Ambasada: Hapat dhe procedurat për punësim në Gjermani

6646
Publikohet buletini i muajit shtator 2017 dhe këshillat për qytetarët shqiptarë. Roli i punëdhënësve, dhënia e pëlqimit nga autoritetet dhe takimi në konsullatë. Të gjithë adresat e nevojshme dhe specifika për profesionet e shëndetit dhe infermierisë
Gjermania mbetet ndër vendet kryesore ku shqiptarët kërkojnë të punësohen. Numri i lartë i kërkesave ka detyruar autoritetet gjermane të rifreskojnë dhe publikojnë buletinin që lidhet me rregulloren e punësimit. Kjo rregullore aplikimi për vizë me qëllim punësimi, prek shtetasit nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Ish-Republika Federale Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia). “Telegraf” publikon të plotë rregulloren, së bashku me adresat e nevojshme, që iu vijnë në ndihmë të interesuarve për punësim në Gjermani
Dokumenti i plotë
Aplikim për vizë me qëllim punësimi
Sipas pikës 26, kreu 2, Rregullorja e Punësimit
(Për shtetas nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Ish-Republika Federale Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia.)

Shënim hyrës:
Shtetasve të gjashtë shteteve të lartpërmendura u njihet vetëm në raste shumë të rralla e drejta e mbrojtjes përmes statusit të refugjatëve, duke qenë se vijnë nga “shtetet e origjinës së sigurt”. Kush udhëton në Gjermani dhe parashtron një kërkesë azili dhe vazhdon të qëndrojë derisa kjo kërkesë e tyre për azil të refuzohet, duhet të llogarisë që ndaj tyre do të vendoset një ndalim-hyrjeje në Gjermani dhe në gjithë zonën “Schengen” për një periudhë të gjatë kohore. Megjithatë, nga data 1 janar 2016, për shtetasit e këtyre gjashtë shteteve vlen një rregullore e re për nisjen e një marrëdhënieje punësimi për çdo lloj pune. Për të hyrë në Gjermani me qëllim fillimin e një pune nevojitet një vizë, për të cilën ju duhet të aplikoni në ambasadën gjermane në shtetin tuaj përkatës të origjinës, apo në shtetin e vendbanimit tuaj të zakonshëm. Aplikimi për vizë nuk është i mundur në Gjermani.

Personat, të cilët brenda 24 muajve para aplikimit për vizë, kanë qëndruar në Gjermani si azilkërkues ose si të toleruar (Gedultete) dhe kanë pranuar përfitime mbi bazën e ligjit të përfitimeve për azilkërkuesit, sipas rregullores së re, nuk mund të marrin vizë. Kjo ndalesë nuk vlen për personat, të cilët kanë parashtruar një kërkesë azili mes 1 janarit 2015 dhe 24 tetorit 2015, dhe që më datën 24 tetor kanë qenë ende në Gjermani dhe pastaj janë larguar menjëherë nga Gjermania.

Udhëzime rreth procedurave për vizë
Në mënyrë që kërkesa juaj për vizë të mund të shqyrtohet shpejt, këshillohet që të respektohet procedura në vijim.
Para se të caktoni një takim për aplikim për vizë, ju duhet të keni dokumentacionin në vijim:
– Ofertën me karakter detyrues të vendit të punës apo kontratën tashmë të nënshkruar të punës me një punëdhënës konkret në Gjermani.
– Miratimin paraprak të autoriteteve gjermane përgjegjëse për punësimin.
Hapi i 1-rë: Kërkimi i një vendi pune tek një punëdhënës konkret në Gjermani

Për të udhëtuar në Gjermani duhet të keni një ofertë pune me karakter detyrues nga një punëdhënës në Gjermani dhe një vizë kombëtare. Nëse keni gjetur një punë të përshtatshme, kërkoni prej punëdhënësit ofertën me karakter detyrues të punës, përkatësisht kontratën konkrete të punës. Kjo duhet të përmbajë të dhëna të plota për punëdhënësin dhe punëmarrësin (emrin e plotë të punëmarrësit dhe punëdhënësit përkatësisht të kompanisë, adresën, të dhënat e kontaktit) dhe të marrëdhënies së punës (fillimi i kontratës, lloji i kontratës, paga bruto, orari i punës, koha e pushimeve, shërbimet e veçanta).

Këshillohet të përpilohen së paku tri kopje të njëjta (të nënshkruara nga punëdhënësi i ardhshëm dhe ju personalisht) të ofertës së punës me karakter detyrues, përkatësisht të kontratës së punës.

