AKU, “miniera e milionave” që po helmon shqiptarët

1671
Përparim HALILI
AKU me drejtor tornitor, 70% e nëpunësve jashtë profesionit, 30% me diploma false, në zyra sundon nepotizmi-falsiteti-korrupsioni 
KLSH dha alarmin, kryeministri ta shpëtojë këtë institucion edhe viktimë pazaresh të tij, dhënë partisë “shezllon” PDIU, që në shkëmbim të votave e ka përdorur si “minierë milionash” 
Grupi auditues i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), tre ditë më parë ka zbuluar, detajuar e publikuar shumë nga denoncimet që “Telegraf” ka bërë në 3 vitet e fundit, për mungesën e sigurisë ushqimore, për shkak të “llumit” në administratën dhe aktivitetin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në terren

Kemi denoncuar faktin, që nëpërmjet ryshfeteve, shefat dhe inspektorët e AKU lejojnë të futen në Shqipëri e të shiten në treg ushqime të pajisur me etiketa false prodhimesh “marke”, lejojnë nëpër njësi tregtare produkte me data skadence të falsifikuara, lejojnë që produktet e qumështit, mishit, sallamrat, prodhimet e pastiçerive e madje edhe bukët e pa shitura në afat skadence, të rifuten në proces prodhimi 

Tre drejtorët që janë emëruar në krye të AKU-së, pas pazareve të partisë çame me krerët e pushtetit, nuk kanë drejtuar por kanë shkatërruar këtë institucion dhe shërbim sigurie jetike për konsumatorin, duke lejuar krimin ushqimor në prodhim, import e tregje, në emër të përfitimeve financiare
Prej 3 vitesh, gazeta “Telegraf” e ka etiketuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, si “moçal korrupsioni, klientelizmi, nepotizimi dhe lejuese me vetëdije të krimit ushqimor”, për shkak se prej “Rilindjes” u la “zonë e lirë” (e ka ende) për partinë çame, si blerje me “klering” të votave parlamentare të 2013-ës, që kjo parti “ambulatore” i kishte marrë nga lista e PD. Denoncimet e bëra nga “Telegraf”, nuk kanë pasur lidhje me faktin, që kreu i partisë çame Shpëtim Idrizi i çon votat e partisë vetëm “atje ku ka lekë”, provë të cilën e ka dhënë përherë. Shumë nga denoncimet që ka bërë “Telegraf” për “llumin” në administratën dhe shërbimin në terren të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), tre ditë më parë janë zbuluar, konfirmuar e publikuar edhe nga grupi auditues i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili nëpërmjet një raporti “bombë” ka konstatuar se kontrolli ushqimor në prodhim, importe dhe treg është pothuajse jashtë kontrollit.
AKU me drejtor tornitor, 70% e zyrtarëve jashtë profesionit dhe 20% me diploma false
Si një nga shkaqet e kontrollit fiktiv ushqimor në Shqipëri, KLSH ka evidentuar faktin, që administrata dhe rrjeti i inspektorëve në terren janë jashtë profesioneve që kërkon eficenca kryerjes së detyrës në këtë shërbim. Pikërisht këtë fakt, gazeta “Telegraf” e ka denoncuar vazhdimisht, duke publikuar edhe fakte konkrete. Aktualisht, drejtoria e Përgjithshme e AKU drejtohet nga Dritan Sejko, me profesion tornitor me shkollë të mesme, fituar në shkollën e mesme “Ali Myftiu” në Elbasan. Mjafton te lexosh “CV” e plotësuar prej tij dhe të dorëzuar nga kreu çam Idrizi, ditën e emërimit tek kryeministri Rama dhe bindesh për krimin administrativ e funksional që është bërë me fatin e drejtimit të një institucioni e shërbimi, që ka lidhje me cilësinë e bishtave të lopatave, por me luftën kundër krimit ushqimor! Sipas “CV”, thuhet se drejtori aktual i AKU ka kryer shkollën e mesme për tornitor. Pas përfundimit të saj, ka nisur studimet në Universitetin e Tiranës, dega Inxhinieri Mekanike, por në vitin 1991 e ka ndërprerë në vitin e parë, mbasi ka shkuar emigrant. Në emigracion, thotë se ka punuar në një biznes shtypshkrimesh, ku ka marrë diplomë si “Menaxher” dhe për përdorim kompjuteri! Pastaj, direkt nga emigracioni, thotë se ka nisur dhe ka kryer studimet në Fakultetin Juridik në Elbasan, dega “Jurisprudencë”. Më pas deklaron, se po që nga emigracioni është diplomuar “Master në marrëdhëniet juridike ndërkombëtare” në Shkup! Pas përfundimit të studimeve “Master”, ka punuar administrator në shtypshkronjën “Sejko” në Elbasan, ku aktualisht shtyp edhe etiketat e bizneseve ushqimore! Prej andej, në tetor 2013 është emëruar Zv/Drejtor i Hipotekës së Tiranës si intelektual përfaqësues i partisë çame, por shkarkuar për “ca shkelje të vogla” me dosjet e pronave! Në “CV” e tij, ka vendosur gjithashtu edhe postet e larta politike si zv/kryetar e kryetar i shoqatës lokale “Çamëria” dhe drejtues në strukturat e partisë çame! Sikur të mos mjaftonte ky fakt skandaloz e turp administrativ, 70% e zyrtarëve dhe shefave të AKU në qendër, rezultojnë të jenë emëruar në AKU, jashtë profesionit që kërkon kontrolli ushqimor. Skandali në AKU thellohet më tepër, kur mëson se në 30% e këtij institucioni në qendër dhe në drejtoritë rajonale, është mbushur me drejtues, nëpunës, krye-inspektorë e inspektorë të diplomuar edhe për regjisor, pianistë, aktorë e balerinë, oficerë sigurimi e marine, mësues filloreje e fizkulture! Zyrat e AKU janë tej-mbushur me familjarë të drejtorëve qendror e rajonalë! Në AKU, jo vetëm në drejtoritë rajonale por edhe në drejtorinë qendrore, drejtori tornitor ka gjetur e ka lënë dhe ka sjell e ka emëruar drejtues sektorësh, shefa inspektimesh, drejtues shërbimesh e inspektorë me diploma false të cilët përbëjnë 20% të strukturës organike të AKU, skandal për të cilin gazeta “Telegraf” ka kërkuar informacion zyrtar, por drejtori tornitor ka refuzuar për shkakun se është pjesë e këtij skandali

