Akuzohet për vdekjen e pacientes, zhuket rektori i Mjekësisë

1871
Sigal

E mori nga “Nënë Tereza” dhe e operoi në klinikën private duke i marrë 8400 euro. Viktima pa autopsi. Policia e Tahirit i refuzoi familjarëve denoncimin

 I ndihmuar nga segmente të policisë së Saimir Tahirit, të drejtësisë e funksionarë të lartë të shtetit, zhduket rektori i Fakultetit të Mjekësisë që e mori pacienten nga spitali “Nënë Tereza”, e operoi në klinikën private,ku punonte në këmbim të 8400 eurove, duke i marrë dhe jetën.

Pas denoncimit të skandalit të radhës, burime tepër të besueshme për gazetën “Telegraf”, konfirmojnë se ditën e diel, rektori ka fluturuar jashtë shtetit me destinacion Parisin. Po i njëjti burim shton se, “ai atje ka një shtëpi të tijën, ku banojnë dhe dy vajzat e tij. Largimi është kopsitur me segmente të drejtësisë, policisë dhe funksionarë të shtetit dhe deputetë për t’i shpëtuar denoncimit për vdekjen e pacientes Gj. H”. “Që nga data e ngjarjes dhe deri në momentin e largimit të rektorit të mjekësisë, funksionarë të ndryshëm kanë përdorur të gjitha mënyrat për ta shmangur dhe shpëtuar nga hetimi penal. Përflitet se largimi drejt Parisit, është këshilluar enkas nga segmente të shtetit, që duan të hetojnë skandalin. Ndërkohë, policia e komanduar nga Saimir Tahiri, ka refuzuar gjatë dhe marrjen e denoncimit të familjarëve në komisariatin e policisë në Kombinat në Tiranë”, shton burimi i sipërm.

Ngjarja: Në datën 29 korrik Gjinovefa H. futet në sallën e operimit në spitalin Europian nga ku del e vdekur të nesërmen, pas 15 orë operimi. Gj. H. u operua para pak kohësh në njërën këmbë për shkak të një tromboze dhe nga aty mjeku Ali Refatllari, e rekomandoi që duhej të bënte një ndërhyrje në zemër, por jo në spitalin publik pasi nuk kishte kushte, por tek spitali privat Europian i Tiranës, e cila kushtonte 8400 euro. Pas konfirmimit të lajmit familjarëve për vdekjen e saj, viktimës nuk i është bërë asnjë akt ekspertize për të mësuar shkakun e vërtetë të vdekjes. Për të gjitha këto familjarët akuzojnë rektorin Ali Refatllarin, pasi ai i dha 97 për qind siguri për jetën.

Ndërhyrjet: Që nga momenti i publikimit të ngjarjes skandaloze, ku luhet me jetën e të tjerëve sipas shumës së parave që disa mjekë marrin në këmbim, janë bërë ndërhyrje të shumta në redaksi, që kjo çështje të mbyllet me kaq dhe mos të ndiqet penalisht. Por, është  e pamundur të heshtësh përballë këtij fakti skandaloz, ku detyra e shenjtë e mjekut të kthehet “mafia e bluzave të bardha”.

Denoncimi dhe shmangia e policisë: Pas varrosjes së motrës, i vëllai Tomorr Lenja shkon të bëjë denoncimin në komisariatin e Kombinatit me oficerin e policisë gjyqësore, Shefqet Bako. Iu konfirmua se pas kësaj procedure denoncimi do dërgohet në prokurori ku dhe do i jepet drejtim kësaj çështje. Deri në këto momente familjarët nuk kanë marrë ende asnjë lajm dhe kërkojnë me çdo kusht zbardhjen e kësaj ngjarjeje. “Pasi shkova të bëja denoncimin më sorollatën gjatë e vonë më thanë që ngjarjen do ta marrë në dorë prokuroria tani, por nuk po marrim vesh asgjë, të gjithëve u është mbyllur goja. Dua të di çfarë po bëhet, apo dhe drejtësisë ia mbyllën gojën me lekë. Ne po presim përgjigje dhe veprat nga drejtësia tani, mos të rri gojëmbyllur, por të flasë dhe të zbardhi të vërtetën. Ata lloj mjekësh janë mafie se vetëm mjekë nuk mund të quhen”.

Ëngjëllush Hasanaj, djali i viktimës: “Nuk e kuptoj ende se çfarë ndodhi, është e çuditshme vdekja e mamasë time, u fut në operim buzagaz dhe doli e vdekur. Mjeku Ali Refatllari i tha dajës që nëse do ta vendosni ta operoni, bëjeni tani se në fillim të gushtit unë iki me pushime në Kroaci. Pasi i bëri të gjitha analizat e nevojshme mamasë, mjeku Aliu, me gojën e tij na tha se, gjendja shëndetësore e saj është jashtëzakonisht shumë e mirë, përveç zemrës të gjitha organet e tjera janë në gjendje perfekte. Gjithashtu, na shprehu, se kjo do të na ndihmojë që operacioni të dali me sukses dhe ishte shumë i sigurt. Unë tani dua të di çfarë ndodhi me gjithë atë siguri, çfarë ndodhi aty brenda. Nëna ime iu nënshtrua operacionit për të përmirësuar cilësinë e jetesës pasi nuk kishte asgjë të rëndë. I kam dërguar dhe një mesazh Kryeministrit Edi Rama rreth kësaj çështjeje, më tha që duhet të bëj një denoncim në prokurori dhe se do të kisha të gjithë mbështetjen e tij për të zbardhur të vërtetën. Kjo çështje nuk mbyllet me kaq pasi Ali Refatllari më ka borxh jetën e mamasë dhe do bëj ç’ është e mundur që e vërteta të dalë”.

PËRMASAT E SKANDALIT

Nisur nga ky skandal, që nga ngritja në këmbë e funksionarëve të lartë të shtetit që ‘çështja të mbyllet me çdo kusht’ e deri tek ‘arratisja’ e mjekut jashtë vendit me ndihmën e segmenteve shtetërorë, përmasat e skandalit janë shumë të mëdha e të frikshme. Policia u refuzoi në fillim familjarëve (vëllait të viktimës), viktimës nuk iu bë autopsia, paratë (4400 euro) nuk u kthyen familjarëve… Gjithçka në funksion të mafies së bluzave të bardha, deri në ‘arratisjen’ e të akuzuarit.

 Gerjola ÇAUSHI