Akuzat për pastrim parash, detyrim paraqitje për financieren e Becchetti-t, arrest shtëpie bankieres

69
Gjykata e Tiranës ka vendosur sot masat e sigurisë për dy nga të arrestuarit për pastrimin e parave të biznesmenit italian, Becchett-i, pronarit të televizionit “Agon Channel”.
Kështu, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për financieren e bizneseve të Bechetti, Erjona Troplinin, ndërsa është dhënë masa e detyrim paraqitjes për drejtoreshën e “Veneto Banka”, Pranvera Gjikën.
Ato u arrestuan vetëm një ditë më parë nga policia, pas vendimit të gjykatës. Ndërkohë, ka edhe një urdhër arresti për vetë Francesko Becchetti-n
Krahas shpalljes në kërkim të biznesmenit italian, Prokuroria ka vendosur sekuestro mbi llogaritë bankare dhe pronat e Francesco Becchetti-t, i cili mësohet se nuk ka qëndruar në Shqipëri së paku prej pesë muajsh.
Në njoftimin zyrtar të shpërndarë dje, Prokuroria e Tiranës ka bërë me dije se sekuestroi, pas lejes së dhënë nga gjykata, 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”, shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”, si dhe bllokoi llogari bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga shtetasit Francesco Becchetti, Liliana Condomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini.
Këta persona, sipas Prokurorisë, janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigande pastrimi parash, e cila arrin në rreth 40 milionë euro në total. Burimet zyrtare sqaruan dje se Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, e ka nisur hetimin për këtë çështje në vitin 2014.
ABUZIMET
Referuar deklaratës së shpërndarë dje nga ana e Prokurorisë, thuhet se në bazë të hetimeve të deritanishme nga organi i akuzës në Tiranë është arritur të krijohet një situatë e qartë mbi mënyrën se si ka funksionuar kjo skemë.
Sipas deklaratës, Prokuroria e Tiranës konsideron si organizator të skemës shtetasin italian Francesco Becchetti, i cili, në bashkëpunim me nënën e tij, shtetasen Liliana Condomitti, kanë qenë të përfshirë në një marrëdhënie financiare koncesionar-kontraktor për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Shqipëri.
Organi i akuzës bën me dije se hetimi ka sqaruar faktin se koncesionari “KEG”, i kontrolluar në shumicë aksionesh nga një kompani e Francesco Becchettit, ka kontraktuar për punime kompaninë “Energji”, e kontrolluar në mënyrë absolute nga nëna e tij, Liliana Condomitti.
Në këto kushte, sipas Prokurorisë, nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi, këta dy shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro.
Këto shuma të mëdha parash, sipas Prokurorisë, më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre, në bashkëpunim edhe me shtetasit M.R dhe E. T. “Një pjesë tjetër të parave të përfituara nga manovrat financiare i kanë depozituar në disa banka”, bëri me dije Prokuroria.