Alarmi, vezët e infektuara i afrohen Shqipërisë

843
Alarmi, autoritetet italiane sekuestrojnë 92 mijë vezë
Shqipëria, ende e papërgatitur për të marrë masa për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve
Autoritetet italiane kanë sekuestruar 92 mijë vezë të infektuara. Italia, duke qenë vend fqinj me ne, rrit alarmin për rrezikun e madh që këto vezë të kenë hyrë edhe në Shqipëri. Shteti shqiptar dhe institucionet përkatëse duhet të kontrollojnë vezët e importuara këtë muaj. Duhet të bëhet një monitorim i rreptë për të mos lejuar që këto vezë të infektuara të shkojnë te konsumatori. 
Vezët ishin të prekura nga insekticidi Fipronil në provincën e Viterbos e atë të Ankonës. 60 mijë prej vezëve të sekuestruara ishin të destinuara për konsum njerëzor dhe 32 mijë për ushqim zooteknik. Gjithashtu janë vënë nën sekuestrim 3 ferma me rreth 27 mijë pula, si dhe një qendër ambalazhimi vezësh. Deri më tani, Ministria italiane e Shëndetësisë ka kryer rreth 253 inspektime në ferma e në qendra shpërndarje e përpunimi vezësh. Shumë shpejt priten rezultatet e analizave edhe për rreth 107 kampionë vezësh. Analizat treguan se kampionët përmbanin, njëri 0.1 mg/kg dhe 0.017 mg/kg Fipronil. Limiti i Fipronilit për ushqime është 0.005mg/kg ndërsa niveli alarmant i toksifikimit është 0.7 mg/kg. Autoritetet italiane thanë se pikat e ambalazhimit, ku janë zbuluar vezët e kontaminuara, janë bllokuar. Ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar tregjet që janë furnizuar nga këto pika. Deri më tani, miliona vezë të kontaminuara me Fipronil janë shpërndarë në 15 vende evropiane përfshirë Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe e më tej Zvicrn e Hong Kongun. Origjina e vezëve të kontaminuara janë disa pulari në Holandë. Rastet u zbuluan nga autoritetet vendase që në nëntor të vitit të kaluar, por skandali u bë publik vetëm në korrik. Mbi vezët e prekura nga insekticidi Fipronil në Itali, autoritetet italiane kanë dhënë dy hipoteza të mundshme. E para i përket dyshimit të aktivitetit të dizinfektimit të terrenit pa praninë e kafshëve me insekticide që përmbajnë Fipronil dhe hipoteza e dytë e mundshme ka të bëjë me futjen ilegale të Fipronilit në ushqimin e pulave. Gjithashtu në mjaft ferma rritjesh pulash për të prodhuar vezë kanë nisur inspektimet dhe për mbajtjen ilegale të ilaçeve e substancave të paautorizuara në përdorim. Komisioneri Evropian për Sigurinë e ushqimit Vytenis Andriukaitis ka kërkuar që vendet t’i japin fund fajësimit të njëri-tjetrit lidhur me skandalin e vezëve. Sipas tij, ministrat europianë dhe rregullatorët e ushqimit duhet të takohen menjëherë për të diskutuar masat për këtë çështje. Vezë me prejardhje nga Holanda janë zbuluar se përmbajnë fipronil, një insekticid i rrezikshëm për njerëzit dhe gjithashtu një substancë e ndaluar nga Bashkimi Evropian për përdorim në industrinë e ushqimit. Mbikëqyrësi britanik i ushqimit deklaroi se rreth 700,000 vezë nga ferma të ndotura holandeze kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, përkundër një përllogaritjeje të mëhershme prej 21,000 vezësh. Sidoqoftë, Agjencia e Standardit Ushqimor në Britani është shprehur se nuk ka gjasa që kjo situatë të shkaktojë rrezik për shëndetin publik. Ushqimet e përpunuara që përmbajnë vezë tashmë janë tërhequr nga dyqanet në disa qytete, ndërkohë që edhe supermarkete në Belgjikë, Holandë e Gjermani kanë tërhequr miliona vezë nga shitja. Ndërkohë në Shqipëri, ende nuk ka masa konkrete për të ndaluar hyrjen në vend të mallrave apo prodhimeve që mund të rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, institucioni përgjegjës për të garantimin e sigurisë ushqimore, nuk ka reaguar për situatën e krijuar në Evropë dhe që ka vënë në alarm dhjetëra qeveri, tashmë edhe në vendet fqinje, fare pranë Shqipërisë.
Sigal