Aktorët kundër “Teatrit të Kullave”

890
Ikona të artit shqiptarë i qëndrojnë besnik godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar, nisur nga historia që ai mbart, dhe vijojnë të kundërshtojnë hapur, projektin e qeverisë së Edi Ramës për të shembur godinën aktuale dhe për të ndërtuar Teatrin e ri. Veçse ky projekt, e shoqëron teatrin edhe me kulla gjigante pranë tij. Disa nga aktorët më të mirënjohur janë mbledhur në një takim me njëri-tjetrin për të diskutuar mbi mënyrën se si ta kundërshtojnë këtë projekt. Sipas tyre, qeveria po mundohet të favorizojë privatin, pasi edhe projekti i ndërtimit te Teatrit të Ri, do të ndërtohet përmes partneritetit publik-privat. I madhi Robert Ndrenika në këtë takim me kolegët e tij aktorë, u shpreh hapur kundër këtij partneriteti, dhe se bisedimet duhen hapur për të gjetur variante të tjera për ndërtimin e teatrit, pa kulla.

“Mua nuk ma heq njeri nga mendja, se edhe Maqedonia u bën teatër shqiptarëve. Pra nuk jam fare dakord për formulën PPP. Më paraqiti zoti Kapexhiu një variant, më pëlqeu. Ka disa variante. Le të bëjnë ato 6-7 kulla që duan të bëjnë. Ne le të na japin sheshin përpara te vëllezërit Frashëri. Pra ka variante. Unë jam kundër variantit PPP, sepse në të gjitha këndvështrimet ky variant është për të përfituar privati, dhe jo teatri”, tha Ndrenika, duke dalë kundër propozimit të qeverisë Rama.

Ndërkohë aktori Bujar Kapexhiu, u shpreh se godina ku ndodhet aktualisht Teatri Kombëtar, duhet të rikonstruktohet, dhe jo të shembet totalisht. Ai shton, se rreth teatrit, më tej mund të ndërtohen mjediset e tjera që e plotësojnë këtë institucion të kulturës.

“Duhet të ndërtohen këto mjedise që i mungojnë këto teatrove dhe të ndërtohet një projekt katror. Mungon biblioteka dhe sallat e provave”, vijoi Kapexhiu.

Një javë më parë, kryeministri Edi Rama prezantoi para artistëve projektin e teatrit kombëtar, pasi në publik kishte marr hov debati se në të do të ndërtoheshin kulla. Madje në atë takim, kryeministri nuk i dha të drejtën e fjalës aktorit të madh Robert Ndrenika, duke i ndërprerë atij fjalën. A do të vijojë kryeministri në rrugën e tij pa pasur asnjë kthim pas nga reagimet thuajse të përditshme që vijnë kundër projektit me kulla?! Kjo mbetet të shihet në vijim. Ajo që është e dukshme, është fakti se aktorët po bëjnë çmos për ta kundërshtuar që Teatri të ngrihet mbi interesa të privatit, për të betonizuar edhe më tej me kulla Tiranën.
Sigal