ALUIZNI, rregullat e reja për hipotekimin

611
Familjeve që u është miratuar leja e legalizimit, do t’u jepet certifikata e pronësisë nga hipoteka, brenda 5 ditëve nga momenti i shlyerjes së detyrimeve. Kjo është saktësuar në udhëzimin e përbashkët mes kreut të ALUIZNI-t Artan Lame dhe kreut të hipotekave Ilirjan Muho. Në Udhëzim saktësohet se menjëherë sapo ALUIZNI përfundon shqyrtimin e dosjes përkatëse, ia kalon të dhënat ZRPP-së përkatëse. Më pas regjistruesi e ka detyrim të bëjë regjistrimin e objektit brenda 10 ditëve pune kalendarike. Pas kësaj, thuhet në udhëzim, ALUIZNI do të njoftojë subjektin për faturën që duhet të paguajë. Vetëm pas shlyerjes së detyrimeve do të veprohet me regjistrimin përfundimtar. Si masë paraprake, në udhëzim saktësohet se prona fillimisht do të regjistrohet me shënimin përkatës për detyrimet e subjektit. “Me konfirmimin e kryerjes nga subjekti të pagesës për tarifat e shërbimit, ZVRPP-ja dërgon në rrugë postare certifikatën përkatëse të pronësisë”, thuhet në pikën 11 të udhëzimit të përbashkët. Pavarësisht këtyre afateve, është parashikuar dhe një mundësi e dytë për korigjimin e gabimeve të mundshme. Duhet të jetë ALUIZNI që në momentin e konstatimit të gabimeve të bëjë kërkesën në ZRPP, e më pas brenda 10 ditëve të bëhet dhe ndryshimi në regjistrin e hipotekës. Pas kësaj veprohet me pagesën e faturës dhe marrjen e certifikatës. Rregulli i firmosur mes Lames dhe Muhos do të përfshijë dhe ato dosje të legalizimeve, të cilave u është miratuar leja pas datës 11 janar 2016.
PROCEDURAT E REGJISTRIMIT TË PASURISË SË LEGALIZUAR
1. Drejtoritë e varësisë së ALUIZNI-t, paraqesin kërkesën (aplikimin) për regjistrim të lejes së legalizimit dhe për lëshim të certifikatës së pronësisë, në emër të përfituesit të lejes.
2. Aplikimi për regjistrim bëhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t nëpërmjet formularit “Tip”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi, pa pagesë “aplikim zero”, në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit dixhital (IPS). Në zbatim të kësaj pike, autori zohet aksesi i drejtorive të ALUIZNI-t në këtë sistem, në përputhje me rregullat e sigurisë sipas legjislacionit në fuqi.
3. Aplikimi për regjistrim përmban emrin, mbiemrin, orientimin faktik të vendndodhjes, numrin e telefonit celular dhe ka të përcaktuar si datë aplikimi, atë të plotësimit të tij në sistemin dixhital (IPS).
4. Njëkohësisht, me aplikimin elektronik, drejtoria e ALUIZNI-t përcjell dokumentacionin e përcaktuar në pikën 10 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1095, datë 28.12.2015, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”. Dokumentacionit sipas kësaj pike, i bashkëlidhet dhe një kopje e printuar e formularit “Tip” të aplikimit.
5. Aplikimi kryhet vetëm një herë dhe është i vlefshëm për zënien e afatit të kërkesës për regjistrim, në kuptim të nenit 38, të ligjit nr. 33/2012, datë 21.3.2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Veprimet e mëtejshme për plotësimin e mangësive/pasaktësive të mundshme në dokumentacionin bashkëlidhur “kërkesës për regjistrim”, kryhen nëpërmjet korrespondencës shkresore mes dy institucioneve.
6. Regjistruesi brenda 10 ditëve punë nga data e paraqitjes së kërkesës, është i detyruar të kryejë regjistrimin, pasi ka verifikuar nëse dokumentacioni i dorëzuar është i plotë dhe i saktë, mbështetur në përcaktimet e kreut II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1095, datë 28.12.2015.
7. Brenda 5 ditësh nga data e regjistrimit të lejes së legalizimit, ZVRPP-ja i kërkon ALUIZNI-t të njoftojë subjektin përfitues për të kryer pagesën e tarifave të shërbimit në llogarinë bankare të ZVRPP -së.
8. Regjistruesi, në rast se konstaton se ka mangësi në dokumentacionin që shoqëron lejen e legalizimit apo pasaktësi, që e detyrojnë të mos kryejë regjistrimin, njofton drejtorinë e ALUIZNI-t, për plotësimin e tyre brenda afatit të përcaktuar në pikën 6 të këtij udhëzimi.
9. Në rastet e parashikuara në pikën 8 të këtij udhëzimi, drejtoria e ALUIZNI-t kryen procedurat e nevojshme, plotëson dhe ridërgon dokumentacionin, brenda 10 ditëve pune nga data e administrimit të njoftimit me shkrim të regjistruesit.
10. Regjistruesi është i detyruar të kryejë regjistrimin, brenda 10 ditëve nga data e plotësimit dhe ridërgimit të dokumentacionit nga drejtoria e ALUIZNI-t, sipas pikës 9 të këtij udhëzimi.
11. Me konfirmimin e kryerjes nga subjekti të pagesës për tarifat e shërbimit, ZVRPP-ja dërgon në rrugë postare certifikatën përkatëse të pronë- sisë.
12. Regjistruesi vijon me regjistrimin e lejes së legalizimit të ngritur mbi truallin e një objekti që rezulton i shembur, mjafton që subjekti të depozitojë pranë ALUIZNI-t deklaratën noteriale të prishjes së objektit, shoqëruar me vërtetimin nga njësia administrative që ky objekt nuk ekziston më. Ky dokumentacion përcillet pranë ZVRPP-së së bashku me dokumentacionin e përcaktuar në pikën 10 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1095, datë 28.12.2015.
KREU II REGJISTRIMI I LEJEVE TË LEGALIZIMIT PA MARRËDHËNIE ME TRUALLIN
13. Regjistrimi i lejes së legalizimit të miratuar për objekte, të cilat nuk kanë të përcaktuara marrëdhëniet me parcelën ndërtimore (truallin), bëhet nga regjistruesi në një kartelë tjetër pasurie duke bërë dhe shënimet përkatëse, brenda afateve të përcaktuara, sipas rastit në pikat 6 dhe 10 të këtij udhëzimi. Regjistruesi është i detyruar të lëshojë certifikatë pronësie për objektin e legalizuar sipas radhës procedurale, të parashikuar në kreun I të këtij udhëzimi.
14. Për rastet e parashikuara në pikën 13 të këtij udhëzimi, regjistruesi është i detyruar të kryejë regjistrimin përfundimtar të parcelës ndërtimore brenda 5 ditëve pune nga përcjellja e ZQRPP-së të VKMsë, që miraton kalimin e të drejtës së pronësisë dhe kompensimin e pronarëve.
Sigal