Albanologu Resuli: Kosova t’i kthehet Serbisë. Shqiptarët s’janë autoktonë

731
Albanologu shqiptar i lindur në Ulqin, Kapllan Resuli, apo siç njihet sot, Kapllan Buroviç, në një intervistë të publikuar nga “Novosti” thotë se Kosova do t’i kthehet shumë shpejt Serbisë dhe se shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me ilirët e lashtë. Dr. Kapllan Buroviç ka vite që jeton në Gjenevë dhe ai respektohet së tepërmi në Serbi, për shkak të tezave të tij antishqiptare.

Buroviç thotë se me kushtet e tanishme politike, Kosova e ka të pamundur të mbijetojë dhe se shumë shpejt ajo do t’i kthehet Serbisë. Gjithashtu, Buroviç provokon kur thotë se edhe vetë Eqerem Çabej e ka provuar se shqiptarët janë të ardhur në Ballkan.
Sigal

“Akademikët austriakë dhe profesorë si Gustav Weigand, Gustab Meier, si edhe studiuesit shqiptarë, Eqerem Çabej, Aleks Buda dhe Shaban Demiraj kanë pranuar se shqiptarët nuk janë autoktonë.

Çabej ka provuar se shqipja është formuar në Rumaninë e sotme në shekullin VI dhe se shqiptarët u zhvendosën në zonën e Matit vetëm në shekullin X. Që nga ajo kohë, shqiptarët u përhapën edhe në zona të tjera përreth që banoheshin nga serbët”, thotë Kapllan Buroviç.

Faksimile e intervistës te “Novosti”

I pyetur për kulturën shqiptare Kapllan Buroviç thotë se ajo nuk ka përputhje me kulturën e Kosovës. “Ashtu si gjithë popujt e botës, edhe shqiptarët kanë kulturën e tyre, e cila është e lidhur me Shqipërinë e sotme, por jo me Kosovën. Kjo kulturë daton nga fundi i mesjetës, dhe në shumicën e rasteve e kanë krijuar të huajt.

Jashtë kufijve të Shqipërisë e deri tek rrënjët e tyre, nuk kemi kulturë shqiptare. Libri i parë i botuar në gjuhën shqipe është nga viti 1555, dhe atë e ka shkruar një kroat dhe është botuar nga një shtëpi ortodokse e Malit të Zi.

Abetaren e parë shqipe e ka përpiluar një vllah me emrin Naum Veqilharxhi në vitin 1844, derisa abetarja e parë pas çlirimit dhe shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur në vitin 1913, është shtypur në Serbi, dhe e ngarkuar në kuaj është transportuar në Shqipëri”, thotë Buroviç.