Hapi i 2-të: Marrja e pëlqimit nga autoritetet gjermane kompetente për punësim

Në mënyrë që të mund t’ju jepet viza, nga autoritetet gjermane kompetente kërkohet miratimi për punësimin. Për punëdhënësin tuaj pikë direkt kontakti është – sipas rastit – ose Zyra Federale e Punës ose Zyra për të Huajt. Se cila nga dy autoritetet është përgjegjëse, varet nga fakti nëse ju keni qëndruar më parë për një kohë të gjatë në Gjermani ( p.sh. si azilkërkues ose i toleruar, për shkollim, studime ose kurs gjuhe, për punësim apo për më shumë se 3 muaj). Prandaj, ju duhet që punëdhënësit tuaj t’i jepni informacione gjithëpërfshirëse rreth qëndrimeve tuaja të mëhershme në Gjermani. Ju lutemi kini parasysh, që këto informacione do të verifikohen gjatë procedurës së mëpasshme për pajisje me vizë, dhe të dhënat e mangëta apo të pasakta mund të çojnë në refuzimin e kërkesës për vizë, apo për së paku në stërzgjatjen e kohës së përpunimit të kërkesës tuaj.

Udhëzim: Për disa profesione të caktuara, në mënyrë të veçantë për profesionet; në sektorin e shëndetit apo infermierisë, në Gjermani do t’ju duhet një leje për ushtrimin e profesionit. 

Informacione mbi këtë gjeni në linkun e mëposhtëm:
http://ec.europa.eu/growth/tools-databases/
regprof/index.cfm?action=regprofs&idcountry=3&quid=1&mode=asc&maxRows=*#top
Nëse do të keni nevojë për një leje të ushtrimit te profesionit, atëherë ju ose punëdhënësi juaj duhet të lidhet paraprakisht me autoritetet përgjegjëse gjermane.
Informacione mbi njohjen e profesionit gjeni në linkun e mëposhtëm:
https://www.anerkennung-in-deutschland.de/html/de/index.php
TABELA
Hapi i 3-të: Procedurat e vizës në ambasadat gjermane
Caktimi i takimit
Sapo të keni marrë miratimin paraprak nga Zyra për të Huajt përkatësisht lejen për punë nga Zyra Federale e Punës, ju mund të rezervoni një takim për të aplikuar për vizë tek ambasada gjermane në vendin tuaj. Ju lutemi kini parasysh, që aplikimi mund të bëhet vetëm në ambasadat përkatëse në vendin e tuaj të origjinës, ose në shtetin e vendbanimit tuaj të zakonshëm.
Takimet mund të rezervohen në linkun e mëposhtëm:
https://service.diplo.de/rktermin/extern/choose_realmList.do?request_locale=de&locationCode=tira
https://service.diplo.de/rktermin/extern/choose_realmList.do?locationCode=tira&request_locale=en
Aplikuesit, që nuk kanë rezervuar paraprakisht një takim, nuk do të pranohen.
Aplikimi për vizë
Ju duhet të paraqiteni personalisht e në kohën e duhur në takimin e caktuar dhe me të gjitha dokumentet në vijim. Ju lutemi kini parasysh, që aplikimi me dokumentacion jo të plotë mund të çojë në refuzimin e kërkesës për vizë, përkatësisht në stërzgjatjen e kohës së përpunimit të kërkesës tuaj.

