Ambasadorja Vlahutin: E vërteta e kërcënimit me jetë dhe kush po i bën rezistencë vettingut

578
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, thyen heshtjen dhe tregon të vërtetën e shtimit të masave të sigurisë përreth saj. Në një intervistë për gazetën kroate “Jutarnji list”, Vlahutin mohon të jetë kërcënuar me jetë, ndonëse nuk e sqaron arsyen pse i është dashur të shtojë sigurinë.

“Në Shqipëri unë ndihem shumë mirë. Titujt e gazetave se kinse më kërcënojnë me vdekje janë ekzagjerim. Megjithatë, duke pasur parasysh qëllimin e qartë të grupeve të caktuara të interesit që përpiqen të na trembin, është dashur të merren disa masa paraprake. Kolegu im, ambasadori amerikan i ka truprojat që nga fillimi i mandatit. Edhe ne të BE-së në këto moment megjithatë duhet të jemi pak më të kujdesshëm”, ka deklaruar Vlahutin.


Për “Jutarnji list” e dërguara e BE-së në Tiranë ka folur edhe për rezistencën që po i bëjnë vettingut një grup i vogël njerëzish. Sipas saj, është pikërisht procesi i vettingut ai që ka prekur interesat e një grupi të vogël njerëzish që po bëjnë rezistencë.Vlahutin ka komentuar edhe faktin që kryeprokurorit Adriatik Llalla i është hequr viza për në SHBA.

“Vettingu natyrisht është një kërcënim i madh për grupet e interesit, të cilat kanë kontrolluar pjesë të mëdha të gjyqësorit, aksionet janë të mëdha, prandaj për këtë arsye edhe rezistenca e tyre është e ashpër. Flasim për gjyqësorin, në të cilin, për shembull, kryeprokuror i shtetit është ende personi të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia hoqën vizën për të hyrë atje, si dhe rrethi më i afërt i bashkëpunëtorëve të tij. Situata me gjyqësorin ishte e padurueshme dhe Shqipëria nuk kishte tjetër zgjidhje. Te ne ekziston një thënie ‘ilaçi i duhur në plagën e duhur’, dhe kjo është pikërisht ajo që solli reformat e gjyqësorit”, shpjegon ajo.

Ambasadorja e BE-së në Tiranë ka dhënë një shpjegim edhe për akuzat në drejtim të saj lidhur me një vilë luksoze të blerë në kryeqytet.
“Kjo është vetëm njëra prej aferave të trilluara, apo siç thuhet sot ‘fake neës’, lajme të rreme. Disa politikanë shqiptarë janë duke bërë gjithçka që diplomatët dhe komunitetin ndërkombëtar t’i përfshijnë në konfliktet e tyre të brendshme dhe t’i përdorin si alibi për gabimet e tyre. Nganjëherë kam përshtypjen se kjo është njëra nga pasojat e diktaturës së tmerrshme të Enver Hoxhës, kur njerëzve ua shpëlanë trurin se si të gjithë të huajt janë armiq dhe se të gjithë kanë qëllime të fshehta. Megjithatë, ndryshe nga grupi relativisht i vogël i njerëzve, por shumë agresivë, të cilët janë të lidhur me grupet e interesave politike dhe kriminale, populli shqiptar është jashtëzakonisht mikpritës, i hapur posaçërisht për mysafirët dhe të huajt. Historia e rezidencës së BE-së ka përkuar pikërisht me ditën e fillimit të krijimit të institucioneve të vettingut, verifikimit dhe bazohet kryesisht në idenë e dikujt se bëhet fjalë për një punë të dyshimtë. I gjithë procesi i identifikimit të pronës dhe negociatave ka përfunduar muaj të tërë para se unë të isha vendosur ambasadore e BE-së”, tha Vlahutin.
Sigal