“Albcontrol”, tenderi për asetet shkon në 5.4 miliardë lekë

506
“Albcontrol” zotëron një total asetesh me vlerë 5.4 miliardë lekë duke i ndarë ato në disa kategori. Në funksion të detyrimit ligjor, por edhe ndjeshmërisë që ka funksionimi i secilës prej tyre duket se “Albcontol” ka vendosur që t’i sigurojë të gjitha këto asete duke shpallur kështu një procedurë tenderimi. Fondi limit për sigurimin e aseteve është 139 milionë lekë. Por si janë të ndara në fakt asetet e “Albcontol”, të cilat pritet të sigurohen për një periudhë 12 mujore. Sot shoqëria “Albcontol” zotëron asete të kategorizuara si ndërtesa në vlerën 1.76 miliardë lekë, sistem kabllor në vlerën 155 milionë lekë, makineri dhe pajisje në vlerën 3.1 miliardë lekë, mobilie dhe pajisje zyre në vlerën 147 milionë lekë dhe pajisje informatike në vlerën 177 milionë lekë. Nga ky total prej 5.4 miliardë lekë duket se asetet me vlerën më të lartë, sipas vlerësimit të bërë në 31 dhjetor 2015, janë ato të makinerive dhe pajisjeve. Procedura e tenderit pritet që të mbyllet në datë 20 qershor 2016. 
Kush është “Albcontrol”
Dikur “Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror” dhe sot “Albcontrol” u krijua si ndërmarrje shtetërore në vitin 1992. Ndërmarrja u transformua në shoqërinë aksionare “Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror” në datën 3 shkurt 1999. Kjo shoqëri menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore shqiptare (FIR), në përputhje me standartet ndërkombëtare të lundrimit ajror. “Alcontrol” është emërtimi ynë i ri për të qenë sa më pranë identitetit shtetëror dhe kombëtar, për të përfaqësuar sa më mirë shërbimet që ofron, dhe për t’u përafruar me shoqëritë simotra evropiane, që nga data 15 nëntor 2013. “Albcontrol” është shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, pronë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Tregëtisë dhe Sipërmarrjes. Që nga viti 2003 është anëtare e EUROCONTROL dhe nga viti 2009 anëtare e CANSO (Civil Air Navigation Services Organization).
Sigal