Ambasadori i OSBE, Borchardt: Duhen intensifikuar ndjekjet penale për trafikantët e qenieve njerëzore

543
Sigal

Ambasadori i OSBE në vendin tonë, Bernd
Borchardt tha se duhen intensifikuar më shumë ndjekjet penale për trafikantët e
qenieve njerëzore. Në konferencën kombëtare kundër trafikimit të personave,
kreu i prezencës së OSBE tha se , lufta kundër trafikimit do të thotë
parandalim, mbrojtje dhe ndjekje penale

“Trafikimi i
qenieve njerëzore përbën shqetësim për të gjitha Shtetet pjesëmarrëse të
OSBE-së, qoftë si kërcënim i sigurisë, qoftë edhe si problem i të drejtave të
njeriut. Në këtë kontekst, Prezenca e OSBE-së, për një kohë shumë të gjatë,
është angazhuar në mbështetje të Qeverisë shqiptare në luftën kundër
trafikimit. Për ne, lufta kundër trafikimit do të thotë parandalim, mbrojtje
dhe ndjekje penale. Kemi parë rezultate inkurajuese, sidomos në aspektin e
parandalimit dhe mbrojtjes, ndërkohë që duhet intensifikuar ndjekja penale e
trafikantëve”, tha ai.

Ambasadori u
ndal edhe te migrimi, si një element që ndikon dhe shton kërcënimin për
trafikim. “Nisur nga migrimi masiv kohët e fundit, sidomos nga zonat në
konflikt, trafikimi pritet të bëhet sërish jo vetëm sfidë edhe më e vështirë,
por kërcënim edhe më i madh. Pothuajse të gjitha vendet e rajonit janë vende
origjine, transiti apo destinacioni, ose kombinim i të triave. Përpjekjet e
Shqipërisë kundër trafikimit janë një shembull inkurajues i adresimit në mënyrë
tërësore të trafikimit të personave. Por, ky fenomen kërkon përafrim të
vazhdueshëm të legjislacionit, politikave dhe masave me angazhimet dhe sfidat
ndërkombëtare, ndërkohë që mbetet për t’u trajtuar identifikimi i viktimave”, e
mbylli fjalën ambasadori.