Alarm në Berat, një shkëmb gjigand gati për t’u shkëputur nga Kalaja

558
Sigal

Flet kryetari i Njësisë Bashkiake Nr. 2, Venetik Çela: “Erozioni dhe lagështia kanë shtuar rrezikun, duhet ndërhyrë:
Një shkëmb me përmasa të mëdha, ndodhet gati për t’u shkëputur nga masivi shkëmbor i Kalas së Beratit. Guri që është gati për t’u shkëputur ndodhet në afërsi të kishës, por pak sa i distancuar nga lagja “Mangalem”. Pjesa shkëmbore, ku aktualisht ndodhet guri, ka pësuar gërryerje nga erozionet e natyrës që gradualisht ndër vite kanë krijuar të çara dhe hapësira midis masivit shkëmbor dhe gurëve që janë të lidhur më të. Banorët shprehen se, shkëputja e gurit do të shkaktojë panik dhe dëme të mëdha materiale. Ai mund të bjerë në orët e natës apo edhe gjatë ditës, ku lëvizjet janë të shumta, si lëvizja e njerëzve ashtu dhe ajo e automjeteve, të cilat janë të detyruar të kalojnë në rrugën e vetme pranë lagjes “Mangalem” dhe në afërsi të shkëmbit. Kryetari i Njësisë Bashkiake Nr. 2, Venetik Çela është shprehur për gazetën “Telegraf’, se, shkëputja e gurit do të ketë pasoja të mëdha si tek dëmet që mund të bëhen, por dhe do të rrezikojë jetën e njerëzve, që lëvizin në këtë rrugë kryesore. “Bashkia e Beratit, disa herë e ka bërë prezente rrezikun, që krijohet nga shkëputja e gurëve nga masivi shkëmborë i Kalas. Jemi në dilemë të madhe çdo ditë, pasi dhe rreziqet janë prezente në këtë lagje dhe për qytetin e Beratit. Guri është gati për t’u shkëputur dhe ne s’jemi në gjendje ta ndalojmë dot atë veprim pasi ai ndodhet në rrëzë të shkëmbit në një lartësi prej 60 metrash. Gjendja është kritike për banorët pasi erozioni bënë punën e vetë, lagështia po ashtu, koha qindra vjeçare dhe tronditjet e krijuara nga automjetet me tonazhe të lartë po bëjnë punën e tyre shkatërruese”, tha Çela. Edhe vetë banorët janë shprehur, se gjendja është kritike edhe pse bashkia ka kërkuar ndihmë për të shmangur rënien e gurëve nga shkëmbi i Kalasë. Këtë mendim të banorëve e ka përforcuar edhe kryetari Venetik Çela, i cili ka thënë se, projektet janë bërë nga bashkia. “Projektet janë bërë pasi janë kërkuar nga komisioni qeveritar, që ka ardhur dy vjet më parë për të parë situatën në lagjen “Mangalem”, ku kanë rënë gurët e parë, duke dëmtuar një banesë dhe fatmirësisht nuk kishte njerëz brenda. Madje, për të parë gjendjen kanë ardhur dhe specialistët e gjeologjisë, ku kanë marrë kampionët e tokës shkëmbore, të cilët pas analizave kanë arritur në konkluzionin se shkëmbi është gëlqeror dhe vetë bazamenti është i paqëndrueshëm. E gjithë sipërfaqja, ku ndodhet lagjja “Mangalem” është e detyrueshme që të bëhen prita gjigande prej betoni, të cilët do të frenojnë rënien e gurëve. Kjo gjë po kërkohet gjithmonë nga drejtuesit e bashkisë pran qeverisë, por kërkesat e bashkisë nuk janë marrë në konsideratë”, -tha Çela.