AKU, aksion në tregun e mishit tek Pazari i Ri, sekuestrohen 115 kg

100
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndërmori sot një inspektim në tregun e mishit pranë Pazarit të Ri në Tiranë, ku gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 115 kilogramësh që tregtohej jashtë kushteve të parashikuara në ligj. Sipas një njoftimi për shtyp, aksioni i inspektorëve të AKU-së u krye pas sinjalizimeve të marra, se aty tregtohej mish jashtë standardeve. Gjatë kontrollit u konstatua se një numër tregtarësh dispononin mish pa çertifikatë veterinare dhe në ambjente që nuk plotësonin kushtet për konservimin e tij. Drejtori i AKU-së, Armand Uruçi konfirmoi për mediat se inspektimi u zhvilluara në bazë të sinjalizimimeve, ndërsa paralajmëroi se nuk do të lejohet askush të tregtojë mish dhe asnjë produkt tjetër ushqimor të pakontrolluar e që cënon sigurinë e konsumatorit. Dy muaj më parë AKU ndërmori një kontroll të ngjashëm në këtë treg, i administruar nga bashkia dhe e gjobiti atë me 300 mijë lekë për shkak të kushteve jashtë standardeve ku zhvillohej aktiviteti i tij.