin e reformës. Nuk ka reformë që të jetë e suksesshme nëse nuk bëhet e konsultuar, e pjekur, e matur dhe në shërbim të qytetarëve të vendit. Ka opinione që tentojnë të përmirësojnë punën e deritanishme të ekspertëve.
Nga hyrja në fuqi e amnistisë, përfituan 900 të burgosur në të gjithë vendin, ku 23 ishin gra dhe 8 persona të mitur.
Sigal