AKU fsheh emrat e subjekteve që kanë rifutur në prodhim sallame e produkte të skaduara

852
Siguria ushqimore në Shqipëri është pothuajse krejt e pa sigurt, aq sa duket sikur Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, prodhuesit, importuesit dhe tregtarët vendas e atë të importit, janë bërë një “grup” dhe bashkëpunojnë me sukses të plotë, për të mbushur tregun shqiptar me prodhime të pa sigurta, të cilat nëpërmjet deklaratave e disa veprimeve propagandistike tip “mësime treguese në terren”, u serviren konsumatorëve si “produkte të sigurta”. Gazeta “Telegraf”, ka publikuar në vijimësi dhe pa asnjë tolerancë krimin ushqimor që ndodh në gjithë zinxhirin e tregut nga fusha, dhomat frigoriferike, importi, fabrika, thertoret, punishtet e deri tek tezga dhe dyqani ku shiten produktet ushqimore. Nuk themi, që kontrolli i sigurisë ushqimore është një punë e lehtë dhe që duhet të merret “me sportivitet”, apo që në krye të këtij procesi të vendosen drejtues që kanë profesion sportin apo muzikën dhe mësuesinë e fillores, por e kemi fjalën tek fakti shqetësues, që edhe me ato 90% kapacitete administrative dhe 20% kapacitete profesionale që ka AKU (zyrat janë mbushur me punonjës jashtë profesionit), nuk ushtrohet kontroll, por mbushen dosje sa për efekt “plotësim plani kontrollesh”. Ose bëhet sikur kur ushtrohet kontroll, duke plotësuar dosje fiktive atje ku drejtues e kontrollorë të AKU “ngjyejnë gishtin” dhe atje ku nuk prekin dot mbasi janë biznese “të fortësh”, biznese kryepolicësh, doganierësh, tatimorësh, biznese zyrtarësh e sekretaresh të AKU në qendër e në zona, biznese shtetarësh. 


Dhe kontrollorët e AKU, dalin e bëjnë “të fortin” duke “kryqëzuar” e dërmuar me gjoba vetëm shitës fakirë që shesin ndonjë “qeze gjizë” poshtë ballkoneve të pallateve, por edhe “piketojnë e gjuajnë” biznese të mëdha serioze me “porosi nga lartë”, të cilët nuk japin bakshishe, ose që duhen asfiksuar për efekt konkurrence pirate, lojë kjo që bëhet sa për të thënë që “punohet”! Skandali qëndron në faktin, që drejtues të AKU, sa herë denoncohet një krim ushqimor, vërsulen në terren 2-3 orë për aksione tip “shou”, duke kapur ndonjë tregtar rruge, apo duke gjobitur ndonjë shitës peshku me legen dhe me kaq e quajnë “punë të kryer”. Pastaj, gjithë kapadaillëk dalin e bëjnë ndonjë deklaratë publike mediatike për gjoja “sukses në luftën kundër pasigurisë ushqimore”. Kështu ka ndodhur e vazhdon të ndodh me bukën, miellin, perimet, mishin, mjaltin, vezët, pulat, vajin, “Fast-Foode”-et, qofteritë, pijet, restorantet, pijetoret etj. Kështu ndodhi edhe dje, me deklaratën për shtyp të drejtorit të AKU të Tiranës, zotit Armand Uruçi, pas denoncimit të bërë nga gazeta “Telegraf” për sallamet “vrasës”, të cilat pas afatit të skadencës e daljes nga tregu nuk asgjësohen me mbikëqyrej të AKU, por rifuten në prodhim e ridalin përsëri në treg me afat të ri skadence e etiketë të re standardesh gjoja “të rregullta, si prodhimet në vendet e BE”. Dje, drejtori i AKU të Tiranës, zoti Armand Uruçi pranoi publikisht faktin që ka denoncuar “Telegraf”, duke deklaruar se “AKU e Tiranës ka zbuluar raste të rifutjes në prodhim të sallamrave të skaduar e të mbetur stoqe në tregun vendas”. Pra, është fakt. Por kreu i AKU, që si ish-drejtues dogane i Tiranës i di mirë punët e importit të produkteve ushqimore me e pa siguri, nuk tha se cilët subjekte e bëjnë krimin ushqimor të rifutjes në prodhim të sllamrave të skaduar e të shumë produkteve të tjera! 

