Akuzat dhe hetimet/ Jorgo Mandili: Korrupsioni e nepotizmi, stuhi në universitetet italiane, heshtje olimpike në Shqipëri

878
Stuhi në universitetet italiane për korrupsion e nepotizëm, heshtje olimpike në universitetet tona 
Lajmi i bujshëm – Nga Siena në Bolonja, deri në Napoli. Arrestohen shtatë docentë universitarë, 59 të hetuar. Akuza dhe ndaj ish-ministrit Fantoci. Kanë përfunduar në arrest shtëpie 7 docentë universiteti, titullarë katedre të së drejtës tributare në disa universitete italiane. Akuza është për korrupsion. 22 docentë janë pezulluar nga funksionet universitare si dhe nga çdo detyrë akademike për një periudhë 12 mujore. Totalisht janë 59 persona të hetuar për korrupsion. Disa nga docentët e përfshirë kanë dhe detyra si zyrtarë publikë, pasi janë anëtarë të disa komisioneve shtetërore të krijuar nga ministria e arsimit. Ndër të hetuarit është edhe ish-ministri Fantoci. Augusto Fantoci ka qenë ministër i Financave në qeverinë Dini dhe i tregtisë në qeverinë Prodi. Nga 2009 është rektor i Universitetit ¨Gustino Fortunato¨ në Benevento ku ka dhe detyrën e profesorit të së drejtës tributare për sipërmarrjet private. Hetimet morën shkak nga tentativat e disa profesorëve që këshillonin kërkuesit shkencorë, kandidatë në konkursin e së drejtës për të dhënë leksione universitare, që të ¨hiqnin dorë¨ nga kjo kërkesë, për të favorizuar një të tretë, “beniamin” të tyre, që posedonte një CV shumë herë më të varfër. Kandidatëve, që hiqnin dorë, për t’i lënë rrugën të lirë beniaminit të tyre, u premtohej se do të kiheshin parasysh herën tjetër. Nën hetim përfunduan dy sesione konkursi për fitimin e së drejtës së dhënies së leksioneve universitare në territorin shtetëror. Sesionet e 2012 dhe 2013 për të cilat u bënë denoncimet. Akuza: ¨Marrëveshje korruptive sistematike¨ ndërmjet docentëve universitare për të dhënë të drejtën e mundësisë për të dhënë leksione ¨jo mbi vlerësime të bazuara mbi kritere meritokracie, por vlerësime të orientuara nga interesa personale ose lidhjesh nepotike”. Kjo është ajo çfarë doli nga hetimi ¨ i kryer nga Guardia di Finanza e Firences dhe i ekzekutuar një javë më parë në gjithë territorin e vendit. Sipas të dhënave të para docentët universitare, që përfunduan në arrest shtëpie, janë banues në Milano, Livorno, Roma, Bolonja, e Napoli dhe janë titullarë katedre në universitetet e Sienas, Napolit, Cassinos, Bolonjës e Kastellanca Vareze. Gjatë hetimeve flakët e verdha (quhen ndryshe funksionarët dhe policët e Rojës së Financës për shkak të simbolit të flakës së verdhë në kapelet e uniformës së tyre) kanë kryer mbi 150 kontrolle në zyra publike, banesa private dhe aktivitete e zyra profesionale. Kjo tregon se korrupsion dhe nepotizëm ka edhe në universitetet evropiane por…. kur denoncohen ato hetohen dhe ndëshkohen nga shteti ligjor. E kundërta ndodh tek ne. Me dhjetëra denoncime nga mediat e shkruara dhe emisionet investigative për rekrutime pedagogësh me dokumente false dhe abuzive të dukshme. Asnjë hetim, asnjë masë parandalimi. Edhe disa veprime që janë bërë nga prokuroria dhe organet ligjzbatuese më tepër kanë qenë show. “Burgosje” pedagogësh, hetime në gjendje të lirë e pastaj gjithçka në heshtje. Ky ritual show vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe do të vazhdojë. Çuditërisht në një kohë me skandalin korruptiv dhe nepotik u denoncua nga organizata “Lëvizja studentore”, një skandal nepotik me përmasa të mëdha në Universitetin e Tiranës. Kjo organizatë