Alo 129? Ju flasim nga Vlora…

547
Sigal

TELEFONATË E HAPUR MINISTRIT SAIMIR TAHIRI

Apel i përsëritur nga qytetarët e Vlorës, nga punonjës të shëndetësisë, nga banorë të lagjes “24 maji”: na kthe qendrat shëndetësore të zaptuara qysh nga ‘97-ta, na kthe rendin, sigurinë dhe qetësinë… Po s’u shemb muri i trurit/ Nuk rrëzohet muri i gurit… Ky ishte një zë i dëgjuar edhe dje nga një telefonuesrruge. Dhe nuk është një zë i vetmuar, por janë kore zërash nga Vlora, Velipoja, Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Korça, Saranda, çdo cep i vendit, i pushtuar dhe i dhunuar nga barbaria dhe harbutëria frerë-këputur, e cila ka shëmtuar keqas fizionominë e Shqipërizës sonë! Dhe… rrënim- rrëmbimi vazhdon edhe sot ditën me diell, ka këputur frerët, duke pushtuar e shkatërruar territorin, duke zaptuar dhe poshtëruar pronën dhe jetën e shqiptarëve. Është një luftë për jetë a vdekje: midis qytetarisë, qytetërimit dhe harbutëri- errësirës…“Asnjë pushtues nuk e ka shkatërruar dhe dëmtuar vendin tonë si në këto 23 vite. S’kemi më kohë për të humbur”,- e tha me plot gojën edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama! Ata që e dëgjuan, u ngritën në këmbë dhe shumë qytetarë nga Vlora dhe jo vetëm, me qirinj në dorë dolën nëpër ballkonet e apartamenteve. Njerëzit të lebetitur dhe të terrorizuar, të rrethuar me mure e tela me gjemba, si në ish- burgjet e Burrelit, atë natë i mbajtën dyert e shtëpive hapur, duke lutur, bërtitur, e pritur nga ballkonet dhe me dyert e hapura: “ERDHI… ERDHI”…Shteti i qytetarëve, shteti i munguar, shteti i aspiratës shqiptare dhe mbarë shqiptare, shteti i vonuar dhe i votuar i 23 Qershorit!Ishalla vjen Liria e humbur për 24 vjet, futet në dyert tona Rilindja! Jemi në burg, jashtë burgjeve, të rrethuar nga telat dhe muret në apartamentet tona për gati 24 vite, të dhunuar dhe të kërcënuar nga pushtues- zaptuesit e institucioneve shtetërore, dhe të ambienteve publike, të cilët rreken dhe theken në shtëpitë e pushtuara për 15 vjet- qytetarët ngrenë zërin dhe kanë drejtuar vandak me letra dhe mal me ankesa edhe në zyrën e deputetit të Vlorës! Këtu është zbatuar deri më tani: Prona nuk i takon atij që e trashëgon, po atij që e pushton, asaj që e zapton… Qytetarë dhe punonjës të sistemit shëndetësor dënojnë me forcë kapitullimin e shtetit, kërkojnë të funksionojë shteti, shteti i votës së RILINDJES me gjithë forcën dhe kapacitetin e tij! Qytetarë të Vlorës dhe banorët e lagjes “24 Maji” në Vlorë apelojnë: Na ktheni qendrat shëndetësore të zaptuara qysh në ‘97-tën. Na ktheni në normalitet jetën, na bëni kthimin e apartamenteve të zëna dhe të hapësirave publike të pushtuara, sipas projekteve fillestare, në normalitet! Banorët e Pallatit 1212 të dhunuar dhe të kërcënuar për 15 vite nga lukuni-harbutëria! Viti 1997 ishte ndoshta viti më i vështirë për shqiptarët, e megjithëse kanë kaluar 16 vjet, pasojat e tij vazhdojnë të jenë prezentë dhe njerëzit nën kërcënim dhe dhunim. Rënia e firmave piramidale e çoi në anarki totale vendin…Qytetarët shpërthyen depot e armatimit dhe në mbarë vendin triumfuan armët dhe jo ligjet. Institucionet ranë një e nga një fare për pak ditë dhe në këtë shtet të rrënuar, në emër të bandave dhe të të fortëve, veç të tjerash, u zaptuan dhe prona publike e private. Pikërisht për këto probleme qytetarët vlonjatë i ribëjnë thirrje të hapur ministrit Tahiri, që me forcën e pushtetit të votës plebishitare, shteti të çlirojë, veç të tjerash, edhe institucionet shtetërore, siç i quajnë ata, të zaptuara dhe ende të pushtuara, në qytetin e Vlorës, nga zaptues-pushtuesit. Bëhet fjalë për qendrat shëndetësore, kryesisht ato që u grabitën dhe mbetën të pushtuara qysh në vitin e mbrapshtë ’97 dhe prej asaj kohe nuk bëjnë pjesë në inventarët e shtetit, pasi janë zaptuar e mbipopulluar me banorë, që nuk kishin asnjë lidhje as me rajonin dhe ndërtesat, etj.. “Jemi qytetarë