Aleatët PS-PD po kërkojnë pushtet?! Na thoni çfarë na keni bërë, t’ju themi se çfarë do të na bëni më tej…

541
Përparim HALILI
“Nusërimet” dhe përbetimet e dy “plakave me kordele mavi e blu”, po kërkojnë të bëhen përsëri “nuse” pasi kanë djegur e shkatërruar nga 3-4 herë “shtëpinë” dhe jetën e shqiptarëve
Tranzicioni “simbol” shkatërrimi e varfërimi total 25-vjeçar ku ndodhemi, prej nga nuk ka asnjë shenjë nëse do të dalim shpejt, nuk është “vepër” e popullit por e dy partive PD-PS, që kanë marrë votat e pushteteve me rotacion të mirëkuptueshëm palësh. Publikisht, këto dy parti kanë bërë sikur janë “përleshur për hallet e popullit” deri edhe me rebelim të armatosur në vitin 1997 e me tanke më 14 shtator 1998. Realisht, PS-PD kanë qenë dy “kazmat” që kanë bërë shkatërrimin total e sistematik të vendit dhe të popullit, qëllimisht për të mbajtur aktiv sundimin e tyre barabar mbi shqiptarët, duke e trajtuar popullin si turmë skllevërish dhe duke e përdorur vendin si pronë të tyre, gjë që e dëshmoi edhe bashkimi i tyre para 26 ditësh. Përsëri në këtë fushatë zgjedhjesh, PD-PS kanë zbarkuar pranë popullit, për të kërkuar vota me dy flamujt e tyre të rinj “Rilindje” dhe “Republika e re”, duke u sjellë sikur janë… “armiq”. 

Faktikisht PS e PD, paçka se kanë ndryshuar emrat, janë po ato “shtriga” të këtyre 26 viteve, “pjella” të një “kuçedre” 50-vjeçare, të ndara në dy pjesë sa për formalitet pluralizmi politik e demokracie false! Tashmë, jo vetëm janë futur në aleancë politike me njëra-tjetrën, por gjatë kësaj fushate po flasin me të njëjtën gjuhë. Po kërkojnë të njëjtën gjë (pushtetin) e përbashkët, tamam si dy motra në rrugë, të cilat shesin veç e veç të njëjtin mall, por të ndarë në dy tezga, gjoja si konkurrente por që në darkë i ndajnë fitimet bashkë! PS e PD, kanë një program në pazare pushteti, në akrobaci politike me ligjin e zgjedhjeve. Përgatisin dhe dirigjojnë të njëjtët skenarë për përfaqësim absolut në KQZ. Kanë instaluar modelin e kandidatëve të deputetëve me lista që bëhen nga “sulltanët”! Kanë të njëjtin qëndrim në spastrimet e vlerave intelektuale e morale dhe në largimin e kundërshtarëve politikë brenda partive. Kanë vepruar me nepotizëm të paramenduar në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, shumica e të cilëve rezultojnë se janë me lidhje politike e familjare reciproke brenda PS e PD, madje aq të afërta, sa sipas listave të këtyre zgjedhjeve, rezulton se kandidatët e PD janë familjarë, krushq e ortakë biznesesh të drejtuesve, shtetarëve dhe politikanëve të PS e anasjelltas si në Durrës, Vlorë, Berat, Elbasan, Korçë, Fier, Gjirokastër, Shkodër! Këto zgjedhje po tregojnë, se PS-PD janë në unison e aleancë të plotë dhe të fortë me njëra-tjetrën, të bashkuara në luftë të hapur e histerike kundër partie të tjera potenciale, me moshë sa vitet e pushteteve të secilës, duke bashkëvepruar me skenarë dhe përpjekje deri financuese e fizike të botës së krimit, me synimin për t’i eleminuar nga skena politike nëpërmjet manipulimit të votave! PS e PD janë “tenxhere” të një marke, ajo me ngjyrë “mavi” e “tenxhere e kallajisur” 26 vite më parë, ndërsa ajo me ngjyrë “blu” e prodhuar 27 vite më parë, në “kovaçhanën” e PPSH! 

