Ambasada e SHBA: Mos bini pre e mashtrimeve dhe e pagesave për vizat amerikane. Ja si aplikohet

646
Ambasada: Mos bini pre e mashtrimeve për vizat amerikane

Ambasada amerikane në Tiranë ftoi qytetarët shqiptarë që aplikojnë në mënyrë korrekte për vizë në rast të udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara, duke mos rënë pre e mashtrimeve. Zyra konsullore kërkoi që aplikimi në mënyrë korrekte për vizë të bëhet sipas hapave zyrtare të shpallur në faqen zyrtare të ambasadës. “Tregohuni të sinqertë dhe të saktë gjatë plotësimit të formularit dhe intervistës. Ju lutemi, mbani mend se kushdo që ju thotë të kundërtën, nuk po vepron në interesin tuaj më të mire”, thuhet në njoftimin e zyrës konsullore. Aty u kërkohet shqiptarëve, të cilët dëshirojnë të sigurojnë një vizë, që të mos bien pre e mashtrimeve apo të paguajnë. “Mos bëni biznes me askënd që përpiqet t’ju sigurojë një vizë nëpërmjet mashtrimit. Ju mund të humbni shumë lekë, si dhe mund t’ju ndalohet hyrja përgjithmonë për në SHBA. Le t’i lëmë së bashku pa punë mashtruesit”, nënvizoi ambasada. Selia diplomatike e Uashingtonit sqaroi të interesuarit se viza turistike ka për qëllim një qëndrim për një kohë të shkurtër në SHBA. “Viza turistike nuk është për të jetuar në SHBA dhe as për të punuar atje. Përndryshe, ju mund të gjendeni i papranueshëm sipas ligjit të imigracionit. Në përgjithësi, ju duhet të qëndroni për aq kohë sa ju keni deklaruar në aplikimin tuaj për vizë. Gjithashtu, brenda një viti nuk mund të qëndroni më shumë se gjashtë muaj në total”, iu përgjigj ambasada pyetjeve të qytetarëve. Ajo sqaroi se me vizë turistike është e ndaluar të punoni në SHBA. “Nëse oficeri i imigracionit ngre dyshime që qëllimi juaj i vizitës nuk është turistik, por për punë, juve mund t’ju revokohet viza”, thuhet në deklaratën e ambasadës. Në vazhdimësi, si për çështjen e vizave dhe për plotësimin e aplikimit për Lotarinë Amerikane, ambasada e SHBA ka ftuar qytetarët që ta realizojnë vetë procesin, duke mos pranuar premtimet e atyre që ofrojnë lehtësi, ndihma apo favore. 

Llojet e vizave
Qëllimi i udhëtimit Kategoria e vizës
Sportist, amator ose profesional B-1
Vizitor shkëmbimi J
Vizitor për biznes B-1
Punëtor tranzit CW-1
Pjesëtar ekuipazhi D
Diplomat ose qeveritar i huaj A
Punëtor shtëpie, dado B-1
Punonjës i organizatave ndërkombëtare ose NATO G1-G5, NATO
Personel ushtarak i vendosur në SHBA A-2, NATO1-6
Të huaj me aftësi të jashtëzakonshme në shkencë, art, arsim, biznes ose sport O
Vizitor ndërkombëtar për kulturën Q
Transferim ndërmjet kompanisë L
Trajtim mjekësor B-2
Media, gazetar I
Sportist, artist që performon P
Mjek J, H-1B
Profesor, mësues J
Punëtor fetar R
Specialist në fusha për specializim të lartë H-1B
Student, akademik F, M
Punonjës i përkohshëm bujqësor H-2A
Punonjës i përkohshëm apo sezonal H-2B
Turizëm, pushime B-2
Program trajnimi H-3
Tregtar E
Tranzit C
Viktimë e krimeve U
Viktimë e trafikut njerëzor T
Sigal