ALUIZNI, Lame: Përmbytjet duhet urbanizim i zonave informale

582
Sigal

TIRANE – Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale ALUIZNI ka hapur sot në bashkinë Vorë zyrën e re që do të jetë në shërbim të banorëve të kësaj zone për ndjekjen e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Në ceremoninë e hapjes së kësaj zyre morën pjesë Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni dhe Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t,  Artan Lame. Gjermeni tha se kjo zyrë është ndërtuar me kontribut vullnetar nga vetë banorët dhe se do ti shërbejë atyre që të zgjidhin problemet me ndërtimet informale pasi në këtë zonë nuk ka patur një zyrë të tillë asnjëherë. Ndërkohë Lame i ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm me ndërtimet që bëjnë në mënyrë që të mos përfundojnë sërish në të njëjtën situatë ku duhet ta nisin nga fillimi procesin e legalizimit për shkak të ndërtimeve informale.

Fjala e plotë e Ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni

“Doja ti uroja suksese zyrës së re të ALUIZNI-t në Vorë, duke falenderuar komunitetin e Vorës që kanë kontribuar në mënyrë vullnetare që kjo zyrë të jetë këtu dhe tu shërbejë qytetarëve. Kjo zyrë do ti shërbejë Vorës si Bashki që me ndarjen e re territoriale do të përfshijë edhe komunën Prezë dhe Bërxullin. Për 10 vite me radhë janë marrë vetëm 15 leje legalizimi në këtë zonë nga 35 mijë banorë që ka kjo zonë. 
Hapja e një zyre të re për të qënë më afër qytetarëve për mua është një hap shumë i mirë e ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme dhe ajo rajonale e ALUIZNI-t. Kjo zyrë do të jetë më afër qytetarëve për të shërbyer në mënyrë trasparente dhe sa më mirë atyre, për të ulur korrupsionin, për të ulur kaosin, për ti sistemuar gjërat. Ju bëj thirrje qytetarëve tani që ka përfunduar procesi i vetdeklarimeve që të bashkëpunojnë me punonjësit e ALUIZNI-t, të cilët do të shkojnë shtëpi më shtëpi, për të hedhur hapa më tej për ta mbaruar me sukses këtë process, këtë sfidë kaq të madhe të qeverisë.

Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, Artan Lame

Është një komunitet shumë i madh që deri tani detyrohej të vinte në Tiranë për të kryer procedurat. Zyra të tilla si kjo e Vorës janë hapur disa në qarkun e Tiranës dhe në qarqe të tjera të mëdha dhe po bëjmë një program për vetë Bashkinë e Tiranës për hapjen e disa zyrave të tjera për qytetin e Tiranës për të bërë pikërisht këtë shkurtim të procedurave dhe angarinë e tmerrshme që ka ndonjëherë ndjekja zyrë më zyrë e procedurave
Përtej kësaj do të thoja se tashmë procesi i legalizimeve është në rrugë të pakthyeshme, por duhet të fillojmë të shohim që tani përtej legalizimeve, të shohim për procesin e urbanizimit të zonave informale për të mos u gjendur në situata si kjo që po gjendemi këto ditë.
Nuk do të mjaftojë tu japim njerëzve një fletë në dorë, që dhe atë kanë vite që e presin, por duhet të ecim më tej me elementin tjetër të rëndësishëm që është urbanizimi i këtyre zonave në vijim.