Të degraduara ideologjikisht si (mos)përfaqësim politik shtresash shoqërore, të tejmbushura me sharlatanë e perversë kolltukësh, me “kukulla” votash, me klane interesash ekonomike-financiare, me trashëgimi familjesh e fisesh, me bosë abuzimesh e krimesh deri njerëzore, PS-PD janë parti braktisëse të kauzave ideologjikë majtas e djathtas, për të cilat janë votuar në këto 25 vite prej anëtarësive, shqiptarëve dhe grupeve të interesit. Tashmë që iu ekspozuan “rrudhat” e krimeve, mashtrimeve, demagogjisë dhe tradhtisë së kauzave ideologjike e sociale, “plakat” PS-PD janë veshur me “vellot” e reja të markave “Rilindja” dhe “Republika e Re” dhe kanë dalë e po bëjnë “striptizëm” me fjalime për gjoja “hallet e popullit dhe integrimin e vendit”, kur dihet që e kanë ç’integruar prej 25 vitesh. Po falsin për luftën kundër korrupsionit, kur shtetarët dhe politikanët e tyre janë ikonat e korrupsionit! Po falsin për të ardhmen e fëmijëve, kur fëmijët dhe familjet e tyre jetojnë në vila luksi dhe studiojnë në shkolla moderne jashtë Shqipërisë, duke u hequr edhe shtetësinë shqiptare! PS-PD, po flasin për mbrojtjen e interesave kombëtare, kur këto interesa i kanë shitur me koncesione e pakte territoresh! Flasin për luftë kundër drogës, kur të dy palët kanë bërë biznese kriminale me kultivimin dhe trafikun e drogës, karburanteve, armëve deri edhe me tragjedia njerëzore! Flasin për luftë kundër koncesioneve, kur të dyja partitë kanë dhënë e nuk kanë shfuqizuar koncesionet e njëra-tjetrës! Flasin për rritje të ndihmës ekonomike mujore, kur të dy palët e kanë mbajtur në fuqi këtë pagesë lëmoshë me 30-75 lekë në ditë për çdo familje e person pa të ardhura, si “karrem” për vota! Flasin për rritje pagash e pensionesh, kur pagat dhe pensionet e popullit i shtojnë në çdo 4 vite me 1-2%, ndërsa pagat e tyre i kanë nga 3000 dollarë, ndërsa pensionet deri 1 milionë lekë! Flasin për ulje çmimesh në ushqime, karburante, ujë, energji, transport, telefoni, sigurime e shërbime publike kur të dy palët, i kanë rritur ato në mirëkuptim! Flasin për ulje e pakësim taksash, kur në fuqi janë taksat që kanë vendosur të dy palët, duke i shtuar e rritur në çdo pushtet që ndërrojnë me njeri-tjetrin! Flasin për administratë publike e politikë të pastër dhe moderne, kur të dy palët në këto 25 vite, kanë tejmbushur veten, administratën dhe parlamentin me hajdutë, trafikant, përdhunues, monopolistë, koncesionarë, kriminelë e analfabetë! Flasin për të drejtë dhe kthim prone, kur kupolat e të dy bandave PS-PD kanë miratuar e zbatuar në mirëkuptim Ligjin 7501, me të cilin kanë grabitur 70% të territorit dhe 90% të pronave të lira të ish-pronarëve! Kanë bërë gjithçka kundër këtij vendi e këtij populli! lënia e vendit si në Mesjetë, papunësia 60% më e lartë se në Bosnjë, pagat 70% më të ulëta se në Afrikë dhe varfëria e popullit 50% më e lartë se në Somali, janë “vepra” të dy këtyre dy partive, të cilat kanë ndërruar vetëm “Carët” dhe “lëkurën”, por jo… huqet! Çfarë vazhdojnë e kërkojnë më, këto dy “çeta kaçakësh”?! Populli ka një shprehje, që u shkon përshtat aleatëve publik PS-PD: “Na thoni se nga vini dhe çfarë na keni bërë deri tani, t’ju themi se ku do shkoni dhe çfarë do të na bëni më tej…”! Nuk e dimë, nëse shqiptarët e masakruar me tranzicion të tejzgjatur e barabar prej pazareve të pista PS-PD, do të besojnë përsëri “nusërimet”, përgjërimet dhe përbetimet e dy “plakave me kordele mavi e blu”, të cilat po kërkojnë të bëhen përsëri “nuse”, pasi në këto 26 e kanë djegur dhe shkatërruar nga 3-4 herë “shtëpinë” dhe jetën e shqiptarëve!
Sigal