Fakte të denoncuar nga “Telegraf”: AKU e kthyer në “çerdhe korrupsioni”, lejon krimin ushqimor në prodhim, import dhe tregje 
FAKTI/60% e drejtuesve, shefave dhe inspektorëve në AKU, me biznese ushqimi
Duke marrë nxitje, nga një informacion i ardhur në redaksi për një linjë prodhimi ushqimesh e lëngjesh që punonte duke përdorur afro 50% lëndë të parë, produktet e mbetura pa shitur nëpër super-markete e tregje, prej kalimit të afatit të skadencës, shkova në atë fabrikë si blerës shumice. Por me letrat e kontrollit të AKU ihte plotësisht në rregull, në të 17 rastet që ishte inspektuar! U interesuam në disa burime të tjera informacioni dhe rezultoi, se ishte biznes i shefit të AKU të Qarkut! Çfarë ndodh? Drejtuesit kryesorë, zyrtarët, shefat por edhe inspektorët e AKU në qendër e rajone, kanë shumë biznese shërbimesh e prodhimesh ushqimore të çdo lloji, madje edhe që janë subjekte kontrolli prej tyre! Në AKU, kur u thamë për këtë shkelje ligji mbi konfliktin e interesit, na e mohuan, por është fakt që kanë restorante, bar-kafe, linja përpunim-prodhim agro-biznesi, biznese importi ushqimore shtazore e jo shtazore, fidanësh, pesticidesh bujqësore, fabrika prodhimi uji, linja përpunimi bulmeti, sera perimesh, pemëtore, linja prodhimi pijesh alkoolike, sallami, akulloresh, vreshta, mini-fabrika birre e vere, ferma bagëtish të imta e të trasha, fabrika mielli, furra buke e linja pastiçerie, thertore, dhoma frigoriferike, dyqane shitje mishi e nënprodukte mishi, import-eksporte produktesh të gatshme, katering, “Fast-Food”-e, piceri, farmaci e qendra për farëra bujqësore, pulari, fabrika përpunimi mbetjesh shtazore! Sipas ligjit dhe pozicioneve zyrtare që kanë në AKU, ata kanë për detyrë të kontrollojnë bizneset e tyre dhe natyrisht, ta nxjerrin në “rregull” me cilësinë dhe sigurinë!
Rrëfen një veteriner i AKU-së: 80% e mishit të importit rezulton me 20-25 vjet gjendje frigoriferike
Bashkë me një kontrollor inspektor veterinarë të AKU, po ndiqnim debatin në media për ushqimet e skaduara e të falsifikuara që importohen, prodhohen, përpunohen e tregtohen në Shqipëri, të cilat i konsumojnë shqiptarët! Ndërsa të ftuarit në emision, përfaqësues të AKU, policisë kriminale, Shëndetit Publik dhe shoqërisë civile po flisnin me “statistika pozitive” dhe pranonin “ndonjë rast sporadik” abuzimi me ushqimet, bashkëbiseduesi im veteriner, më tha: – “Sikur ta dish ti, se çfarë futet në Shqipëri e se çfarë hanë shqiptarët”! Po publikojmë bisedën e plotë me të: 