Nuk tha, se cilët njësi tregu me shumicë e pakicë të produkteve e nënprodukteve të mishit, nuk njoftojnë AKU në rastet kur prodhuesi dhe furnizuesi ua merr përsëri produktin e skaduar pa raportin ligjor të deklarimit të dorëzimit të sasive të skaduara! Dhe është vetë AKU e cila pranon, se ka kapur sasi sallami e produktesh të tjera ushqimore të skaduara të cilat rifuten në prodhim e ridalin në treg si “prodhim i ri i sigurt” me etiketë të dhënash të standardeve, miratuar nga batakçinjtë “kiu-fiu” të AKU, të cilët qarkullojnë me detyra provizore nga një rreth e qark në tjetrin, si “dhelprat nga një fshat në tjetrin kur zbulohen”. Pyetja shtrohet, qartë: Përse dalin në konferenca shtypi drejtuesit e AKU, kur nuk publikojnë subjektet që bëjnë “krim ushqimor”?! Troç: Cilët janë ato kompani që rifusin në prodhim sallamrat e skaduar? Cilët janë kompanitë që prodhojnë sallamra me përbërës që sjellin rrezik për jetën dhe pa vlera ushqyese? Cilët janë subjektet që janë kapur me prodhime që nuk përputhen me të dhënat e etiketës? A duhen bërë publike këto raste, sipas ligjit për informimin e konsumatorit, me qëllim që konsumatori i cili paguan taksa për pagat dhe dietat e majme të “ushtrisë” së administratës së AKU, të mos shkoj të blejë produkte vrasëse që kanë emrat e këtyre subjekteve? Por ka edhe sallame “litar” që tregtohen pa etiketën se nga cili subjekt prodhohen, por që konsumatorëve u thuhet se janë të X e Y firme dhe AKU nuk vepron! Sepse konsumatori nuk e di se cilët janë prodhuesit, importuesit dhe tregtarët e “ushqimeve vrasës” dhe shkon e blen, mbasi AKU nuk publikon falsifikatorët? Pse? Sepse është bashkëpunëtor me ta, në shkëmbim të ryshfeteve e “pakove” ushqimore cilësore që marrin prej tyre! A duhen publikuar subjektet abuzuese, të cilët prodhojnë produkte të rrezikshme e pa vlerë ushqimore, të cilëve u ngjisin si siguri, si afat skadence e vlerë ushqyese false, ndonjë etiketë me “lule-lule” të miratuara me “veprim të përjetshëm” prej “hajdin-hajnive” fuqiplotë të AKU? 

Natyrisht që po, por nuk publikohen? Në tregun shqiptar, ka sallamra me përbërje vetëm 10% mish importi hipopotami e elefanti me moshë frigoriferike 30-vjeçare dhe me 90% “përbërës llumra” të tjerë, por nuk ka asnjë emër subjekti, për ta ditur se cili i prodhon! Nuk ka asnjë bllokim të tyre në treg! Nuk ka asnjë fakt konkret asgjësimi, që të tregoj me “zë e me figurë” groposjen e afro 11 mijë ton sallamrave që kanë dalë nga tregu si afat kadence në 3 muajt e fundit, sepse realisht këto sasi nuk kanë dalë nga tregu, por janë rifutur në prodhim e janë rikthyer përsëri në treg si “sallam i ri”, të cilin “të “zgjebosurit” e AKU me korrupsion, dalin e na thonë: “Hajeni se është i sigurtë”. Po ju e hani atë sallam, atë mish, atë vaj, atë shalqi, atë pjepër, atë picë, atë proshutë, atë akullore, atë bukë, atë miell, atë biskotë që helmon, që sëmurë, që “vret” jetën?! Kujtojmë, që afro 1 muaj më parë, AKU në emër të transparencës me konsumatorin dhe “në merak” për jetën dhe shëndetin e tij, nisi një aksion mediatik për damkosjen e njësive tregtare me etiketa me këtë paralajmërim: “Këtu ka ushqime të sigurta”, “Këtu nuk ka ushqime të sigurta”. Edhe pse kjo “tallavaja” e etiketave mbi xhama e qepena ishte një “kinezëri” që bëhet vetëm nga OJF e vendeve perëndimore si eksperiment social vetëm për popullatat e uritura të vendeve të “Botës së Tretë”, u quajt si “risi evropiane e futur në veprim prej AKU”. 

Madje u bënë edhe fotografi shefash duke ngjitur etiketa në disa subjekte ku ata shkojnë e pinë kafe, hanë dreka e darka “pune” në Durrës! Nuk e dimë nëse vazhdon më kjo “tallave” etiketash që ngjiten mbi qepena dyqanesh, por shtrohet pyetja: Përse nuk publikohet me emra prodhuesi, adresë e tregje se ku shiten sallamrat që nuk i hanë as qentë se ngordhin? Pra, të thuhet se cilat fabrikat prodhojnë sallamra të skaduar, cilët nuk i asgjësojnë këto prodhime me rrezik, por i rifusin përsëri në proces teknologjik? Nuk ka asnjë rast që AKU, të ketë bërë publik asgjësimin e produkteve të rrezikshme, ose të skaduara, apo pa vlerë ushqyese e me kimikate. Mirëpo, del e thotë verbalisht, se… “ka zbuluar produkte të tilla”, Natyrisht, jo vetëm sallamra, por edhe pula, konserva mishi, pije alkoolik, pije të ëmbla e ujë të ambalazhuar, produkte pastiçerie, picerie, perime, farëra, pesticide, bagëti të sëmura, mish me hormone e pa orgjinë lloji kafshe, miell, bukë e simite të cilat ashtu si sallami, kur nuk shiten gjatë ditës, hidhen natën përsëri në “kazanin” e prodhimit dhe rikthehen përsëri në “prodhim i ri”! Përse nuk publikoni emrat e këtyre subjekteve, siç e detyron ligji mbi sigurinë ushqimore?!
Sigal