AKU zbaton skenarin e bashkive për të favorizuar mishin e importit, bllokon tregun vendas

850
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, që ka për detyrë të kontrolloj sigurinë ushqimore, ka nisur të bëhet pjesë e një loje të inskenuar nga bashkitë e qyteteve, të mbështetur edhe nga prefekturat e qarqet, lidhur me tregun e mishit vendas. Siç dihet, 1 muaj më parë u hap “nami” e dha “alarmi” fals nga shteti, sikur në Shqipëri ishte futur sëmundja e gjedhit me emrin “Dermatoza nodular”. Pas investigimit dhe denoncimit prej gazetës “Telegraf”, rezultoi se kjo ishte lojë e monopolistëve të mishit të importit, në bashkëveprim me pazarxhinjt zyrtarë të lartë të shtetit, për të favorizuar biznesin e tyre të pisët me mish e produkte mishi “vrasëse”. Ky alarm fals, u dha me qëllim që në këtë fluks konsumi mishi në sezonin e plazhit, të bllokohej tregu i mishit vendas dhe të favorizohej tregu i mishit e bagëtive të importit, gjë që vërtetohet nga fakti, se u bllokuan me dhunë tregjet e shitjes e të therjes së gjedhit dhe bagëtive brenda Shqipërisë, por u la i hapur kufiri e doganat shqiptar, për futjen e tyre nga importi, megjithëse u tha se sëmundja ishte shfaqur nga matanë kufirit, më saktë në vendet nga importoheshin bagëtitë dhe mishi. Pasi u zbulua ky skenar djallëzor për të rrënuar qëllimisht tregun e gjedhit, bagëtive dhe të mishit vendas në favor të mishit të importit, dy ditë më parë është futur në lojë një skenar tjetër bllokues i tregut të mishit e bagëtive të vendit, po në favor të importuesve monopolistë, të cilët duhet thënë se janë shtetarë, ish-shtetarë, politikanë, familjarë e madje edhe shtetarë të vendeve nga vijnë mishi dhe bagëtitë e importit! 

Një letër e ardhur në redaksi nga një fermerë nga Buzi i Tepelenës, denoncoi me detaje këtë skenar bllokues të tregut të mishit e bagëtive të vendit. Çfarë ndodh? Nisur prej ligjit dhe projekteve decentralizuese të aktivitetit e kompetencave të 61 bashkive të reja, Ministria e Bujqësisë ka përcjell tek bashkitë procesin e kontrollit veterinar të tregut të mishit e bagëtive që janë lëndë e parë për prodhim mishi e nënprodukte mishi. Sipas këtij organizimi të ri, bashkitë kanë të drejtën dhe detyrimin ligjor të kontrollojnë bagëtitë që shkojnë për prodhim mishi. Këto bashki, kanë në strukturë administrative edhe veterinerët. Këta “vulaxhinj” duhet të kontrollojnë çdo “kokë bagëti| e çdo kilogram mish që shkon tek kasapi dhe që del në shitje! Por çfarë ndodh? Veterinerët gjenden vetëm në qendrat e bashkive. Në ish-komunat e shkrira të cilat janë kthyer në Njësi administrative nuk ka më veterinerë, ose siç i quajnë me qesëndi “vulaxhinj” formal, të cilët marrin ndonjë “qese të përbrendshme” ose ndonjë 200 lekësh dhe vendosin vulën fiktivisht mbi mish tek kasapët dhe shitësit e mishit dhe japin raportin veterinar “i sigurtë”. Po kështu, bashkitë kanë krijuar “kasapët monopol”, ku duhet të paraqiten të gjithë fermerët që duan të therin bagëti. Sipas rregullores së bashkisë, përpara se një bagëti e imët, lopë, apo viç e madje edhe pulë të theret duhet të miratohet nga veterineri i bashkisë, i cili jepe lejen me shkrim, për ta çuar ose jo në thertoren e baskisë, që gjendet në qendër të qytetit ku gjendet selia e bashkisë dhe që në çdo bashki ka vetëm nga një të tillë, si “kasap monopol”. 

