Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë dhe KLSH organizuan promovimin e librit: “100 Simbolet Polake”

993
Në datën 3 maj 2018, me rastin e Ditës së Kushtetutës polake të vitit 1791, kushtetuta më e vjetër demokratike e Evropës dhe e dyta në botë, pas asaj amerikane, Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit organizuan promovimin e librit “100 Simbolet polake”. Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë Ambasadori i Republikës së Polonisë në Tiranë, SHTZ Karol Bachura, Ministri i Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Polonisë, znj. Edyta Bielak Jomaa, Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, profesorë, analistë, anëtarë të Shoqatës “Shqipëri-Poloni”, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të medias, drejtues dhe auditues të KLSH-së. Në respekt dhe në nderim të dy shteteve u dëgjuan himnet kombëtare të të dy vendeve. Fjalen e hapjes e mbajti Ambasadori i Republikës së Polonisë në Tiranë, SHTZ Karol Bachura.
Gjatë fjalës së tij zoti Bachura, në emër të qeverisë polake, shprehu vlerësimin e lartë mbi partneritetin e Institucioneve Supreme të Auditimit të Shqipërisë dhe Polonisë dhe bashkëpunimin e tyre të ngushtë në kuadër të implementimit të Projektit të Binjakëzimit, IPA 2013.
“Libri “100 simbolet polake”-vijoi zoti Bachura,” mbart vlera të jashtëzakonshme njohëse të Polonisë, të shpirtit të popullit polak të paepur për liri, të kulturës, artit, traditave, thesareve historike, arkeologjike, ekologjike, ekonomike dhe shkencore të këtij vendi të madh të Evropës dhe botës, mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ai është një udhëtim në kohë mbi vendet më tërheqëse, doket e një kombi, ngjarjet më epike, krijuesit më përfaqësues dhe personazhet që nuk shlyhen kurrë nga kujtesa e tij”. 
Më pas e mori fjalën Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj, i cili u shpreh: “Në këtë ditë të madhe për kombin polak, si KLSH promovojmë librin-album “Simbolet polake: 100 vende, figura, ngjarje, arritje të rëndësishme për Poloninë, Evropën dhe Botën”, i cili tani vjen i përkthyer i plotë edhe në gjuhën shqipe, nga një grup audituesish të KLSH, në dedikim të Presidentit të institucionit suprem të auditimit të Polonisë (NIK), z. Krzysztof Kwiatkowski, të ish-Presidentit dhe sot Këshilltar i Lartë i NIK, z. Jacek Jezierski, si dhe të Zv-Presidentit të NIK, z. Wojciech Kutyla, për ndihmesën e tyre të spikatur në ngritjen e kapaciteteve të audituesve shqiptarë.
Ky libër kontribuon jo vetëm ne njohjen e historisë, traditave dhe vlerave te kombit polak por edhe në forcimin e njohjes dhe miqësisë mes dy popujve tanë.
Është e vështirë t’i sjellësh në një fjalë të gjitha këto ikona të historisë, kulturës, artit dhe ekzistencës së popullit polak, kushtuar 100 simboleve të një kombi të madh”. 
Në përfundim te fjalës se tij zoti Leskaj u shpreh: -Po e mbyll këtë vlerësim modest të këtij Libri-Album të jashtëzakonshëm “100 Simbolet Polake”, me një konsideratë. Rreth 40 simbole të Librit janë shumë të përafërt me simbole të historisë, kulturës, arteve, traditave dhe natyrës së kombit shqiptar. Polakët dhe shqiptarët i bashkojnë sakrificat e panumurta në luftën dhe etjen e tyre të pashuar për liri, jetesë në Familjen e Madhe Evropiane, me dinjitet dhe krenari për origjinën dhe zakonet e tyre. Për krenarinë dhe dijet e brezave të rinj që vijnë, por edhe për të huajtë që na vizitojnë përherë e më shumë, do të ishte me vlerë të kishim edhe ne një Album të ngjashëm me njëqind simbole shqiptare, të shoqëruar me një tekst që i shpjegon kaq thjesht, shkurt dhe bukur ato, sa teksti i Librit-Album polak. Nëse ndërkohë, ndonjë institucion shqiptar nuk do ta ndërmarrë këtë nismë, pasi të largohem nga detyra e Kryetarit të KLSH, mendoj t’ia përkushtoj një pjesë të kohës dhe përpjekjeve të mia përgatitjes së librit-album të 100 Simboleve Shqiptare. Ceremonia vijoi me recitimin e disa poezive të zgjedhura polake të përkthyera në gjuhën shqipe, recituar nga dy figura të shquara të skenës dhe artit shqiptar, nga “Nderi i Kombit”, z. Mirush Kabashi dhe “Mjeshtri i Madh”, z. Bujar Asqeriu. Të dy interpretimet u mirëpritën nga të pranishmit dhe ngjallën emocione.
Këtë ceremoni e përshëndeti dhe analisti dhe shkrimtari z. Preç Zogaj, i cili i bëri një analizë librit, për të cilin u shpreh: “Jam vërtetë i nderuar, e lexova me etje të madhe librin, do t’i kthehem përsëri si të isha duke vizituar majat ku ka kaluar historia e Polonisë, galerinë e personazheve të shquar që ky vend i ka dhënë botës. Duke lexuar librin, pashë se zgjedhja ime për të qenë polak, nëse do të kisha mundësi të zgjidhja një kombësi tjetër nga kjo që kam, përforcohej në një numër të madh gjërash të përbashkëta”.
Me shumë interes u ndoq në fund një performancë e shkëlqyer e Grupit polifonik “Çipini”, anëtarët e të cilit i kishin kushtuar një këngë polifonike popullit polak dhe miqësisë mes dy vendeve. Kënga prekte me mjeshtërinë e polifonisë labe vlerat, virtytet dhe figurat historike të Polonisë.


Sigal