“Albtelecom” në panik prej hapjes së “letrave” të Bojaxhiut

583
Një dosje e re skandalesh e abuzimesh e përcaktuar si e tillë prej institucioneve kontrolluese e ligj-zbatuese shqiptare, koduar me emrin “Bojaxhiu” është hedhur në tavolinën e drejtësisë për hetim. por ndërsa personazhi i kësaj dosjeje, ish-zvendësministri i energjisë Gjergj Bojaxhiu po vetë-deklarohet “trim’ duke iu kundërvenë atyre që i kanë hapur dosjen dhe duke deklaruar mospasje frikë nga hetimi dhe letrat e aktivitetit të tij me karburantet, një tjetër kompani private e huaj që ka ngulur kthetrat me veprimtari e privatizime mafioze në Shqipëri është përfshirë në ankth e panik prej hetimit dhe zbardhjes së skandalit “Bojaxhiu”. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, bosët e kompanisë turke “Albtelecom”, po përjetojnë një frikë se mos ndoshta, gjatë procesit të hetimit të skandalit “Bojaxhiu” me karburantet e “proçka” të tjera, fijet e hetimit shkojnë deri tek zullumet e kompanisë “Albtelecom”, privatazimi i të cilës dihet se si u bë, se me çfarë vlere u bë, se për çfarë interesash u bë dhe se çfarë abuzimi gjigant u fsheh pas dekorit të këtij privtazimi skandaloz. 
Frika e kompanisë turke “Albtelecom” prej hapjes së plotë të dosjes “Bojaxhiu” kur ka qenë zv/ministër i Energjisë, ka lidhje me një abuzim të rëndë financiar dhe grabitje kapitalesh të aksionerëve realë të kësaj kompanie, të cilët janë ish-punonjës dhe punonjës të ish-“Telekomit” Shqiptar, dosjen e të cilës e disponojmë të plotë me dëshmi por edhe shkresërisht. Çfarë ka ndodhur? Sipas ligjit që lejoi dhe miratoi privatizimin mafioz e antikushtetues të kompanisë strategjike kombëtare shtetërore shqiptare “Telecom”, punonjësit e kësaj ndërmarrjeje, përveçse duhej të ishin aksionerë me pronarin turk “Çalik”, duhej të paguheshin edhe me 12 paga mujore fikse, brenda muajit korrik 2007. Kjo nuk ndodhi. Këtë detyrim dhe detyrë ligjore e kishte në ngarkim për zbatim zv/ministri Gjergj Bojaxhiu. Por këto paga, nuk u dhanë dhe nuk po jepen as sot në vitin 2016, ose më saktë 9 vjet pas afatit përfundimtar të caktuar me ligj e të përcaktuar me VKM. Janë 2264 punonjës të ish-“Telecom” të cilët nuk kanë marrë 12 pagat e detyrueshme me ligj. Sipas letrave që u firmosën dhe u zhdukën, 12 pagat mujore të 2264 punonjësve të ish-“Telekom” kaluan “në humbje financiare”, kur në fakt nuk u dhanë prej shtetit nga llogaria e privatizimit, arkëtuar prej firmës turke “Çalik” edhe pse ishte detyrim ligjor. Kjo shumë gjigante e cila del lehtësisht nga veprimet matematikore, iu dhurua si “pajë” firmës turke, llogaritur si vlerë e pashlyer prej llogarisë së detyrueshme të blerjes së kompanisë shtetërore “Telekom”. Zyrtari që ka firmosur këtë vjedhje pagash në favor të kompanisë turke “Albtelekom” është ish-zv/ministri Gjergj Bojaxhiu, abuzim i cili është përfshirë ne skedën e hetimit. Për të përligjur dhe justifikuar këtë mos dhënie e përvetësim të 12 pagave mujore të 2264 punonjësve, drejtuesit e asaj kohe të Ministrisë së Financave dhe Energjisë, konkretisht Ruli, Bode e Bojaxhiu, nisën lojën e “ping-pongut” dhe akrobacive me gjoja procedura e vonesa të sajuara, por pa harruar premtimet që bëheshin për dhënien e këtyre pagave. 
Tashmë, sipas burimeve të “Telegraf”, hetimi ka përfshirë gjithë veprimtarinë e Bojaxhiut të akuzuar “për pastrim parash me karburantet e në bashkëpunim”, por edhe për veprimtari të tjera abuzive, bërë në postet si sih-Drejtor i Policisë Ndërtimore dhe asaj të KESH, për të cilën “Telegraf” do të publikoj një skandal lidhur me shpenzimet e energjisë prej firmës turke “Albtelekom” në periudhën kur KESH e drejtonte Bojaxhiu. Gjithashtu, në vijim do të zbardhim të plotë e të detajuar skandalin që lidhet me aksionet që kanë ish-punonjësit e ish-“Telekom” dhe familjarë të tyre, për të cilat prej mëse 10 vitesh nuk u jepet asnjë qindarkë prej kompanisë turke “Albtelekom” edhe pse është bashkëpronar i barabartë ligjor me ta, në përqindje të përcaktuara në marrëveshjen e privatizimit të ish-kompanisë shtetërore shqiptare “Telekom” 
Sigal