– Pasaportë e vlefshme udhëtimi dhe dy fotokopje
– Dy formularë aplikimi të plotësuar në tërësi dhe të nënshkruar personalisht nga ju (Formularët e aplikimit mund të merren falas në ambasadën gjermane apo të shkarkohen në faqen e saj të internetit)
– Tre fotografi biometrike, aktuale, të formatit të pasaportës me sfond të në ngjyrë të çelët
– Tarifa e vizës dhe shpenzime të mundshme. Tarifat dhe detyrimet duhet të paguhen kesh në monedhën shqiptare LEK. Tarifa është 75 Euro përllogaritur me kursin aktual të këmbimit.
– Origjinali i ofertës me karakter detyrues të vendit të punës (me të dhëna për pagën, kohën e punës dhe pushimet) ose origjinali i kontratës së punës , dhe dy fotokopje
– Origjinali i miratimit të autoritetit përkatës në Gjermani (Zyrat për të Huajë ose Zyra Federale e Punës)
– Për profesione të veçanta – shih më lart – leja e profesionit
Në rast të paraqitjes së dokumentacionit të plotë dhe të të dhënave të sakta viza jepet përgjithësisht brenda disa ditësh.
Udhëzim: Gjatë procedurës së vizës, konstatimi i të dhënave jo të sakta në lidhje me qëndrimet e mëhershme në Gjermani, mund të çojë në refuzimin e kërkesës tuaj për vizë.
Tërheqja e pasaportës
Në rast të pajisjes me vizë ju do të merrni një vizë kombëtare gjermane me periudhë vlefshmërie prej 6 muajsh, e cila ju jep të drejtë udhëtimi për në Gjermani. Pasi të keni udhëtuar në Gjermani, në vendbanimin tuaj të ri jeni të detyruar të aplikoni një leje-qëndrimi pranë Zyrës përkatëse për të Huajt.
Udhëzime për bashkim familjar
Nëse keni qëllimin të udhëtoni bashkë me familjen tuaj për në Gjermani, për secilin anëtar veç e veç duhet të kërkohet një vizë kombëtare për Gjermani. Udhëtimi pa vizë apo udhëtimi me vizë “Schengen” (shtetasit kosovarë) nuk është i mundur. Dhënia e vizave për anëtarët e familjes suaj mbështetet në rregulloret e përgjithshme për bashkimin familjar, dhe nënkupton që ju vetë të jeni të pajisur më një vizë sipas Rregullores për Punësimin neni 26 pika 2. Më shumë informacione mund të merrni nga fletë-informacionet përkatëse në faqen e internetit të ambasadës gjermane në vendin tuaj të origjinës. Ju lutemi kini parasysh në mënyrë të veçantë rregulloret rreth njohurive të nevojshme të gjuhës gjermane dhe të sigurimit të jetesës (përfshirë hapësirën e banimit dhe sigurimin shëndetësor).

Klauzolë e përjashtimit nga përgjegjësia:
Të gjitha informacionet e mësipërme përcillen pa garancinë se janë të sakta apo të plota. Ato bazohen në stadin informativ të Ambasadës në momentin e hartimit të tyre.
Ambasada amerikane: Çfarë rrezikoni për lindjet e fëmijëve në SHBA
Zyra konsullore e Shteteve të Bashkuara në Tiranë bëri të ditur se aplikantët për një vizë për trajtim mjekësor duhet të paguajnë personalisht për shërbimin që do të marrin. “Këshilla e javës: Nëse aplikoni për një vizë për trajtim mjekësor në Shtetet e Bashkuara (kategoria B1/B2), kini parasysh se ju duhet të paguani për atë trajtim me fondet tuaja personale”, thuhet në njoftimin e zyrës konsullore. Aty sqarohet se “mospagimi i shërbimit mjekësor gjatë vizitës në Amerikë është i parregullt” dhe aplikanti mund të humbasë vizën. Gjithashtu, zyra konsullore nënvizoi se nga momenti i dorëzimit të pasaportës mund të kërkohen rreth 2 javë deri në rimarrjen e saj. “Ne i këshillojmë aplikantët të mos bëjnë plane udhetimi përpara se të tërheqin pasaportën e tyre me vizë”, theksoi ambasada amerikane.

Një numër i caktuar shqiptarësh marrin trajtim shëndetësor në Shtetet e Bashkuara, duke u pajisur me vizë të kategorisë B1/B2. Gjithashtu, në vitet e fundit janë shtuar edhe rastet e lindjeve të fëmijëve në SHBA. 
SHENIM
Për shkak të interesimit të madh të lexuesve, “Telegraf” do të sjellë edhe në numrin e ardhshëm informacione për hapjen e praktikave për aplikim për shqiptarët e interesuar për punësim në Gjermani. Në dy javët e para të tetorit do të pranohen aplikimet për t’u dhënë një mundësi studentëve ose të punësuarve. Materiali i ardhshëm përmbledh të dhënat si mund të aplikohet dhe çfarë kërkohet nga të interesuarit. Në listën e profesioneve që mund të aplikohet renditen financë, matematikë financiare, kontabilitet, bankë dhe sigurime; manaxhim, marketing, shitje, konsultim, ligj tregtar; logjistikë, inxhinieri industrial, manaxhim cilësie; gazetari, shkenca politike, studim i gjuhës gjermane; inxhinieri mekanike, ndërtim avionësh, mekanik; inxhinieri elektrike, telekomunikacion, shkenca kompjuterike; inxhinieri civile, miniera, gjeologji, kartografi, teknologji mjedisi e klime, arkitekturë; inxhinieri kimike, biologji, teknologji ushqimi, proces inxhinierik, si dhe bujqësi. Për detaje të tjera, na ndiqni në numrin e ardhshëm. 
Sigal