të dhunuar dhe të kërcënuar qysh prej vitit tragjik1997. Nga ndërtimet pa leje, cenim i strukturës së pallatit, cenim dhe kërcenim i së drejtës qytetare, cenim dhe kërcënim i jetës, i ligjit dhe i rendit publik, shthurje të lukunisë primitive. Kërkojmë ndihmë nga qeveria e Rilindjes”, nis letra publike e qytetarëve dhe banorëve të lagjes “24 Maj” të qytetit të Vlorës. E mbërritur edhe në zyrën e deputetit të Vlorës, qysh kur nisi të hapej dhe pa asnjë zgjidhje të ankesave të qytetarëve vlonjatë. Deri më tani, kur ka kaluar 10 muaj, shteti po bën thirrje për të denoncuar, ndaluar e ndëshkuar ndërtimet pa leje, po ka harruar, zaptimin dhe pushtimin e institucioneve pa leje apo me leje nën dorë e nën xhep nga pushtetarë të korruptuar dhe të kompromentuar, të cilët i quajnë pronat publike, institucionet shtetërore se, “ua ka lënë babai si çifligun e tyre dhe do t’i shesin për llogari të xhepave të tyre! Këto institucione dhe nëse do të privatizoheshin, po kurrë nuk kemi dëgjuar të privatizohen institucionet shëndetësore dhe t’u ketë “dalë pronari”, zaptues- pushtuesi i bandave. Por edhe nëse do të “dalin për privatizim”, do t’u nënshtroheshin apo nënshtrohen procedurave ligjore dhe nuk do të kenë parësi, as do të përfshiheshin pushtues -zaptuesit. Pra, këtë pronë publike nuk mund ta marrë ai që e zapton dhe e pushton, por ai që e meriton!- arsyetojnë qytetarët vlonjate. Qytetarët dhe punonjësit e sektorit të shëndetësisë, i ribëjnë thirrje qeverisë Rama, ministrit Tahiri, t’u kthejë qytetarëve ambulancat e shërbimit, injeksionet dhe ambulancat për vizitat gjinekologjike në shërbim të komunitetit. Ata dënojnë me forcë kapitullimin e shtetit deri me tani, korrupsionin e segmenteve të administratës se tij përpara dhunuesve dhe pushtuesve të institucioneve shtetërore dhe cenim të strukturave të apartamenteve dhe jetës së qytetarëve… Në Lagjen. “24 MAJI” të këtij qyteti, pushtues-zaptuesit pushtuan qendrën shëndetësore, kanë rrethuar pallatin nr 1212 me mur e tela, me porta hekuri, kanë thyer arkitrarët, themelet e pallatit. Kanë hapur porta e dritare jashtë projektit, duke kërcënuar jetën e të tjerëve dhe të tyre. Jeta e qytetarëve në rrezik dhe në panik. Në Korrik- Gusht të vitit 2013 abuzuesit dhe dhunuesit shqyen edhe muret nga brenda, pushtuan depon e pallatit, kabinën elektrike. Hapën dritare dhe tubin e gazrave, e kanë nxjerr në shkallë, në hyrje të pallatit. Shkoni dhe shihni me sy dhe jo me dylbi apo me sy mbyllur. Dhe ku ndodh ky dhunim? Ku mund të veprojë kjo harbutëri e pashoqe? Vetëm në vendin tonë, në Vlorën e Rilindjes, në shtetin tonë! Në letrën e qytetarëve dërguar gazetës “Telegraf”, thuhet se janë në panik dhe qysh atë kohë, U lajmërua edhe Policia në korrik 2013 dhe nuk veproi, as denjoi të dëgjonte zërin e qytetarëve, të ndalonte dhunuesit, batërdinë, kërcënuesit dhe zaptuesit, apo ka marrë ryshfetin e radhës…Por edhe sot vazhdon të ngrihet po tek ky pallat, kolibja e radhës, ngjitur në katin e parë të pallatit, nga Lindja, përballë Kopshtit nr.13. Dhe askush nuk qederoset. Le të mos besojnë, por të verifikojnë dhe të mos abuzojë- policia lokale! Banorët e pallatit janë të kërcënuar nga dhunuesit e inkriminuar. Në cilin vend të botës ndodh një marrëzi e tillë?! Kush mund ta ndalë këtë babëzi-barbari, të kthejë pallatin në identitet, të ndëshkojë makutëri- marrëzinë primitive, cenimin e të drejtave dhe të jetës së qytetarëve? Veç të tjerave ata bëjnë me dije se dhjetëra shkresa kanë dërguar edhe institucionet shëndetësore për t’i liruar  nga zaptuesit, por janë kompromentuar nga të korruptuarit. Qytetarët e Vlorës kërkojnë nga Qeveria e rilindjes që të lirohen institucionet shtetërore, të prishen muret rrethuese të apartamenteve, kudo që mbajnë në terror brenda telave qytetarët dhe qytetërimin, të çlirohen nga prangosja pallatet në gjithë qytetin, të vijnë sipas projektit të vërtetë, fillestar.