Ambasadorja Vlahutin në Dibër : Do punojmë për t’iu krijuar ambient të favorshëm fëmijëve

567
Sigal

Sot, në
ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, ambasadorja e BE-së,
përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, se bashku me Drejtorin
Kombëtar të World Vision iu premtuan fëmijëve në Dibër se do i ndihmojnë për
t’iu ndryshuar jetën.

Ambasadorja Romana Vlahutin, Brian J. Williams dhe Toni
Gogu dëgjuan disa nga problemet që fëmijët mes moshës 10 deri në 18 vjeç
përballen çdo ditë në një nga zonat më të varfra të Shqipërisë. Fëmijët thanë
se ngacmimet, puna e fëmijëve dhe martesat e hershme janë të zakonshme në
shoqërinë e tyre. Ata gjithashtu theksuan diskriminimin dhe dhunën ndaj vajzave
si një problem të veçantë.

Përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara, Brian Williams tha
se vuri re një ndjenjë të madhe guximi nga të rinjtë. Ai e përshkroi
prezantimin si mbresëlënës dhe frymëzues. Mes të tjerash theksoi: “Kjo gjë na
kujton se duhet të punojmë së bashku për t’iu dhënë atyre mbështetje.”

Ambasadorja Vlahutin u zotua se BE-ja do të vazhdojë të
punojë për t’iu krijuar një ambient të favorshëm për ndryshim. Në vijim tha se
ndryshimi nuk vjen vetëm nga jashtë, por vjen nga brenda. Ajo u kërkoi fëmijëve
të përpiqen për të ndryshuar, e pastaj të përpiqen sërish, edhe më shumë. Në
veçanti dënoi diskriminimin dhe dhunën ndaj vajzave, gjë për të cilën folën
fëmijët.

World Vision ka punuar me fëmijët në Dibër dhe Drejtori
Kombëtar i organizatës, Toni Gogu premtoi se ata do të vazhdonin të ndihmonin
fëmijët në të gjithë vendin për të gjetur zërin e tyre. Ai tha se vetëm kështu
do të mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndryshimin e shoqërisë. “Ne po
punojmë që sistemi mbrojtës i fëmijëve të funksionojë dhe të ndëshkohen ata që
dhunojnë fëmijët. Shkolla duhet të jetë zemra e komuniteteve! Ne do të
vazhdojmë punën me fuqizimin  e të rinjve si qytetarë aktiv për të sjellë
ndryshimin social dhe sipërmarrje sociale. ” – tha drejtori kombëtar i World
Vision në Shqipëri