“Albtelecom” ka “ngulur” dhunshëm 2300 kabina mbi trotuare,të cilat as shkulen e as taksohen

665
Ndërsa shteti vërsulet për të rrafshuar edhe kotece pulash, të ndërtuar pa lejen e pushtetit lokal e qendror, nuk po vepron për të shkulur kabinat e shërbimeve private kompania “Albtelecom”, ka ngulur mbi trotuare pronë publike. Skandali dhe absurdi është ky: Kompanisë “Albtelecom” i lejohet prej bashkisë së Tiranës dhe prej 60 bashkive të tjera në të gjithë Shqipërinë, për të zhvilluar biznes të pa taksuar financiarisht, duke pushtuar trotuare e mjedise publike nëpër blloqe banimi, në mjedise institucionale e kudo ku kjo kompani ka interes. 
Abuzimi/ 2300 kabina të paligjshme të “Albtelecom” as shkulen, as taksohen nga bashkitë
Vetëm 10 ditë më parë, policia bashkiake e Tiranës sekuestroi me forcë një mini-karrocë ambulante që piqte e shiste kokoshka. Vetëm 7 ditë më parë, shteti rrafshoi një kotec pulash në një lagje periferike të Gjirokastrës, i cili sipas policisë ndërtimore lokale ishte ndërtuar pa “studim” urbanistik dhe pa lejen zhvilluese rilindëse të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit! Mirëpo, ndërsa po rrafshohen baraka e kotece pulash në zonat periferike në Gjirokastër, Dibër, Bulqizë, Burrel, Selenicë, Malësi të Madhe, Orosh, Bicaj, Memaliaj, Maqellarë, Maliq e kudo, konstatohet një qëndrim tjetër, mbrojtës i abuzimeve me zaptimet e mjediseve publike, me ndërtimet dhe ndërhyrjet e paligjshme. Prej Policisë Ndërtimore bashkiake në Tiranë e në qytete, nuk po shkulen disa objekte që kanë zaptuar trotuaret në qendër e në çdo cep të Tiranës dhe në të gjithë qytetet e Shqipërisë. Zbatimi i vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës e të 60 bashkive të tjera, për taksimin financiar të mjediseve publike të zënë prej shërbimeve private si kafene, njësi bastesh sportive, shërbime telefonie e tregje ditore. KY vendim i Bashkisë Tiranë dhe i bashkive të tjera, nuk po zbatohet vetëm për sipërfaqet e pushtuara prej kompanisë “Albtelecom”. Çfarë po ndodh? Siç shikojmë përditë, nga trotuaret e Tiranës e të qyteteve të tjerë janë shkulur e po shkulen reklama, kangjella e lule të mbjella. Por çuditërisht, nuk po shkulen kioskat e vendosura në mënyrë të paligjshme prej “Albtelekom”. Këto “kioska” pronë e “Albtelekom”, vazhdojnë të jenë prezent në trotuare, duke mbetur aty si shëmti dhe pengesë për lëvizjen e qytetarëve e për pamjen e kryeqytetit, madje janë të vendosura edhe në kryqëzime trotuaresh, në parqe e në çdo cep të Tiranës dhe të çdo qyteti. Aksioni i bashkisë Tiranë për të çliruar trotuaret e kryeqytetit, nuk po prek kioskat e “Albtelecom”, paçka se ato janë objekte të paligjshme, mbasi ky rrejt telefonik nuk duhet të jetë në sipërfaqe, por nën tokë, sipas kontratës së privatizimit, nënshkruar 11 vjet më parë me shtetin shqiptar 
Në 12 vite, “Albtelecom” detyrohet 12 milionë euro shkatërrim e taksa zaptimi mjedisesh publike