Sipas urdhrit të bashkive, vetëm atje duhen therur bagëtitë. Mirëpo, fermeri nga Buzi i Tepelenës nuk ka veteriner në zonë, sepse ai gjendet në qendër të bashkisë në Memaliaj, ose 80 kilometër larg. Veterineri nuk shkon në Buz sepse nuk mundet të shkoj në Buz e zona të tjera skajore sa herë i teket një banori të ther bagëti për treg. Ndaj, duhet të shkoj fermeri tek veterineri, për të përcaktuar nëse lopa, viçi, delja, keci, cjapi, dashi, pula e lepuri duhen therur ose jo për mish! Pra, fermeri nga Buzi, Selcka, Rabija, Progonati, Dhëmblani e Tepelenës, nga Rehova, Sinja, Karakanjozi e Zhapokika e Beratit, nga Bubësi, Alipostivani, Frashëri e Çorogunja e Përmetit, duhet të udhëtojnë qindra kilometër me bagëtitë ngarkuar në makina e tërhequr “për litari” dhe të paraqiten në qendër të bashkive Përmet, Këlcyrë, Berat, Memaliaj, Tepelenë e në çdo bashki tjetër, që të marrin vulën tek veterineri! Dhe çfarë ndodh? Veterinerët që kanë “urdhër nga shefat” për të bllokuar tregun e mishit vendas e për të favorizuar mishin e qelbur, të kalbur e kancerogjen të importit, nuk ua miratojnë therjen e bagëtive, duke mos i lejuar të shkojnë tek “kasapi monopol” i bashkisë, ose u ndalojnë nxjerrjen e mishit në treg. Dhe pa vulën e “vulaxhiut” veteriner, fermeri nuk ther dot bagëti dhe nuk shet dot mish, sepse nuk ta pranon askush pa vulë, mbasi ka gjoba, sekuestro malli e pajisjesh, ose bllokim biznesi. Pikërisht, në këtë moment futen në lojë “horrat” e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të cilët duhet thënë me plotë gojën e me artopalant nga maja e “Minares” në mes të Tiranës, se një “çetë” që ka marrë peng AKU e ka kthyer funksionin ligjor të këtij institucioni, në “kobure për të gjuajtur” e mbledhur ryshfete nga bizneset me presione gjobash, por edhe për të bllokuar disa biznese e për të favorizuar disa biznese të tjera, të cilët janë biznese të tyre, të familjarëve, të ortakëve e shefave të tyre brenda AKU, brenda ministrisë e kudo.

 Një rast konkret të cilin gazeta e disponon me prova e që do ta publikoj në vijim, ka ndodhur përpara disa ditëve me një biznes ferme mbarështimi gjedhësh, qumështi e paketimi orizi, të cilës kupola e AKU i vërsuli “xhelepexhiun” e saj të besuar, për ta “mjelë” këtë biznes, në të kundërt për ta gjobitur si ndëshkim (mësim) të mos dhënies së “tarifës për partinë e shefave të AKU”, duke ndodhur që pas kundërshtimit, biznesit iu vendos gjoba 6.5 milionë lekë, por që iu hoq nga “shefi i komisionit të AKU” pas kërcënimit të biznesit, për denoncim në media e prokurori! Këtë rol, kupola e AKU po e luan me mjeshtëri edhe në rastin e tregut të bagëtive e të mishit vendas, futur në këtë lojë si “kamikaze” e bashkive, duke bllokuar tregun e mishit vendas. Konkretisht, AKU shkon në dyqane për kontrolle të sigurisë. Nëse gjen mish pa vulë e pa raport mjekësor veterineri, gjobit, sekuestron mishin, ose bllokon dyqanin. Por edhe këtë, po e bënë me klientelizëm, mbasi atje ku nuk “kafshon” meqë janë biznese të “fortësh” e shtetarësh lejon tregtim pa vulë e pa raport mjekësor. Gjithçka bëhet për të bllokuar tregun vendas dhe për të favorizuar tregun e mishit të importit. Shtrohet pyetja: Fermerit shqiptar i kërkohet vulë veterineri që bagëtia lejohet të theret, vërtetim nga “kasapi monopol” i bashkisë për therjen, kërkohet vulë sigurie mishi prej shitësit në dyqan. Po atyre që shesin e përpunojnë mish importi me orgjinë “Honoluluja” dhe me 2 vjet udhëtim nëpër vaporë e me 30 vjet gjendje frigoriferike, a i kanë në rregull “letrat e sigurisë” nga veterinerët e bashkive dhe a kontrollohen realisht nga “hijenat” e AKU?! 
Sigal