Albpetrol-i, kopshti i korrupsionit qeveritar!

533
Sigal

Dhjetëra padi janë ngritur në Gjykatë nga punonjësit e pushuar prej administratorit të Partisë Socialiste. Miliarda lekë dëmi financiar i shkaktuar

Vazhdojnë pushimet kolektive të punonjësve naftëtarë nga administratori i Albpetrol, Endri Puka. Vetëm në muajin korrik u hoqën padrejtësisht 87 prej tyre. Pavarësisht se, punonjësit kanë një kontratë kolektive me këtë kompani, kjo nuk e ka penguar drejtuesin e saj të bëj largimin e tyre pa asnjë motivacion duke shkelur hapur ligjin. Ata janë flakur në rrugë të madhe duke mos përfituar nga asnjë prej pikave të përcaktuara me VKM NR 106, (pika 8 e VKM), e cila nuk shmang as Kodin e Punës. Është e pafalshme që deri më tani asnjë institucion nuk ka vënë para përgjegjësisë Administratorin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a., për shkelje të VKM dhe për dëmin prej dhjetëra milionë dollarësh që i ka shkaktuar kompanisë për arsye se, pothuajse, të gjithë punonjësit e larguar nga puna kanë kërkuar të drejtën e tyre në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier e më pas edhe në atë të Apelit Vlorë dhe të gjitha vendimet kanë qenë në favor të punonjësve të pushuar. Është e pafalshme, gjithashtu, që një administrator i papërgjegjshëm të diskriminojë naftëtarët në të gjitha mënyrat dhe të qëndrojë akoma në këtë pozicion pa marrë atë që meriton nga drejtësia, KLSH apo edhe auditi e kanë fare të qartë për të verifikuar dëmin e jashtëzakonshëm të shkaktuar nga ky person që nuk ka asnjë lidhje me naftën apo me Kompaninë dhe që qëndron në punë vetëm se, është i besuari i deputetit socialist në Tiranë, duke i shërbyer vetëm interesave të tij. I besuari i deputetit socialist në Tiranë në pushimet masive të naftëtarëve nuk ka zbatuar nenin 6 të Kodit të Punës, që thotë se domosdoshmërisht këta punonjës duhet të trajtohen me shpërblimin e vjetërsisë në punë, dhe kjo është e pasqyruar dhe e miratuar edhe nga Parlamenti Shqiptar, por siç duket sejmeni i Koços qenka më i fortë nga ligji sepse e shkel atë dhunshëm dhe hapur. Një punonjës jurist E.G, në këtë kompani i larguar ditët e fundit nga puna u shpreh se; Drejtimi arrogant dhe aspak profesional nga ana e administratorit të Kompanisë Albpetrol, dëshmon se një klan mafioz me tendencë grabitjen e kësaj pasurie të paçmuar tashmë ka uzurpuar çdo qelizë të kompanisë duke kryer super vjedhje të cilat shkojnë në dhjetëra milionë dollarë. Vidhen miliona dollarë nga vjetërsitë e punës së naftëtarëve, nga shpërblimet, nga largimet, nga mos deklarimi i saktë i lëngut të prodhuar, i cili në shumë raste ka shkuar bruto në shoqëri, apo individë të cilët edhe të papërpunuar e kanë nxjerrë në tregun e shitjes me pakicë në shumë pika, ku fatkeqësisht ka shkaktuar një super dëm edhe tek makinat e qytetarëve, të cilët nuk dinë gjë dhe paguajnë me çmimin që ka tregu çdo litër solar, sepse në të vërtetë naftë nuk është. Përfitimet klienteliste të njerëzve pranë Ramës kanë krijuar një gropë të madhe në financat e kësaj kompanie, duke e zhytur thellë e më thellë dhe duke rritur borxhin. Është e papranueshme që një fushë prodhuese të mos ketë burime financiare për të bërë pagesa, ashtu siç është e papranueshme që me gjithë situatën e vështirë financiare të punësohen militantë apo individë që nuk kanë asnjë lidhje me këtë sektor strategjik për ekonominë shqiptare. Nga dokumentet rezulton se, vlera e shpërblimit të vjetërsisë për naftëtarët llogaritet në 3.000.000 USD, shumë, e cila nuk ekziston më në financat e kompanisë, duke kryer një super vjedhje dhe ku strukturat hetimore, megjithëse, janë në dijeni të këtyre fakteve heshtin. Arroganca e Administratorit dhe klanit të tij janë kthyer në “vampirë” që po pinë përditë gjakun, mundin dhe djersën e mijëra naftëtarëve që kontribuuan në vite në këtë kompani dhe po hidhen rrugëve pa u dëmshpërblyer për kontributin e tyre. Përderisa këtyre hajdutëve të paskrupullt iu sigurohet mbrojtje nga shteti, ata do të mbesin të pacenuar dhe kjo është normale sepse ata janë burimi i financimit të pushtetarëve që ata, tashmë, iu kanë siguruar mbrojtjen, por deri kur?