AKU dhe ISHSH inspektime për “Antiduhanin”, gjobisin shkelësit

567
Sigal

TIRANË – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë  organizuan sot një inspektim të përbashkët për zbatimin e Ligjit “Për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit”.
 
Dy trupat inspektuese, e AKU-së dhe ISHSH-së nisën kontrollet në bare-kafe, restorante dhe ambiente të tjera mbyllura publike përgjatë Rrugës “Myslim Shyri”, “Ibrahim Rugova” dhe Bulevardit “Gjergj Fishta”,  me qëllim zbatimin e ligjit dhe mbarëvajtjen e tij.
 
Gjatë këtij monitorimi, inspektorët e AKU-së dhe ISHSH-së,kanë konstatuar shkelje të ligjit në një pikë bastesh dhe një bar-kafe në rrugën “Myslym Shyri”, duke marrë masën ndëshkuese ndaj tyre, konkretisht, gjobat nga 300 mijë lekë për bizneset.
 
 
Në fillim të aksionit të përbashkët të inspektimit mes AKU-së dhe ISHSH-së, dy krerët e institucioneve që kanë për detyrë zbatimin e këtij ligji, deklaruan për mediat se këtë radhë, ligji do të zbatohet dhe nuk do të ketë tolerancë ndaj askujt, në asnjë rast.
 
 
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Afrim Bakaj shprehu gatishmërinë për zbatimin rigoroz të ligjit anti-duhan, duke sjellë në vëmendje, se “AKU, si institucion palë në zbatimin e këtij ligji, është e vendosur që të monitorojë çdo bar-kafe, restorant, operator biznesi qëështë edhe në fokusin e punës së saj, për të garantuar, si sigurinë ushqimore, ashtu edhe zbatimin e Ligjit “Për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit”.
 
Drejtori i AKU-së Bakaj theksoi më tej, se “monitorime të tilla të përbashkëta ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, rrisin më tepër sensibilizimin në popullsi dhe tek operatorët e biznesit, që është edhe qëllimi ynë kryesor, për të mbrojtur shëndetin e konsumatorit shqiptar”.“AKU është institucion që, si dhe ISHSH, ka për detyrë zbatimin e këtij ligji.
 
Në të gjitha inspektimet që AKU do të kryejë në lidhje me sigurinë ushqimore, edhe ‘Antiduhani’ do të jetënë fokus të punës tonë. Inspektorët e AKU, në të gjithë vendin, inspektojnë ambientet publike, tek të cilat shkojnë për të kryer punën e përditshme. Nuk do të tolerojmë askënd dhe AKU ka vullnetin dhe potencialin njerëzor për zbatimin e këtij ligji”, theksoi Bakaj.
 
Ndërkohë, Kryeinspektori i Inspektoritatit Shtetëror Shëndetësor Eltar Deda,tha se“megjithëse ligji në përgjithësi ka karakter edukues, sensibilizues, ne nuk do të tolerojmë askënd që të shkële atë”, duke shtuar se “zbatimi i ligjit ka gjetur mirëkuptimin e bizneseve dhe institucioneve, por nuk kanë munguar edhe rastet e vënies së gjobave, për ato institucione dhe operatorë biznesi që nuk kanë respektuar ligjin”. “Dua të theksoj që jemi të vendosur që ligjin ta respktojmë deri në fund, megjithëse e ritheksoj, këmbëngulim tek sensibilizimi”,  vuri në dukje Deda.
 
Në inspektimin e përbashkët mes dy institucioneve, mori pjesë dhe Kryeinspektori i ISHSH-së për Qarkun Tiranë, Gjergji Koja.
 
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është një nga dy institucionet kryesore, bashkë me ISHSH për zbatimin e ligjit në fjalë dhe inspektorët e saj, të cilët ndodhen çdo ditë në terren, në lidhje me garantimin e sigurisë ushqimore, do të kryejnë edhe inspektime për zbatimin e këtij ligji.