ALUIZNI, Lame: Në vitin 2013 u legalizua ajri e mure polisteroli

596
Sigal

TIRANE- “Një pjesë e madhe e 22 mijë lejeve të legalizimeve nga 300 mijë vetëdeklarime, janë abuzive, korruptive, dëmprurëse për shtetin,” deklaron Artan Lame kreu i ALUIZNI-t në konferencë për shtyp. Në konferencën për shtyp Lame tha se, ka filluar dalja në terren e inspektorëve të ALUIZN-it për verifikimin e objekteve të legalizuara: “Sportelet tona po përmbyten nga një valë e paimagjinueshme, ankesash, kërkesash për atë që ka ndodhur vitet e fundit. Në sportelet tona trajtohen më shumë se 1800 ankesa në javë”  Kryetari i ALUZINI denoncon shkeljet abuzive dhe rastet flagrante të korrupsionit me lejet e legalizimeve.”Është deformuar procesi i legalizimit duke u dhënë toka njerëzve që janë zgjedhur me gishta. Janë legalizuar me shumicë objekte luksi, si lokale, hotele, etj. Janë bërë legalizime nëpër oborre shkollash, kopshtesh, spitale, nëpër mure bashkishë. Janë bërë legalizime në breg të detit, të përrejve.  Në dosjet tona ekzistojnë objekte të legalizuara ndërkohë që po të shkosh në terren ky objekt nuk ekziston fare. Po të shkosh është ajër e baltë. Janë përgatitur dosje për legalizimin e godinave beton arme të cilat në terren janë vetëm blloqe bukë peshku. Në çfarëdolloj dosje të 2013 ka shkelje pa fund. Noterë, që vulonin deklarata falso. Punonjës të hipotekave të Monumentit të Kulturës që në vend që të mbronin interest e shtetit kanë abuzuar” – thotë Lame. “Dhe kjo administratë që kishte kohë të merrej me këto legalizime, nuk merrej dot me zonat kryesore, atë në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, etj”, tha Lame.

SHKELJE MASIVE TË LIGJIT GJATË VITIT 2013, JA RASTET MË FLAGRANTE
Sipas kreut të ALUIZNI-t, “mjafton ti hedhësh një sy objekteve të legalizuara në Tiranë të kuptosh se me çfarë është marrë ALUIZN-i këto vite. Në hapësirën e parkut të Tiranës tek Garda e Republikës janë bërë 8 legalizime në muajt qershor-shtator 2013. Vetëm në këto dosje janë 160 shkelje. Në këto dosje ka vetëm ajër, pasi nuk ka ndërtesë. Një rast tjetër është një barakë është legalizuar si objekt 2-katësh”. Një tjetër objekt është ngritur me bukë-peshku dhe është legalizuar si objekt i ndërtuar me betonarme. Është legalizuar një bar 56 metra dhe i janë shitur subjektit 320 metra në park kombëtar”, tha Lame. Sipas tij, “një rast nga Shkodra është se, për një objekt 36 metrash i janë shitur 960 metra truall. Dy herë me rradhë universiteti ka bërë thirrje që të mos bëheshin legalizime por ankesat kanë rënë në vesh të shurdhët. Shumica e objekteve që ndodhen në Parkun e Tiranës janë legalizuar”.Kreu i ALUIZNI-t tha se, “në zonën e bllokut sapo kemi zbuluar dy raste të legalizimit të ajrit, pasi objekti nuk ekziston edhe pse dosja është e plotë dhe kjo ndodh në mes të Tiranës. Në parkun e Dajtit, në zonat e mbrojtura arkeologjike të Durrësit, në Shkodër, në zonën e mbrojtur të Lezhës”.

NË SHKELJE TË PËRFSHIRË MIJËRA PUNONJËS, DO ÇOHEN NË PROKURORI
Sipas Lames, “veç punonjësve të ALUIZN-it, në këto legalizime janë përfshirë punonjës bashkisë, komunash, noterë, punonjës të hipotekës, të Mbrojtjes së Monumenteve. Këtu nuk bëhet fjalë për t’ja dorëzuar prokurorisë, pasi nuk bëhet fjalë për disa raste por për mijëra raste”. “Në kushte normale do ti kisha propozuar kryeministrit krijimin e një agjencie për zhbërjen e legalizimeve por nuk mund të lëmë qytetarët të presin, pasi kërkojnë legalizmet. Në këto kushte ne do të çojmë në prokurori rastet më kryesore, ato me flagrante”, deklaroi Artan Lame. Kreu i ALUIZNI-t ka folur edhe për largimet nga puna dhe për të cilët PD-ja kërkon që të rikthehen. Sipas Artan Lames, të larguarit nga puna kanë bërë edhe shkeljet më të mëdha.Të gjithë këta persona që kanë bërë këto zullume kanë emër dhe mbiemër dhe ne i kemi larguar. Por tani na kërkojnë pikërisht që këtë kategori njerëzisht ti rikthejmë në punë pasi janë larguar pa të drejtë. Kjo është lista e drejtorëve që PD na kërkon tani ti rikthejmë në punë. Përfitoj nga rasti që tu them qytetarëve se, pavarësisht nga ajo që ka ndodhur në këtë institucion gjatë këtyre viteve, sportelet në të gjithë vendin janë të hapura për ankesa apo legalizime”, theksoi në fjalën e tij Lame.

DISA NGA DREJTORËT E SHKARKUAR NGA ALUIZNI:
Albert Kaçulli
Arben Muja
Artur Skela
Besnik Kastrati (SH)
Brisida Bilali
Engjell Murrizi
Erjon Jakova (DR)
Florian Hajdinaj
Gazmend Domi
Ibrahim Kashari
Ilir Dervishi (KR)

GJATË VITIT 2013 JANË BËRË SHKELJE TË PAIMAGJINUESHME
I pyetur nga media nëse ka shkelje edhe gjatë viteve të kaluara Lame tha se, gjatë vitit elektoral ka shkelje të paimagjinueshme.
“Veçova 2013 pasi si vit elektoral është më korruptivi dhe më i paimgjinueshmi. Ne ose do të hapim 7000 mijë gjyqe që të merremi me to, ose kemi ngritur një strukturë të brendshme për të parë se ku ka dëme dhe që janë plagë që nuk ja lëmë dot brezit tjetër. Në këto raste patjetër që do i çojmë për ndjekje penale”, deklaroi Lame.Sipas tij, “në marrëveshje me hipotekën bëmë një gjë të tillë për 2013. Në këtë pisllëk të 2013 lejet që nuk janë hipotekuar akoma ti marrim e ti shikojmë nga pikëpamja urbane. Ne mbyllëm sytë për gjërat e vogla”.
“Një tjetër rast është se mu në mes të unazës së Fushë Krujës është bërë legalizimi i një objekti. Sistemi ishte ndërtuar që të ishte i pakontrollueshëm, sa më abuziv me shtigje shmangie”, theksoi Lame.“Ka edhe kosto dhe në rastet kur ka kosto do ta mbajnë koston ata që kanë firmosur. Në çdo dosje ka mbi 20 shkelje”, përfundoi deklaratën e tij kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.