Albana Agolli: KLSH dhe auditimi i projekteve me financime të huaja

772
Sigal

Për një zbatim më efektiv
dhe efiçient të programeve me financim të huaj

Nga:
Albana Agolli, KLSH

Fitimi nga Shqipëria i statusit të vendit
kandidat për në BE ka sjellë rritjen e angazhimit dhe projekteve të Bashkimit
Evropian tek ne. Çdo vit shpenzohen nga 270-320 milionë euro në realizimin e
projekteve dhe programeve me financim të huaj nga institucione donatore ndërkombëtare
ose nga shtete partnere të Shqipërisë. Interesi më i lartë i vendit tonë është
që këto financime, shumica e të cilave janë kredi të buta, të realizohen në kohë,
duke sjellë përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës dhe shërbimeve publike. Për
ketë arsye, hartimi i programit vjetor të auditimit të projekteve me financime
të huaja, mban në konsideratë, krahas të tjerave nivelin e disbursimit dhe
fazën në të cilën ndodhet investimi, me synim përdorimin racional të burimeve
njerëzore, materiale, financiare dhe audituese të KLSH-së, në funksion të
mirëmenaxhimit të këtyre fondeve. Rritja e efektivitetit të investimeve në
projektet me financime t
ë huaja, kërkon para së gjithash studime të fizibilitetit (leverdishmërisë)
sa më të sakta dhe të gjithanshme, me pjesëmarrjen e të gjithë palëve te
interesuara, të bashkërenduara me përllogaritjet e nevojshme për kohen, formën
dhe mundësinë e kthimit të investimit, të shprehur në tregues të matshëm dhe të
dukshëm sasiorë dhe cilësorë. Eksperienca e deritanishme ka treguar se projekti
ose programi me financim të huaj merr një periudhe kohore relativisht të gjatë për
zbatimin e tij, me vonesa te theksuara, duke zbehur përfitimin përfundimtar
prej tij. Brenda vetë projektit, nuk ka gjithnjë një ekuilibër optimal midis
shpenzimeve kapitale dhe atyre operative, çka bën që jo të gjitha programet dhe
projektet të jenë të orientuara drejt zgjerimit të kapaciteteve prodhuese të
ekonomisë sonë, përmirësimit të produktivitetit të saj, rritjes së aftësive
konkurruese dhe mundësive për punësim. Edhe nëse projekti ecën mire në momentet
e fillimit, nuk janë të pakta rastet kur veprimtaria mbikëqyrëse e enteve tona
publike paraqet mangësi, duke ndikuar në cilësinë dhe në afatet e realizimit të
projektit nga kontraktori. Kjo gjeneron shpesh një ujdi të fshehtë mes
drejtuesve të projektit dhe kontraktorit dhe kjo dukuri negative kërkon para së
gjithash një monitorim të rreptë nga ana e njësive zbatuese publike, punonjësit
e të cilave duhet të jenë të përgjegjshëm, se përfitimet e komuniteteve, ashtu
si dhe huaja e marrë e që duhet paguar nga Buxheti i Shtetit, varen prej
veprimtarisë së tyre. Gjatë veprimtarisë audituese të projekteve me burim të
huaj financimi, KLSH ka synuar të analizohet përdorimi me efektivitet dhe sipas
qëllimit për të cilin janë akorduar grantet dhe huatë, si dhe si janë përfituar
të mirat dhe shërbimet me kosto efektive dhe me cilësinë e duhur, si janë
zhvilluar procedurat e prokurimit dhe zbatimi i kontratave, shkalla e
realizimit të objektivave të përcaktuara në marrëveshjet e huasë apo grantit,
si dhe realizimi i projekteve sipas grafikëve, duke identifikuar shkaqet për mosrealizimet.
Kemi konstatuar se vijon të mbetet problematike realizimi në afat i projekteve
me financime të huaja, të shoqëruara me nivele te ulëta disbursimi në krahasim
me programin e marrëveshjes, shpesh të shoqëruara me kosto shtesë në pagesën e
përqindjes për kredinë e pa tërhequr, si dhe vonesa ne realizmin e objektivave.
Në rastin e rialokimeve, rriten me tepër shpenzimet menaxheriale dhe të
konsulencës, në dëm të shpenzimeve për investime. Në projektet e
infrastrukturës rrugore, një nga shkaqet kryesore të vonesave dhe të rritjes së
kostos janë shpronësimet, ku përgjithësisht projektet nisin dhe kontratat
nënshkruhen pa përfunduar plotësisht procedura e shpronësimeve. Gjithashtu, pamundësia
financiare për kompletimin plotë të segmenteve të veçanta rrugore, ka cënuar
