Ambasadori italian në Berat: “Zgjedhjet e Qershorit duhet të zhvillohen në një klimë të qetë”

606
Sigal

INTERVISTA/ Ambasadori Massimo Galiani: “Parlamenti duhet të miratojë tre ligjet që kërkohen për integrimin në BE”

Ambasadori italian Massimo Gaiani në vizitën e tij në qytetin e Beratit është takuar me drejtuesit e organeve të qeverisjes vendore në këtë qark. Ndalesa e tij e parë ka qenë në bashkinë e qytetit, ku ai është takuar me Kryebashkiakun Fadil Nasufi dhe më pas ka zhvilluar edhe takime me kryetarin e Këshillit të Qarkut dhe Prefektin. Gjatë këtyre takimeve ambasadori Galiani është njohur me kulturën dhe lashtësinë e qytetit muze, pjesë e trashëgimisë kulturore botërore UNESCO-s prej disa vitesh. Ambasadori italian Massimo Galiani i është përgjigjur edhe interesimit të medias në lidhje me situatën politike në Shqipëri dhe Itali. Në lidhje me situatën politike në Shqipëri Galiani është shprehur se, edhe pse janë bërë hapa të mëdha drejt procesit të integrimit europian, ende mbetet shumë për të bërë dhe një pjesë e këtyre angazhimeve është edhe miratimi i 3 ligjeve. Duke shpresuar që zgjedhjet e Qershorit të zhvillohen në një klimë sa më të qetë dhe që parlamenti i ri të fillojë punën për të miratuar këto 3 ligje, ambasadori italian i ka bërë apel të gjitha forcave politike në Shqipëri që të bëjnë maksimumin për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Në lidhje me zhvillimet politike në Itali, ambasadori Galiani është shprehur se, kemi të bëjmë me një situatë të komplikuar, një numër i madh italianësh votuan për lëvizjen e Peppe Grillos dhe ky fakt duhet të merret shumë seriozisht. Edhe pse partitë politike në Itali po punojnë për të formuar qeverinë e re,-ka thënë Galiani-është Presidenti i Republikës ai që vendos në fund.

Cili është komenti juaj në lidhje me situatën politike në Shqipëri? A ka ndikuar në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE miratimi i tre ligjeve?

Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara drejt procesit të integrimit europian që është një proces kompleks e që kërkon shumë angazhim. Mbetet ende shumë për të bërë, siç është miratimi i tre ligjeve. Italia uron që edhe këto hapa të fundit të kryhen dhe mbështetin fuqishëm futjen e Shqipërisë në BE. Unë i bëj apel të gjitha forcave politike në vend që të bëjnë maksimumin e tyre për të marrë statusin.

A do të ndikojnë zgjedhjet e Qershorit në marrjen e statusit të Shqipërisë?

Shpresojmë që zgjedhjet të zhvillohen në një klimë të qetë, që rezultatet e tyre të dalin sa më shpejt dhe Parlamenti i ri të fillojë menjëherë punën dhe të miratojë tre ligjet që ju nevojiten. Koha është e shkurtër dhe ne urojmë që kjo të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Si e komentoni situatën politike në Itali? A ka humbur besimi i italianëve tek partitë e mëdha, kur dihet që aktori komik Peppe Grillo zuri vendin e tretë në këto zgjedhje?

Situata në Itali është e komplikuar, një numër i madh italianësh kanë votuar për lëvizjen e Grillos dhe ky është një fakt që duhet marrë shumë seriozisht. Partitë politike në Itali po punojnë për krijimin e qeverisë së re, por është Presidenti i Republikës ai që do të vendosë.