“Albtelecom”, prej 12 vitesh aktivitet privat qysh prej blerjes së këtij shërbimi për një “copë bukë”: nga shteti e me abuzime, ka zaptuar sipërfaqe trotuaresh, rrugësh kombëtare e mjedisesh rrëzë pallateve në Tiranë dhe në krejt qytetet e tjerë të vendit, madje edhe në plazhe e zonat komunale, mbi të cilët ka vendosur kabinat e shërbimit telefonik fiks. Nga investigimi ynë, rezulton se këto kabina janë ndërtuar mbi sipërfaqe trualli pronë shtetërore, pa leje, pa blerje të truallit, pa marrje me qira të tij. Prej 12 vitesh, “Albtelecom” nuk paguan faturën e dëmit që i ka dërguar Bashkia e Tiranës. Nëse ka një mbledhje që duhet bërë urgjent prej Këshillit Bashkiak të Tiranës, duhet bërë për detyrimin e “Albtelekom”, për kthimin e afro 12 milionë euro që i detyrohet bashkisë së Tiranës për punimet rehabilituese, që bashkia u ka bërë dëmeve të shkaktuara në mjedis nga “Albtelekom”. pa llogaritur koston e dëmtimeve që ka shkaktuar e ka lënë pa rehabilituar në 35 qytete të tjera të vendit e që janë një tjetër faturë e madhe… Ato janë vendosur në fasada muresh të shkollave, spitaleve, hyrjeve të pallateve, në trotuare, madje edhe përbri hyrjes së selisë së kryeministrisë e përballë hyrjes së Kryesisë së Kuvendit, apo në postbllokun e parlamentit e në derën kryesore të Bibliotekës Kombëtare! Sipas ligjit, vendosja e tyre në sipërfaqe dhe në mjedise publike e kulturore është e ndaluar kategorikisht. Po kështu, ndalohet kategorikisht të vendosen mbi trotuare. Sipas kontratës së blerjes, në kapitullin “Investime”, kjo kompani ka detyrimin sipas kontratës, që gjithë rrjetin e shërbimit ta ketë nëntokësor duke mos lënë “asnjë fije teli”, apo pajisje mbi tokë, apo në ajër, siç i ka realisht. 
————————————–
Urdhri sekret i Bashkisë Tiranë dhe i 60 bashkive të tjera
Mos hiqni dhe mos taksoni 4200 pajisjet “WIRELESS” që ka instaluar “Albtelecom”
Abuzimet e toleruara prej shtetit shqiptar në favor të kompanisë “Albtelecom”, nuk kanë frenim. po e nisim me një fakt: “Albtelecom” ka instaluar 1130 pajisje ilegale ËËIRELESS” në Tiranë, 4200 në Shqipëri. Sipas investigimit të gazetës “Telegraf”, rezulton se ka një urdhër të lëshuar nga bashkia Tiranë , që nëpër rrugët dhe mjediset e Tiranës, të mos hiqen impiantet e shërbimit të internetit “WIRELESS,. të cilat janë vendosur prej kompanisë turke “Albtelecom”. Nëpër rrugët dhe mjediset e Tiranës, madje edhe në hyrjen prapa kryeministrisë, konstaton një abuzim tjetër me shërbimet e “Albtelekom”. Kjo kompani private e futur në tregun shqiptar edhe me shërbimin “internet”, ka gjetur një mënyrë të sofistikuar përfitimi me abuzim. Konkretisht, mbi kabinat telefonike, kompania “Albtelecom” ka instaluar edhe pajisjen e shërbimit ”WIRELESS”, sidomos në zonat më të populluara me lokale barë-kafe, shkolla, qendra argëtimi ka instaluar pajisjen e shërbimit “WIRELESS” edhe në shtyllat elektrike të ndriçimit publik, mbi reklama biznesesh, ngjitur në mure rrethues vilash, në trungje pemësh, në fasada pallate e objektesh të tjerë. Janë 400 pajisje të shërbimit ”WIRELESS”, të instaluara në mënyrë të paligjshme, pa licencim, pa leje, pa siguri teknike, me qëllimin për të kryer një shërbim interneti ambulator e jo fiks, të cilin ua shet konsumatorëve të zonës. Sipas Entit Rregullator të telekomunikacionit, këto pajise të “Albtelecom” në Tiranë e në qytete të tjera, janë vendosur pa leje dhe kjo përbën shkelje ligji e vjedhje shërbimi. 
Sigal