Alarm për bombë në filialin e Bankës Popullore, Berat

747
Sigal

Një alarm fals ka mbërritur mesditën e djeshme në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, ku një person ende i paidentifikuar nga policia ka konfirmuar se, në ambientet e brendshme të Bankës Popullore është vendosur një sasi eksplozivi. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilët kanë evakuuar punonjësit e bankës dhe kanë izoluar bulevardin kryesor. Kontrollet kanë filluar menjëherë në të gjithë filialin e bankës, por nuk është vërejtur asnjë kuti apo çantë e dyshuar që mund të përmbante brenda eksploziv. Drejtori i Drejtorisë së Policisë Berat, Muharrem Furriku, pas 1 orë kërkimesh në bankë, konfirmon për median se alarmi për eksploziv ka qenë alarm fals. Furriku konfirmon se, nga ana e policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit që ka kryer telefonatën anonime në sallën operative të policisë. “Ne si polica do të vazhdojmë të punojmë për zbulimin e autorit të kësaj ngjarje, i cili me dashje ka dhënë një alarm të rremë. Ende nuk dihet qëllimi i këtij alarmi të rremë, por specialistët e policisë po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarje, e cila për ne, komunitetin dhe punonjësit e bankës ka qenë një shqetësim serioz. Në ambientet e jashtme të bulevardit kanë dalë të gjithë punonjësit si dhe janë marrë masa edhe për familjet që ndodheshin në atë ambient aty pranë, pasi nuk dihej sasia e eksplozivit. Është hera e parë që në Qarkun e Beratit është dhënë një alarm i rremë për vendosjen e një bombe.