Studentore ka bërë një punë kërkimore duke analizuar lidhjet mes pedagogëve në Universitetin e Tiranës dhe ka zbuluar se janë të paktën 115 pedagogë, të cilët kanë lidhje direkte familjare me njëri tjetrin, ose janë burrë e grua, ose janë prindër e fëmijë, ose kushërinj të parë, pa llogaritur fakultetin ekonomik. Skema mund të jetë edhe më e madhe, nëse analizohen lidhjet më të gjera familjare apo favoret politike. Dhe i kanë paraqitur në një listë analitike të 115 emrat dhe lidhjet e tyre me njëri tjetrin. Reagimi publik ishte i menjëhershëm. Ja disa reagime qytetare: Nepotizëm dhe korrupsion i sferës publike. Vlon korrupsioni dhe favoritizmi. Bravo studentëve për këtë demaskim. Ju lumtë për kurajën, por dilni paksa edhe nga fakultetet e tjera, si farmaci, mjekësi, arkitektura. Keni akoma të tjerë plot, madje edhe brenda një departamenti burrë e grua, apo prind e bir/bijë. Hidhni një herë nga universitetet periferike dhe “xhevahire” nepotike skandaloze do të gjeni. Madje kohët e fundit në disa universitete të jugut janë bërë rekrutime me procedura të ngjashme me ato të sipërpërmendura të universiteteve italiane. Identike. Në këto universitete keni lidhjet me të forta nepotike dhe më të korruptuara që turpërojnë dhe që dëmtojnë sistemin akademik. Nepotizëm galopant… Kështjellë nepotike. Krijimi i një perandorie nepotike. Ky nepotizëm dhe korrupsion – një njollë mortaje e akademizmit universitar dhe e arsimit të lartë. Është krijuar një “specie” e vrastarizimit të arsimit të lartë dhe denigrimit të shoqërisë sonë. Po në të njëjtën kohë në njërën prej gazetave të përditshme, Eno Shkëmbi shkruan: “Plas” korrupsioni sheshit në Universitetin e Elbasanit/ Studentët kërcënojnë t’u djegin makinat pedagogëve (Publikuar më 20. 09. 2017 nga Eno Shkëmbi) Është klasifikuar si një nga universitetet më të korruptuara, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë, pasi kryeson listën i pari. Përpos qytetit antik që nuk i ngjet fare, ky universitet nuk duhet të mbajë mbi shpinë emrin e një qyteti si Elbasani, pasi e deformon shumë. Ky ‘han i pistë’ universiteti ka në përbërje lekistët më të mëdhenj në Shqipëri dhe këta janë pedagogët, me vilat e tyre në gjithë vijën bregdetare, nga Shkodra deri në Sarandë dhe këto lekë i kanë bërë duke vjedhur studentët. Çmimet për një provim variojnë nga 100€ deri 450€. Ky është skandali që e shoqëron këtë universitet vite me radhë. Korrupsioni tani është bërë i zakonshëm pasi pedagogët, ka pasur raste, e kanë thënë edhe në auditor me 80 studentë dhe s’iu bën më përshtypje kjo gjë, pasi kanë mik të fortë në qeveri. Studentët kanë reaguar dhe disa prej tyre kanë marrë edhe angazhime për t’u djegur makinat, pedagogëve të korruptuar. Njeri u shpreh:“Jam me rezultate të larta, nuk e di pse nuk ma jep, provimin, nuk mora pjesë në mitingun e partisë së pedagoges dhe ajo më ka marrë inat”. Kjo torturë ndaj studentëve duket se nuk mbaron kurrë. Korrupsioni ka mbytur këtë universitet me emër dhe kupola e madhe e krimit ka kohë që është bërë pjesë e Shqipërisë dhe është pa limit, paçka se propaganda llomotit në ajër ” Ky “ferr” universitar që “përvëlon” studentët dhe u merr dinjitetin dhe të ardhmen e tyre është përshkruar në mënyrë të shterur nga një studente e një universiteti jugor: “Për fat të keq, dua të bëj një denoncim ndaj atyre pedagogëve, që dalin para auditorëve, pa qenë të aftë profesionalisht e shkencërisht, pavarësisht se kanë grada e tituj akademikë, si dhe ndaj autoriteteve