Akuzat e PD, Çela: Jam i pastër me vendim të Prokurorisë Durrës

527
Sigal

TIRANE – Administratori i ri i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Ardian Çela ka hedhur poshtë akuzat e bëra dje nga ana e Partisë Demokratike se ndodhet nën hetim për dëm ekonomik në vlerën 1.3 milionë dollarë, në kohën që ishte kryetar i Komisionit të Tenderave në Bashkinë e Durrësit.

Në një prononcim për mediat, gjatë mbajtjes së seancës dëgjimore të ERE lidhur me kërkesën e kompanive të sektorit energjetik për rritje të çmimit të energjisë, Çela mohoi akuzat e PD, duke i cilësuar si të pavërteta, ndërsa shtoi se nuk është nën hetim dhe për të faktuar këtë ka vendimin e Prokurorisë Durrës.

Administratori i OSHEE, u shpreh se së shpejti do të shpërndajë për mediat vendimin në fjalë nga ana e Prokurorisë.

“Kam objektiv të ccoj përpara këtë kompani që synon të rrisë shpenzimet e qeverisë. Sa i përket akuzave unë jam i qetë dhe i ftohtë pasi akuza të tilla politike vijnë herë pas here. Për akuzën konkrete jam i pastër ku kam deklaratën e prokurorisë durrës. Zyra e medias do ta shpërndajë dhe do të jetë në dispozicion. “ theksoi Çela

Çela: 20 sportele të reja në Tiranë, të hapura edhe në fundjavë
Çela u ndal edhe në fluksin e madh të qytetarëve për të paguar energjinë, falë edhe vendimit të ri të marrë nga ana e qeverisë, që u fal në masën 80% kamatëvonesat për të gjithë ata që shlyejnë detyrimet e prapambetura të energjisë deri më 1 mars. Administratori i OSHEE, tha se skema e re ka filluar të zbatohet që dje, dhe se për këtë ka patur një fluks të madh njerëzish.

Megjithatë Çela siguroi se nga ana e saj OSHEE po merr të gjitha masat për tu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për këtë do të punohet me dy turne edhe gjatë fundjavës. Po ashtu Çela nënvizoi hapjen e 20 sporteleve të reja sot vetëm në Tiranë.  

“Aplikimi i formulës së re për falje të kamatëvonesave  në masën 80% ka filluar që dje. Kanë punuar dje deri në orën 10:00 të natës, fluksi është i papërballueshëm. Janë shtuar mbi 20 sportele që sot në Tiranë. Ka afat nuk mbaron sot, zyrat do të rrinë të hapura edhe në fundjavë. OSHEE do t’i përgjigjet kërkesave të qytetarëve., ne synojmë të realizojmë të gjitha, ne dimë sa janë humbjet në rrjet. “ tha ai

Ditën e djeshme është shënuar një fluks i madh banorësh në kryeqytet të cilët kërkojnë të paguajnë faturat e prapambetura të energjisë, të favorizuar edhe nga vendimi i qeverisë për faljen në masën 80% të kamatëvonesave.