“TELEGRAF”: – Çfarë hanë shqiptarët, unë ti, tjetri, ne populli?
VETERINERI: – Hanë ushqime, që nëpër botë nuk i hanë as kafshët e uritura e të braktisura të rrugës. Ne hamë ushqime, që shtetet e huaja nuk i hedhin as në koshat e plehrave, por i groposin me ligj 40-50 km larg qendrave të banuara, për t’u mbrojtur nga epidemitë.

“TELEGRAF”: – Si futen në Shqipëri, këto ushqime?
VETERINERI: – Këto ushqime i fut në Shqipëri mafia dhe klanet shtetërore shqiptare të ushqimeve, në bashkëpunim me prodhuesit në vendet ku i marrin, duke shfrytëzuar ligjin e shfuqizuar të vitit 2001 për lejimin e importit të mbetjeve të plehrave dhe ligjin për importin e ushqimit të kafshëve. Këta i sjellin këto “ushqime plehra” deri në kufirin tokësor e detar me letra “si mbetje për asgjësim”, ose si “ushqim kafshësh”, pastaj në kufi nxjerrin “letrat e tjera” dhe i fusin në dogana si “ushqim për njerëzit”. Ka pasur raste, kur kontrollor të ndërgjegjshëm kanë zbuluar këtë falsifikim dhe kanë bërë ndalimin e futjes në kufi, por janë urdhëruar me presion presion nga “lart” që të “hapin” traun e më pas janë larguar edhe nga puna si “të papranueshëm”! “Dora” që firmos e vulos letrat e futjes së tyre në Shqipëri dhe certifikimin për përpunim, prodhim e treg është AKU-ja!

“TELEGRAF”: – A dini ndonjë rast konkret, të këtyre ushqimeve?
VETERINERI: – Është rasti i importit të mishit. E kam konstatuar unë, kur kam punuar si inspektor në 3 (PIK) pika kontrolli e doganore kufitare. Gjatë kontrolleve (sidomos natën), kam konstatuar se afro 80% e mishrave dhe produkteve të tjera shtazore, që futen nga importi janë me gjendje frigoriferike 20-25 vjeçare, me emërtesën “Mbetje për groposje”, por ato futen në Shqipëri të pajisura me fletë analize të falsifikuar me afat freskie gjoja prodhim 5-7 mujor. Nga kontrollet, ka rezultuar se këto mishra janë me vlerë ushqyese 1-2% dhe me pasoja kancerogjene. Ky import vazhdon nëpërmjet vulave të AKU-s. 

