Aktivizim më i madh në mbrojtje të ekosistemit dhe zonave detare

791
Sigal

Festohet Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Biologjik ne plazhin piktoresk të Orikumit

Kombet e Bashkuara (UN) e kane shpallur 22 majin si Ditën Ndërkombëtare për Diversitetin Biologjik. Kjo ditë ka për qellim rritjen e njohurive dhe ndërgjegjësimit për çështjet e biodiversitetit. Këtë vit Dita e Biodiversitetit kishte si tematike ‘Ishujt dhe biodiversitetin’. Motivi i zgjedhur mbart rendësi të veçante pasi përkon me një sere vendimesh të konventës së Biodiversitetit, të cilat nxisin dhe u kërkojnë shteteve pjesëmarrëse/qeverive respektive, institucioneve financiare dhe organizatave të tjera përkatëse për të forcuar programet e punës për menaxhimin dhe konservimin e biodiversitetit.

Në Shqipëri, rrjeti aktual i zonës së mbrojtur është rreth 460,000 ha, nga të cilat, për rreth 236,000 ha kanë të aprovuar planet respektive të menaxhimit dhe rreth 114,000 ha të tjera janë në procese të ngjashme. Natyrisht ka ende shumë për të bërë kur është fjala për zbatimin dhe implementimin e planit të menaxhimit, veçanërisht masat menaxhuese për speciet sipas statusit të tyre të ruajtjes dhe kategorive të kërcënuara, sipas përcaktimeve të IUCN. Rritja e sipërfaqes së Zonave të Mbrojtura (ZM) dhe zgjerimi i rrjetit në 20% të sipërfaqes së vendit, duke arritur nivele të ngjashme me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, mbetet një nga objektivat kryesore të qeverisë shqiptare. Vlen të përmendet shpallja e ekosistemit të parë natyrore detar – Parku Kombëtar Detar “Karaburun – Sazan” me VKM nr. 289 datë 28.04.2010, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 12,570,82 ha.

Në kuadër të ditës së 22 Majit Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me UNDP dhe Delegacionin e Bashkimit Europian zhvilluan nga data 17 deri në 24 Maj në Tiranë, Përmet, Shkodër dhe Vlorë edicionin e dytë të Festivalit të Filmit mbi Mjedisin.

Aktiviteti i zhvilluar në Orikum, në datën 22 Maj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Diversitetit Biologjik, ofroi një mundësi më shumë për të komunikuar dhe përfshirë publikun, për të rritur ndërgjegjësimin mbi vlerat e biodiversitetit për mirëqenien e komuniteteve lokale, si dhe për të komunikuar përpjekjet e bëra nga Ministria e Mjedisit dhe UNDP për përmirësimin e mbulimit të Zonave të Mbrojtura Detare dhe rritjen e efektivitetit të menaxhimit të këtyre zonave.

Projekti për Zonat e Mbrojtura Detare dhe Bregdetare në Shqipëri i UNDP-së në bashkëpunim me Ministrin e Mjedisit, Bashkinë Orikum, autoritetet vendore dhe OJF-të mjedisore si “Adritiku”, “Flag Pine”, “SEEP” etj., zhvilloi me shkollat e Orikumit një sere aktivitetesh, ku fokus të veçantë kishte Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Biologjik. Gjate gjithë javës u zhvilluan gara dhe konkurse të ndryshme me nxënësit e shkollës 9 vjeçare “Balil Pelari” shkolla e mesme “Hasan Pulo” të qytetit të Orikumit dhe shkolla të tjera. Po kështu në kuadër të iniciativës globale “Green Wave” (Vale e Gjelbër), e cila i jep rendësi mjedisit dhe llojeve të veçanta të pemëve, të cilat identifikojnë komunitete në zona të ndryshme, zyra e projektit për Zonën e Mbrojtur Detare Karaburun-Sazan, në bashkëpunim edhe me shoqatën mjedisore “Flag Pine”(Pisha Flamur) në mënyrë simbolike ujiten monumentin e natyrës “Pisha Flamur” në Parkun Kombëtar të Llogarasë duke krijuar simboliken e “Valës së Gjelbër”, e cila është një aksion global që bëhet në të njëjtën orë dhe ditë në të gjithë botën duke ujitur një pemë në mënyrë simbolike. Aktivitetet u finalizuan me datën 22 Maj në Orikum në ceremoninë festive të zhvilluar nga projekti për Zonat e Mbrojtura Detare dhe Bregdetare të UNDP-së në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit. Aktivitete e zhvilluara ishin konkurse pikture, loje volejbolli, shahu, gare me biçikleta si dhe gara me kanoe, e cila përbente një risi për të gjithë zonën pasi zhvillohej për herë të parë në qarkun e Vlorës. Po kështu një risi tjetër ishte ajo e Orës Gastronomike të përgatitur nga vetë nxënësit, gjatë të cilës nxënësit paraqiten të gjitha gatimet tradicionale të zonës të gatuara nga vetë ata.