drejtuese, që lejojnë një turp të tillë. Dhe akoma më keq, që pedagogë të tillë përhapin opinione tek studentët, se lënda që ata japin është “shumë e vështirë” dhe pa një “ndihmese”, vështirë të merren vlerësime pozitive në provime. Këta pedagogë me ndërgjegje marrin përsipër paturpësinë morale përballë studentëve në auditor dhe opinionit publik, të japin vlerësime të pamerituara për studentët, duke shkelur të gjitha rregullat e etikës universitare dhe ligjore. Unë, nuk e di, nëse duhet ta pranoj një gjë të tillë, që këta pedagogë të paaftë të firmosin diplomën time. Dhe më vjen keq, madje ndjej një mëshirë të thellë për veten dhe të gjithë studentët që ulen nëpër auditore, ambiciozë dhe plot ëndrra për të ardhmen. Të dashur studentë, respektoni veten tuaj, që nesër t’ju respektojnë edhe nderojnë të tjerët juve! Nepotizmi është një dukuri e pështirë, e këtij “ferri universitar”, që ka ndikuar në rrënimin e universiteteve.,, ku për rekrutimin e pedagogëve apo në përzgjedhjen e lidershipit akademik (drejtor shkollash, drejtor D. A. R. – esh, rektorë, dekanë etj kuadro politike të arsimit) ua nënshtron të gjitha kriteret, vlerat dhe meritat, që do të duhej të përcaktojnë atë përzgjedhje dhe atë punësim meritokracie, përkatësisë familjare, fisnore, partiake dhe miqësore. Institucionet arsimore duke filluar nga çerdhet e deri te universitetet, nga D. A. R – et e deri në dikasteret e M. A. S. – it, janë “vendet më ekzotike” për politikanët dhe pushtetarët për të punësuar të afërmit, miqtë, shokët, familjarët; djalë, vajzë, nuse, dhëndër, krushq, burrë e grua, nipër e mbesa etj, e militantët e tyre. Mënyra se si rekrutohen tashmë dihet prej të gjithëve: me show-konkurset, zgjedhje “farsë”, kredenciale akademike të dyshimta, rankime e provime për të maskuar përzgjedhjen e të preferuarve të tyre e shumë “kriptoforma” të tjera të shpikura nga ata drejtues që janë rekrutuar po me të njëjtat mënyra. Janë këto arsyet që heshtja homerike ka pllakosur drejtësinë, me prokurorë, gjyqtarë e hetues, politikën me deputetë e pushtetarë qendrorë e vendorë si dhe të gjitha organet ligjzbatuese të arsimit duke filluar nga Bordet e universiteteve që janë bërë palë me rektorët e tenderëve e deri tek MAS, të cilët sillen me arrogancë ndaj të gjitha denoncimeve të bëra nga gazetarë, profesorë, pedagogë, studentë e qytetarë të ndryshëm për korrupsion në universitetet publike. Por… vetëm Heshtje, Heshtje dhe vetëm Heshtje për të gjitha problemet që ekzistojnë në universitetet publikë. Shikoni se sa artikuj janë shkruar për arsimin e lartë gjatë viteve të Rilindjes. Me dhjetëra. Reagimi? Zero! Një mëndje madhësi dhe një qëndrim narcizist emblematik i mbajtur nga drejtues mediokër e delirantë. Disa herë i është kërkuar Ministres të bëjë atë që po bën ministri Xhafa me policinë. Vetingun në universitete. PASTRIMIN E TYRE NGA NEPOTIZMI, KORRUPSIONI DHE MEDIOKRITETI. Ky “ferr” në universitete është kthyer në sistem, sepse ai mbrohet nga organet ligjzbatues, shpesh për interesa të tyre subjektive apo nga mentorët e tyre partiakë apo pushtetarë për të njëjtat interesa apo edhe nga lidershipi akademik, ndoshta si ortakëri. Prandaj edhe lufta ndaj kësaj të keqeje, bëhet shpesh e vështirë, por jo e pamundur, pavarësisht sofistikimit të tij. Por deri kur kjo Heshtje e Papërgjegjshmëri? Por deri kur ky indiferentizëm dhe mospërfillje e organeve ligjzbatuese? Siç duket përballë kësaj heshtjeje “olimpike” janë të pafuqishme edhe perënditë!


Sigal