“TELEGRAF”: – Flitet për mishra të majmur me medikamente… 
VETERINERI: – Në Shqipëri futen mishra importi sidomos [ula nga Brazili, kokë dhe mbetje të brendshme bagëtish, mish nga kafshë të fryra dhe majmura me hormonin “Boldemec LA”, të siguruar nga përbërës kryesor një “Steroid” të quajtur “Boldenone”, medikament ky që lejohet të përdoret vetëm në veterinari për trajtimin e kuajve të garave dhe kafshëve të punës. 
Dy fakte që tregojnë se, populli ha plehra, shtetarët produkte cilësore importi
Rrëfen shoferi i një ministri: “Në Tiranë ka 2 furra buke e pastiçeri që prodhojnë vetëm… për shtetarët”
Krejt rastësisht, tek stadiumi “Dinamo” takova shoferin e një ministri. Prej njohjes me të, e ftova për kafe.
Më tha: – Jo sot, herë tjetër se po nxitoj, po shkoj të blej bukë, ëmbëlsira, baza picash, biskota, kulaç e ca gjëra të tjera për shefin…
Duke qenë pranë një njësie shitjeje “Bukë-Pastiçeri”, i thashë: – Ja ku është dyqani, bliji aty!
Shoferi, më tha: përgjigj” – Jo, se shkoj i blej tek një furrë “speciale” në autostradë, që prodhon vetëm për shefat. Është edhe një furrë tjetër në Sauk. Vetëm në këto dyja shkoj e blej për shefin dhe për vete, se janë të sigurta, punojnë me vaj, gjalpë, miell, maja, vezë e qumësht që vjen me porosi nga Italia. Atje blejnë gjithë bosët e shtetit dhe shumica e deputetëve… I kanë furra familjare! 
Rrëfen F. Z, shpërndarës në Tiranë: “Sallamet që nuk shiten, futen përsëri në prodhim”
Ja biseda e zhvilluar me një shofer-shpërndarës produktesh sallami, me aktivitet prodhues në Tiranë: , se ku përfundojnë dhe se çfarë bëhet me mallrat që tregu i kthen si të pa shitura, për shkak të afatit të skadencës.

“TELEGRAF”: – Kam një punishte të vogël sallami tek bodrumi i shtëpisë, prodhoj fshehtas sa për të ushqyer familjen, por nuk kam leverdi të përdor 100% mish tregu, a më ndihmon dot, të më japësh sasitë e sallamit që mbeten pa shitur?
SHOFERI: – Nuk e bëj dot, se ato kthehen përsëri me inventar në fabrikë.

“TELEGRAF”: – Po mirë, pasi shkojnë atje e peshohen, mos i hidhni poshtë, por m’i jepni mua, leverdi keni. Fol njëherë më magazinierin, u jap ndonjë lekë shtesë. 
SHOFERI: – E di si është puna?! Ato nuk hidhen poshtë, por futen përsëri në prodhim, mbasi më tepër se gjysma e prodhimit nuk shiten në afatin teknologjik të konsumit (rezitencës) dhe pronari nuk ka leverdi t’i hedh, se humbet shumë.

“TELEGRAF”: – Ahaha, u ndërrohet data e skadencës?
SHOFERI: – Jo mo jo, gjithë sallamrat e pa shitur në Tiranë e rrethe, mblidhen në dyqane 1-2 ditë para datës së skadencës dhe hidhen përsëri në proces prodhimi, duke u përzier me prodhimin e ditës dhe del përsëri në treg si prodhim i ri. Letrat bëhen sikur ky mall groposet me procesverbal të firmosur formalisht prej menazherit të dyqanit (marektit), inspektorit të AKU, të Mjedisit dhe Inspektorit të Shëndetit Publik, duke u dhënë të gjithëve ndonjë bakshish, se kjo punë bëhet çdo javë, por proces-verbalet e gjoja groposjes firmosen 1 herë në muaj

“TELEGRAF”: – Unë mendova, mos i ndryshonit datën e skadencës ose i groposnit vërtetë.
SHOFERI: – Jo, nuk bëhet fjalë për groposje, se nuk ka leverdi ai bosi. Ndërsa skadenca ndërrohet vetëm tek vezët, mishi paketuar, qoftet, pulat, moltot, biskotat, petët e byrekut, kadaifi, çokollatat e plotë të tjera si këto, që durojnë në frigorifer. 
Sigal