Alma Jonuzi/ 113 përgjime dhe gjurmime për Universitetin e Elbasanit

611
Burime zyrtare nga organet e hetimit në Elbasan i thanë “Telegraf” se “bazuar në analizën e vitit 2015, situata në sektorin e përgjimeve dhe gjurmimeve është ndalur gjërësisht dhe konkretisht edhe në Universitetin “A.Xhuvani”, pasi rezulton se kemi patur 476 denoncime, duke na detyruar të kryejmë mbi 113 përgjime në atë institucion, prej të cilave kemi në dorë material të bollshëm për të nisur ndjekjen penale për dhjetra pedagogë e persona të tjerë”. Problemet e korruptimit të pedagogëve, sekserëve apo edhe problemet e tjera të emërimeve dhe rekrutimeve kanë qenë dhe mbeten objekti punës së Krimit Ekonomik dhe Prokurorisë në Elbasan prej kohësh. 
Në Prokurori janë 79 dosje penale me denoncime për pedagogët
Sipas të njëjtave burime mësohet se “gjatë vitit 2015 dhe në dy muajt e parë të 2016, nga ana e Krimit Ekonomik, janë dorëzuar në Prokurori 79 dosje penale të mbushura me denoncime dhe përgjime telefonike të pedagogëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, me denoncime të shumta që nuk rreshtin nga studentë që janë bërë viktima të sekserëve dhe presioneve të shumta psikologjike nga mësimdhënësit e tyre”. Prokuroria e Elbasanit dhe Krimi Ekonomik, shumë shpejt do të njoftojnë për rezultatet e punës së tyre hetimore edhe Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, e cila ka kërkuar informacione lidhur me implikimin e kujdo zyrtari apo pedagogu në afera korruptive nga Universiteti të Elbasanit, tha burimi zyrtar. Mësohet se organet e hetimit kanë patur në raste të veçanta edhe ndihmën e ndonjë dekani, me të cilin kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit, për t’i shërbyer spastrimeve të elementëve të korruptuar nga rradhët e stafit akademik. Denoncimet e studentëve dhe familjarëve të tyre nuk kanë munguar të vijnë edhe në organet mediatike, një prej të cilave ka qenë dhe mbetet edhe “Telegraf”. Email-et dhe sms e tyre lidhen me aferat dhe ofertat e pedagogëve të veçantë dhe sekserëve të tyre për notën pozitive në provime, kundrejt një vlere gjithmonë në rritje monetare. Një situatë skandaloze e cila ka vite që nuk ndryshion dhe që ka tentuar të njollosë pjesën e ndershme të stafit akademik të Universitetit të Elbasanit. Një situatë e cila i ka vënë njollën e turpit dhe e ka diskredituar prej vitesh atë universitet dhe që fatkeqësisht ka ardhur duke u thelluar, duke krijuar përshtypjen negative sipas të cilit “ai institucion duhet shkrirë deri në qelizë”. Universiteti i Elbasanit ka qenë shembulli i arsimit të lartë në Shqipëri, ka qenë vatra e cila ka afruar rreth vetes qysh herët pedagogë dhe akademikë me emër që kanë patur mbi supet e tyre grada të larta shkencore dhe kanë kontribuar atje, kurse sot është katandisur në institucion ku Prokuroria dhe Krimi Ekonomik nuk ka muaj të mos ndalen pas denoncimeve dhe zbulimeve të ndonjë afere korruptive. 
Dukuria e rënduar me sekserë dhe pedagogë
Statistikat dhe informacionet që dalin dhe vijnë deri në dyert e gazetave tregojnë për molepsjen e dhjetra mësimdhënësve në aferat korruptive mes tyre sekserëve dhe studentëve, tregojnë qartë se situata mbetet alarmante dhe duhet patjetër veprimi i ligjit mbi cilindo që e ka shkelur atë. Por sikur të mos mjaftonte situata e rënduar e vitit 2015, edhe viti 2016 ka nisur me dyndje denoncimesh drejt organeve hetimore të cilat kanë si objekt afera korruptive që rezultojnë në shkelje ligjore nga mësimdhënës të atij universiteti. Pjesa e shëndoshë, e pakorruptuar e Universitetit të Elbasanit i ka bërë apel organeve hetimore dhe Ministrisë Arsimit dhe Sporteve, si dhe KLSH, të ndalen seriozisht dhe të zbatojnë ligjin ndaj çdo emri që ka tentuar ta njollosë institucionin e tyre. Ata kërkojnë zbatimin e ligjit ndaj kujdo që ka abuzuar dhe përfituar nga posti dhe pozicioni i tij, për ti rikthyer dinjitetin dhe emrin e mirë një universiteti, që simbolizon në memorjen e çdo shqiptari vazhdimësinë e Normales, pionieres së arsimit shqiptar. 
Sigal