sigurinë rrugore si dhe standardet evropiane të kësaj sigurie. Kemi vërejtur se
jo në të gjitha rastet mbahen garancitë bankare për kontratat e nënshkruara,
duke lënë shkak për mospërmbushje të detyrimeve kontraktore dhe mungesë
penalizimi, kryesisht kjo për kontratat e shërbimeve të konsulencës. Mungesa e
bashkërendimit të kohës së përfundimit të projektit, me përgatitjen dhe
kualifikimin e personelit të nevojshëm për të vënë në zbatim investimet e
kryera, ka zvogëluar efektivitetin e projekteve kryesisht në fushën e
shëndetësisë. Ka ndodhur shpesh, gjatë zbatimit të kontratave, që si rezultat
edhe i paaftësisë së njësive të menaxhimit, nuk penalizohen kontraktorët për
tejkalim të afateve të përfundimit të kontratës, duke shkaktuar ulje të
rezultateve dhe vonesa në realizmin e komponentëve dhe objektivave të projektit
qëduhen marrë para sysh. Gjithashtu, njësitë e menaxhimit/koordinimit të
projektit nuk arrijnë të zbatojnë ligjin e marrëveshjes në mënyrë të plotë
lidhur me dokumentacionin që rrjedh prej saj (amendamentet, marrëveshje të
veçantë mbi procedurat e disbursimit, etj.) Kemi vërejtur mangësi të shumta dhe
cilësi të dobët të shërbimeve të supervizionit gjatë zbatimit të kontratave,
pasi ka raste që nuk arrihen parametrat teknike të përcaktuar në marrëveshje
për punimet e reja apo rehabilituese, duke rënë në ujdi me kontraktorin. Për
pasojë, bie cilësia e punimeve dhe ligjërohen padrejtësisht vonesat në zbatimin
e projektit. Në fushën e prokurimeve hartohen kontrata pa objektiva të matshëm
dhe pa sanksione në rastet e mos arritjes së treguesve; likuidime për shërbime
dhe punime të parealizuara dhe të pa dokumentuara, mos aplikim të penaliteteve
gjatë zbatimit të kontratës bazë, zgjatje të paargumentuara të afatit të
punimeve etj. Të gjitha këto të meta dhe shumë të tjera të konstatuara prej KLSH,
kemi synuar t’i ndreqim me rekomandimet qe kemi dhëne në auditimet tona, në bashkëpunim
të ngushtë me institucionin e audituar dhe me ministritë e organet superiore të
mbikëqyrjes. Duke qenë të ndërgjegjshëm se evidentimi i mangësive apo ndëshkimi
i personave përgjegjës në projektet me financime të huaja nuk përbën qellim në
vetvete, por kontribuon ne realizimin e një prej synimeve themelore te
Kryetarit të KLSH zotit Bujar Leskaj dhe te vete Strategjisë së Zhvillimit të
KLSH-së 2013-2017, të rishikuar, për thellimin e misionit të KLSH në luftën
kundër korrupsionit dhe abuzimeve në administrimin e pronës publike, po punojmë
për një analizë te plote te veprimtarisë dhe performancës se këtyre projekteve
dhe programeve. Ato po auditohen  jo
vetëm nga ana e zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare, por
dhe të performancës tyre. Ky aktivitet auditues kërkon njohuri të gjithanshme
dhe profesionalizëm, si rezultat i mpleksjes në zbatim të projekteve të disa
donatorëve me metoda të ndryshme veprimi. KLSH e ka rrokur ketë sfide dhe e ka përballuar
me sukses atë, në saje të trajnimeve dhe eksperiencës së grumbulluar me grupe auditimi,
me auditues të fushave të ndryshme (ekonomistë, financierë, inxhinierë, jurist,
etj.), si në SAI-t partnere, kryesisht ne Poloni, Kroaci dhe Turqi, ashtu dhe në
trajnimet brenda vendit me eksperte te fushës. Sfida e re e hedhur me miratimin
e ligjit te ri organik te KLSH-se, për mundësinë e auditimit te projekteve te
financuara nga fonde te Bashkimit Evropian, ka hapur një perspektivë te gjere përpara
audituesve te institucionit. Nga njëra ane, përafrimi i zhvillimit te ekonomisë
shqiptare me rregullat e Acquis Communautaire kërkon rritjen e efiçiencës
maksimale prej investimit të fondeve të brendshme dhe të huaja. Nga ana tjetër,
ritmi i Shqipërisë për arritjen e standardeve evropiane do të varet shumë nga
rritja e nivelit të financimeve të jashtme, si dhe e cilësisë audituese te
këtyre financimeve, në funksion të përshpejtimit te integrimit te vendit.