Ambasada e SHBA-ve mbështet “deputetët” e rinj

97

Ambasada Amerikane përmes një postimi në Facebook nxit qeverinë dhe opozitën të “përmbahet” gjatë protestës së ditës së shtunë, 16 mars, në orën 11:00 përpara godinës së Kryeministrisë.

Në postim, Ambasada e SHBA-ve shprehet se qeveria dhe deputetët e rinj të Kuvendit, të cilët në kundërshtim me vendimin e partisë së tyre kanë marrë mandatin e deputetit, janë legjitime.

 “Ambasada e Shteteve të Bashkuara i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht. Ne vlerësojmë punën e mirë që është bërë në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ka ende punë për të bërë. Ndërkohë që, ata ish anëtarë të Parlamentit të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre”.

Deklarata e Ambasadës së SHBA-ve vjen një ditë pasi u publikua raporti i Departamentit të Shtetit mbi Shqipërinë, i cili kritikoi ashpër vendin për dështimin në luftën ndaj korrupsionit, vjedhjen e votave, mos dënimin e zyrtarëve të lartë, lirisë së medias, abuzimi i policisë, respektimi i të drejtave të gruas, fëmijëve dhe komunitetit LGBT+ dhe punëtorëve.