Në ceremoninë e zhvilluar në Orikum merrnin pjesë Përfaqësuesja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri Znj. Zineb Touimi-Benjelloun, Zv.Ministrja e Mjedisit Znj. Oliana Ifti, Kryetari Bashkise Orikum Z. Gezim Capoj, përfaqësues nga Prefektura Vlorë dhe autoritetet e tjera lokale.

Në fjalën e saj përshëndetëse Znj. Zineb Touimi-Benjelloun falënderoi të gjithë të pranishmit dhe vuri theksin në rëndësinë e Biodiversitetiti Biologjik dhe rendësinë që ka dita 22 Maj për mjedisin. Ajo riafirmoi qëllimin e projektit të UNDP-së për të siguruar ruajtjen afatgjatë të biodiversitetit unik bregdetar dhe detar të Shqipërisë, për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Një serë materialesh promocionale, por edhe aktivitete u ndërmorën me komunitetin pjesëmarrës në këto festime, si materiale informative, postera, kartolina, broshura, konkurse pikture, garë me biçikleta, ekspozita fotografike me shkolla fillore, olimpiadë dhe garë me kanoe, ora gastronomike etj.

Në një bisedë me përfaqësuesit lokal të projektit të UNDP-së për Zonat e Mbrojtura Detare dhe Bregdetare Karaburun Sazan, Z. Petrit Dervishi, moderator lokal, shprehet: “Projekti i UNDP-së që zbatohet në këtë zonë zhvillon aktivitete të ndryshme që kanë në fokus të veçantë mjedisin dhe të parën ZMDB në Shqipëri, atë të Karaburun-Sazanit. Edhe aktiviteti për festimin e Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit, i zhvilluar në Orikum, kishte si qellim promovimin e kësaj zone dhe përfshirjen e komuniteti si pjesë mjaft e rëndësishme në procesin e një menaxhimi efektiv dhe zhvillimi të kësaj zone”. Ndërsa përsa i përket aktivitetit të datës 22 Maj Z. Doreid Petoshati, Këshilltar dhe Facilitator lokal për projektin, na tregon: “Ceremonia u mendua të zhvillohej në formën e garave dhe konkurseve në fusha të ndryshme, pasi kjo do ta bënte më të prekshme dhe të kuptueshme Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit duke përfshirë vetë komunitetin”. Më interesant zhvillimin e këtij aktiviteti e bëri ndarja e çmimeve dhe kupave për secilën garë që u zhvillua. Në konkursin e pikturave u dallua nxënësja Cerneste Vangjeli e shkollës “Balil Pelari” kurse vendin e dytë e zuri nxënësi Samuel Myftari, i cili përfaqësonte komuniteti rom. Në aktivitetet e tjera në volejboll vendin e parë e zuri ekipi i shkollës së mesme “Hasan Pulo”. Garat me kanoe dhe me biçikleta patën një konkurrencë mjaft të fortë ku vendet e para u fituan respektivisht, nga dyshja e nxënësve Aleksandro Velaj-Valbing Kocaj. Kurse në shah finalja u fitua nga nxënësi Xhonatan Shyti. Aktiviteti i zhvilluar u mirëprit shumë nga nxënësit e shkollave dhe komuniteti i zonës, të cilët kërkuan që të zhvillohen aktivitete të tjera konkrete për të gjallëruar zonën, sidomos gjatë sezonit të verës, ku në zonën e Orikumit ka një numër të lartë pushuesish nga vende të ndryshme.