Albpetrol: 25 persona vjedhin 20 milion USD

556
Sigal

Punësim e pagesa fiktive,  vjedhje masive e shitje për skrap dhe parashikime jo optimiste për të ardhmen

Pakënaqësi dhe protesta nga të sapolarguarit nga puna që shpejt do të pasohen dhe nga qindra të tjerë, listë e gjatë borxhesh në miliona dollarë dhe një prognozë jo optimiste për të ardhmen! Kështu mund të perifrazohet analiza e djeshme që zhvilloi kompania Albpetrol, e shumëpërfolur vazhdimisht  për abuzime marramendëse dhe sektor, ku janë majmur qeveritarë e njerëz të tyre, ndërmarrja ku fryheshin organikat e merrnin paga dhjetëra të tjerë që nuk e dinin se ku bie kjo ndërmarrje. Vetëm pak nga shifrat e faktet e publikuara dje, e bëjnë më konkret konkluzionin e mësipërm. Kështu, për vitin 2013, kjo kompani ka një borxh 31 milionë dollarë Ministrisë së Ekonomisë si divident.

Përtej premtimit të qeverisë për hapjen e vendeve të reja të punës, analiza e djeshme  u dha lajmin e dhimbshëm të largimit nga puna të rreth 200 punonjësve,  numër, i cili në 1 prill të këtij viti, shtohet dhe me 340 të tjerë.

Në këtë analizë, që në fillim  u konfirmuan borxhet e shumta të kompanisë,  ç’organizimi i shoqërisë, personeli mbi normën dhe punonjës që nuk paraqiteshin rregullisht në detyrë ishin disa nga problematikat e shfaqura në këtë analizë. “Shumë prej punonjësve kishin të shënuar vetëm emrin dhe përfitonin paga mujore në mënyrë abuzive”, thuhet në analizë. Gjithashtu, raportohet se, “vetëm gjatë tre muajve të fundit kanë filluar procedurat për pushimin nga puna të rreth 200 punonjësve, të cilët nuk paraqiteshin fare në punë. Për disa nga këto raste janë njoftuar organet kompetente të cilat kanë nisur një hetim për mënyrën se përse janë shënuar prezent në listë prezencat mujore dhe përse janë paguar këta punonjës”. Kompania Albpetrol ka aktualisht 1199 puse, thuhet në analizë, ndërsa kishte gjetur vetëm 790 puse aktive. Gjendja e puseve, sipas administratorëve të rinj, ishte e mjerueshme dhe shpesh herë paraqiste rrezik konkret për banorët e zonës. “Godinat ishin lënë në mëshirë të fatit. Mungonin kushtet më minimale të punës. Në disa prej qendrave mungonte hidroizolimi, madje edhe dyert. Puset dhe kullat kishin pësuar vjedhje masive dhe ishin shitur për skrap. Shumë puse përbëjnë rrezik për popullsinë pasi si pasojë e vjedhjeve janë pa gryka. Gjendja mjedisore ishte shumë e keqe. Ndonëse ishte kryer një investim me vlere gati 750.000 USD për një gropë ekologjike, ajo ishte braktisur menjëherë pasi ishte marre në dorëzim”, thuhet në analizë.

Denoncimi

Gjatë 3 muajve të fundit nga Albpetrol janë denoncuar mbi 25 persona për: vjedhje të pasurisë; shpërdorim detyre; moskallëzim krimi.

Dëmi ekonomik

Shuma e dëmit ekonomik të denoncuar nëpërmjet këtyre kallëzimeve i kalon 20 milionë dollarët shumë kjo, më e madhe se i gjithë fitimi për vitin 2013 e realizuar në shumën prej 17, 640, 000 dollarësh. Ndërsa, janë evidentuar edhe shkelje të shumta financiare si dhe mungesa prej gati 5.600.000 dollarë në inventar.

Shkurtimi i punonjësve

Nga ana tjetër administratorët e rinj të Albpetrol thonë se, e kanë ulur numrin e punonjësve nga 1222 punonjës që ishin në tetor të 2013-s në 1044 punonjës, ndërsa mendohet se në 1 prill të këtij viti numri i punonjësve në Qendrat e Prodhimit të shkojë në 782.

