AKU bllokon 31 ton kripë, importi jashtë standardeve

585
Sigal

Një sasi prej rreth 31 ton kripë me prani jodi nën nivelin e lejuar, është bllokuar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ndërsa është vendosur gjobë me një shumë prej 2,6 milionë lekë.

AKU thotë se sasia e kripës është bllokuar në dy subjekte private.

Njoftimi i AKU:

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Eurolab” u konstatuan 4 shkelje ligjore dhe u morën masat e mëposhtme:

-Për importim në kundërshtim me Ligjin e Ushqimit, ku mungonte certifikata origjinale e lëshuar nga vendi i origjinës, u mor masa administrative “gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë,

-Për mungesë të një sistemi funksional gjurmueshmërie, u mor masa administrative “gjobë” me vlerë 100,000 lekë,

-Për etiketim produkti të parregullt, u vendos masa administrative “gjobë” me vlerë 100,000 lekë,

-Për veprime në kundërshtim me përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit Ushqimor, u vendos masa administrative “gjobë” me vlerë 300,000 lekë”.

Përveç masës së mësipërme është bllokuar sasia prej 16.2 ton kripë, ndërsa subjektit i është kërkuar të tërheqë nga tregu gjithë sasinë.

Nga kontrolli i kryer në një tjetër subjekt (N&N) për përmbushjen e kërkesave ligjore për tregtimin e kripës u konstatuan disa problematika dhe u morën masat si më poshtë:

-Për import në kundërshtim me ligjin, u vendos masa administrative “gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë,

-Për veprime në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë së produktit, u vendos masa administrative “gjobë” me vlerë 100,000 lekë,

-Operatori i Biznesit Ushqimor u urdhërua të tërheqë nga tregu produktin kripë të shpërndarë për shitje në sasinë prej 15 ton kripë dhe kthimin e saj në vendin e origjinës.