Rritja e prodhimit

Administratorët aktualë të pretendojnë se është rritur prodhimi i naftës nga shoqëria Albpetrol në shifra 110.2  Ton/Ditë nga 80.5 Ton/Ditë që u gjet më datë 1 Tetor 2013.
Mjedisi dhe Shëndeti

Pavarësisht përpjekjeve, proceset e punës së Albpetrol sh.a shoqërohen me ndotje mjedisore për shkak të teknologjisë së vjetër dhe amortizimit të pajisjeve. Është punuar për trajtimin e mbetjeve historike të naftës Sabiore në gropat e vjetra ekologjike, por ky proces është bllokuar nga  kompania koncensionare dhe mund të quhet i dështuar.

Sëmundjet në punë

Gjatë vitit 2013 kemi vetëm 1 rast të punonjësve me sëmundje profesionale.

Numri i rasteve të punonjësve me aksident në punë është 1 rast i lehtë.

Numri i punonjësve që kanë vdekur nga kanceri është 3 raste.

Numri i punonjësve me tumor është 13 raste.

Numri i punonjësve që kanë bërë ndërhyrje në zemër me By-Pass është 13 raste.

Numri i punonjësve që kanë pësuar çrregullime depresive është 3 raste.

Numri i punonjësve diabet mellitus, sëmundja e sheqerit, janë 31 raste.

Numri i punonjësve me invaliditet si Kompani Albpetrol sh.a. është 17 raste.

Albpetrol zotohet se për vitin 2014 do t’i ofrojë punonjësve një paketë të plotë që punonjësit të jenë të mbrojtur në rastet e aksidenteve si dhe të përfitojnë kontroll periodik falas si dhe ndihmesa financiare dhe trajtim mjekësor për pjesën kryesore të sëmundjeve. Kjo paketë do të përfshijë edhe sigurimin e Jetës.

Gjiknuri: Albpetrol-i, si thes për militantët në të kaluarën

 Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka deklaruar se “Albpetrol”-i është trajtuar si thes për militantët në të kaluarën. “Sektori i naftës ka një perspektivë. Do ketë monitorim për blloqet që do të jepen me koncesion. Për herë të parë do zhvillohet konkurs i hapur për blloqet e reja”, u shpreh Gjiknuri gjatë analizës së punës së kompanisë ‘Albpetrol’. Ministri i Energjisë u shpreh se, kjo kompani ka pasur një privatizim të dështuar dhe ndryshimet e bëra kanë dhënë frytet e para, pasi ajo ka nisur të kontribuojë për buxhetin. Gjithashtu, shtoi se, qeveria do të marrë masa që, kompanitë t’i trajtojnë punëtorët si duhen.

 Bankers Petroleum rriti me 20 % rezervat e naftës deri në 31 dhjetor 2013

 Kompania Bankers Petroleum që vepron në Shqipëri njoftoi dje se ka rritur rezervat në krahasim me vitin 2012, me rreth 20%. Sipas burimeve zyrtare të kompanisë Bankers Petroleum, 232 milionë fuçi rezerva të nxjerrëshme plus rezervat e mundshme (2P) rrisin vlerën e Kompanisë në 2.24 miliardë dollarë. Prodhimi mesatar për 3-mujorin e parë të 2014 deri tani është 19,700 fuçi në ditë. Vlerësimet e pavarura të rezervave të naftës deri në fund të dhjetorit 2013 u kryen nga RPS Energy Canada Ltd, për vendburimin e Patos-Marinzës dhe nga DeGoyler and MNaughton Canada Ltd, për vendburimin e Kuçovës. Vlerësimet, sipas burimeve, u kryen në përputhje me standardet e instrumenteve kanadeze 51-101, standardet për aktivitetet në fushën e naftës dhe të gazit. David French, Presidenti dhe Shefi Ekzekutiv i kompanisë Bankers Petroleum Ltd. deklaroi se kompania është shumë e kënaqur për njoftimin mbi rritjen e rezervave brenda një viti në të cilin u realizua edhe një rekord i ri në prodhimin e naftës. “Raporti i rezervave për vitin 2013 reflekton strategjinë tonë inxhinierike për të bërë shpime të reja eficente, parashikimet e sakta të zonave ku do të shpohen puset e reja horizontale si edhe në rritjen e fitimit operativ për çdo fuçi të prodhuar. Këto rezerva të reja përbëjnë një rritje prej 20% në vlerën aktuale neto të kompanisë dhe përforcojnë bazën e fuqisë së biznesit tone, që është optimizimi i performancës në këtë aset me naftë të rëndë të klasit botëror”, tha ai.